“Forca e Kelmendit” e autorit Zef Naçi u promovua në Amerikë

25 Gusht, 2018 - 5:01 pm

Në Qendrën “Nënë Tereza” në organizimin e SHK “Kelmendi” dhe nën kujdesin e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, u bë promovimi i librit “Forca e Kelmendit” nga autori Zef Naçaj, në 100 Vjetorin e lindjes së Nikoll Mrnaçaj.

Folësit treguan se ky është një libër interesant, që sjell jo vetëm historinë dhe bukuritë natyrore( të kësaj Perle të gjakosur), figurat e shquara të kësaj treve që nga Papa Klementi XI(Gjon Francesk Albani), Nora e Kelemndit, Ujk Gila, Nikë Lekë Pep, Prekë Cali, Aleksander Sirdani, e deri tek Angjelin Prelocaj, por dhe historinë e qëndresën e Kelmendasve përballë pushtuesve dhe diktaturës komuniste.

Libri sipas tyre fokusohet tek njëri prej qëndrestarëve të shumtë të kësaj treve përballë diktaturës komuniste, martirit Nikollë Mrnaçaj, i cili kaloi 38 vet në burgjet e kampet politike në Shqipëri, por edhe të kalvarit të tij të dhimbshëm dhe fatit të pjesëtarëve të familjes, nëpër kampet e internimit të Tepelenës dhe më të fundit deri kur ai rrëgjim u rrëzua – në Savër Lushnjes.

“Në këtë libër lexuesi gjen figurën e një protagonisti, që është epiqendra dhe shembulli tipik i njeriut të dënuar pa faj, Nikollë Mernaçaj. Figura e tij del nëpërmjet dëshmive të të tjerëve, atyre që e kanë njohur e bashkëvuajtur me të, të pjesëtarëve të familjes e të afërmve që vuajtën pasojat e burgosjes dhe internimit të Nikollës”, shkruhet në përcjelljen që i bën librit gazetari Ndue Lazri, redaktor i librit.

Poeti popullor kelmendas Gjovalin Lumaj, i cili kishte udhëtuar nga Detroiti, për të marrë pjesë në promovimin e librit dhe 100 vjetorin e lindjes së bashkëvendësit të tij Nikoll Mrnaçaj, shprehu një kënaqësi si tha ai të shumëfishtë, për familjen Mrnaçaj, dhe autorin që ai e quajti: Një kelmendas të talentuar dhe të afirmuar për shpirtin e nivelin e tij artistik në shumë gjini të artit.

Azeta Kola, Doktoreshe e shkencave historike, ishtë një ndër folëset kryesore e cila erdhi në këtë promovim me një kumtesë që e kishte titulluar “Forca e Klemendit”, historia e heshtur e jetës së viktimave të komunizmit”

“Libri ‘Forca e Kelmendit’ dhe historia e përvuajtur e vetë Nikollë Mërnaçajt, të cilit autori i jep zë, është një akuzë e hapur ndaj atij regjimi antinjerëzor gati gjysmë-shekullor që mbizotëroi në Shqipëri dhe krejt Evropën Lindore. Kjo është shumë e rëndësishme sepse në Shqipëri si në asnjë vend tjetër Komunist të bllokut lindor, nuk është bërë ende një kërkesë e hapur llogarie nga viktimat ndaj abuzuesve të tyre apo një pendesë e kërkesë falje publike nga xhelatët komunistë që çuan në vdekje qindra viktima të pafajshme, siç ishte Nikollë Mërnaçaj”, u shpreh ajo.

Pas promovimit po ashtu u kënduan këngë për familjen Mrnacaj, dhe trimërisë së Kelmendit, këngë të krijuara posaçërisht nga Gjovalin Lumaj dhe këndur duke luajtur në çifteli nga Bashkim Vushaj . Ndërsa, kënga” Jam krenar se jam Shqiptar.” me tekstin e Gjovalin Lumaj muzika Agim Kola, muzikant Pllumb Nacaj u këndua nga këngëtari i talentuar kelmendas Ylli Sufaj, shkruan Beqir Sina/ INA./ KultPlus.com

Të ngjajshme