Fragment i shkëputur nga libri “Dhe malet oshtinë” i Khaled Hosseinit

9 Korrik, 2022 - 9:51 pm

“Dhe kështu ajo nis t’i rrëfejë.

Roshi jetonte me prindërit, dy motrat dhe vëllanë e vogël, në një fshat në një të tretën e rrugës nga Kabuli për në Bagram. Një të premte, muajin e shkuar, xhaxhai i saj, vëlla i madh i të atit, kishte shkuar për vizitë.

Për gati një vit i ati i Roshit dhe xhaxhai ishin zënë për shtëpinë ku jetonte Roshi me familjen e vet, që xhaxhai mendonte se i takonte atij, meqë ishte vëllai më i madh. Por gjyshi i saj ia kishte lënë shtëpinë djalit më të vogël, babait të saj, që ishte dhe fëmija më i dashur për të. Ai i kishte thënë se donte t’u jepte fund zënkave.

Prandaj nëna e Roshit kishte therur e rrjepur dy pula. Kishte pregatitur një tenxhere të madhe me pilaf dhe kishte blerë shegë të freskëta në treg. Kur kishte ardhur xhaxhai, ai dhe babai i Roshit ishin përqafuar e puthur. I ati i Roshit e kishte përqafuar aq fort, sa këtij i ishin shkëputur këmbët nga tapeti. Nëna e Roshit kishte qarë nga lehtësimi. Familja ishte ulur për të ngrënë. Të gjith kishin ngrënë edhe pjatën e dytë, edhe një të tretë. Dhe pastaj shegët. Pas kësaj nëna kishte shërbyer çajin jeshil me ca çokollata. Dhe xhaxhai kishte kërkuar ndjesë, pasi i duhej të shkonte në banjën jasht shtëpisë.

Kur ishte përsëri brënda, mbante një sëpatë në dorë. Nga ato që përdoren për të prerë pemët.

Të parin qëlloi babanë e Roshit, i cili as që e mori vesh se çfarë i ndodhi. Nuk arriti të shihte asgjë. Një goditje e vetme në qafë, nga pas shpine. Gati ia preu kokën.

E dyta ishte nëna e Roshit, teksa mundohej të luftonte, por ai i lëshoi ca goditje në fytyrë e në kraharor, kështu që heshti edhe ajo.

Fëmijët tani po ulërinin e po ia mbathnin nga katër anët. Xhaxhai nisi t’i ndiqte. Roshi pa njërën nga motrat që po vraponte në korridor, por xhaxhai e kapi për flokësh e shtriu për tokë. Motra tjetër arriti të largohej nga korridori. Xhaxhai e ndoqi nga pas dhe Roshi e dëgjoi teksa shqyente derën e dhomës, pastaj klithma e pastaj asgjë.

Dhe kështu Roshi vendosi të ikte bashkë me të vëllanë e vogël. Vrapuan të dilnin jashtë shtëpisë, por dera ishte e mbyllur. E kishte mbyllur xhaxhai, sigurisht.

Ata nisën të vraponin në oborrin e pasëm, gjithë panik e dëshpërim, e mbase edhe harruan që aty nuk kishte derë dhe muret ishin shum të larta e s’mund t’i kapërcenin. Xhaxhai doli nga shtëpia dhe u nis drejt tyre.

Roshi pa të vëllanë, që ishte vetëm pesë vjeç, që u hodh në tandoor-in, ku, vetëm një orë më parë, e ëma kishte pjekur bukën. Ajo e dëgjoi teksa ulërinte e bërtiste mes flakëve, ndërkohë që ajo vetë u pengua dhe ra në tokë. E ktheu kokën tamam në kohën kur pa qiellin blu dhe sëpatën që po i vërsulej. Dhe pastaj asgjë…” /KultPlus.com

Të ngjajshme