28 Maj, 2024 - 3:30 pm
Andrin Aliu
Ecëm krah për krah drejt rrugës “Rrustem Statovci”, që të conte në hyrje të Parkut të Qytetit, më pas u futëm në ca rrugica me ndricim të mekur, ku po kalonim vetëm ne, me hapa të ngadaltë dhe të vegjël. Dikur zonja Fazile filloi të më fliste për ndryshimin e vazhdueshëm që kishte pësuar kjo zonë ndër vite, vecanërisht kohëve të fundit me ndërtimet e pallateve shumëkatësh.
-Një ditë do të na zihet fryma të gjithëve, – tha ajo, e mllefosur, teksa po vështronte një pallat të ndërtuar pothuaj në rrugë. Më keq se kaq s’mund të jetë.
-Përse e thoni këtë?
-Ti je me fat që nuk e ke parë qytetin në periudhën e tij të artë, sepse po ta shihje atëherë sesi dukej ky qytet, sot do të shkalloje njësoj si unë, për arsye të degradimit arkitekturor në përmasa të paimagjinueshme që ka ndodhur këtu.
-A mund të ketë një zgjidhje ky problem?
-Dëmi i madh vecse është bërë. Qyteti e ka humbur identitetin e tij të dikurshëm. Nuk mund të flitet për zgjidhje të problemit, kur degradimi po lejohet nga ata që e kanë për detyrë ta ndalojnë këtë dukuri. Në një katrahurë të tillë, përfituese janë grupet mafioze të lidhura me njerëz të fuqishëm të politikës.
-Situata qenka tejet e pashpresë .
-Sikur të kishim të bëjmë vetëm me degradim arkitekturor, – psherëtiu ajo, – mbase do të gjenim ndonjëherë një zgjidhje, por problemi është më i thellë sesa dallohet në pamje të jashtme.
-Cili është ai problem?
-Është problemi shoqëror, Zgjim. Ne si shoqëri nuk reagojmë në mënyrë të duhur ndaj dukurive që po e shkatërrojnë jetën tonë të përditshme, dhe duke reaguar kështu, sa për sy e faqe, e keqja, jo që s’po fashitet, por po zmadhohet edhe më tej. Nuk mbrohet qyteti përmes shkrimeve në rrjete sociale. Nevojitet organizim i mirëfilltë qytetar, një masë e madhe e njerëzve që do të mblidhet për të kundërshtuar abuzimin me hapësirat publike.
-Ku të gjendet kjo masë e njerëzve? – e pyeta me njëfarë mosbesimi.
-Është në mesin tonë , – u përgjigj me siguri të plotë .
-Krejt cfarë duhet është reagimi fizik i saj. Këta njerëz duhet të organizohen. Të jesh i bindur se organizimi qytetar ngadhënjen mbi cdo grup mafioz.
Befas, zonja Fazile ndaloi në trotuar dhe shikoi orën e vënë në kycin e dorës së majtë .
-Qenka ende herët, – tha ajo. – Kam një ide.
-Po ju dëgjoj.
-Këtu afër është një kafene. Si thua të shkojmë?
U pajtova me idenë e saj dhe vazhduam të ecnim./ KultPlus.com