Fragment nga ditari i Andrej Tarkovski: 15 gusht 1970

16 Shkurt, 2025 - 8:27 pm

Andrey Arsen’evič Tarkovsky (1932 – 1986) ka qenë regjisor, skenarist dhe shkrimtar rus. Filmat e tij më të famshëm janë ‘Stalker’, ‘Solaris’, ‘Pasqyra’ dhe ‘Andrey Rublev’ dhe konsiderohen si disa nga kryeveprat e historisë së kinemasë.

7 shtator

Si do të jenë fëmijët tonë? Bukur fort varet nga ne. Por edhe nga ata vetë po aq. Ajo që duhet të jetë e gjallë te ta është rropatja për liri. Kjo varet nga ne. Njerëzit që janë lindur në skllavëri e kanë të vështirë ta humbasin zakonin.  

Nga njëra anë do të ishte mirë nëse gjenerata e ardhshme do të mund të shijonte një masë të caktuar të paqes; nga ana tjetër paqja mund të jetë diçka e rrezikshme. Filistinzmi dhe e gjithë ajo që është borgjezi e vogël te ne anon fuqishëm kah paqja. Çkado që të ndodhë, nuk duhet të rrëshqasin në një letargji shpirtërore.

Gjërat më të rëndësishme që duhet të përçohen te fëmijët janë virtyti dhe ndjenja e nderit.

Çkado që të ndodhë, duhet ta marrë me vete The Bright Day. Kjo është pjesë e së njëjtës punë. Detyrë.

Sa e tmerrshme dhe e pështirë është të ndihesh të mos i detyrohesh askujt për asgjë. Ngase ky s’mund të jetë kurrë rasti. Është një pikëpamje që mund të adoptohet vetëm pas një përpjekjeje të madhe; duke i mbyllur sytë.

Ka një mori njerëzish të tillë këtyre ditëve. Mendoj se kam parë përmes Arturo M.; një njeri njëmend i lig. Deri aty sa në të vërtetë ia nxjerr vetes të fshehtat; përulja e mbrame.

Lenya Kozlov dhe unë po punojmë me juxtapozicionet. Po shkon ngadalë. Duam të flasim për gjithçka dhe të flasim përnjëmend. Por ca çështje janë tabu dhe në një mënyrë ose tjetër do të largohen. Thjesht duhet të shkojmë pas teorisë.

Mendoj vazhdimisht rreth The Bright Day. Mund të bëj një film të mirë. Në të vërtetë do të jetë një rasti i filmit të bërë në tërësinë e tij sipas përvojës personale. Për këtë arsye, jam i bindur, do të jetë i rëndësishëm për ata që do ta shohin.

Veç sikur ta kisha përfunduar Solarisin, dhe ende as që ka filluar. Edhe një vit deri të nisim; po çfarë viti i shkretë… as që kam me kë të punoj.

E kam larguar nga puna menaxherin e produksionit. Edhe zonjën e gardërobës po ashtu. Dh e kush do ta marrë vendin e saj? S’kam askënd të tillë në studio.

Sapo ka mbërritur një telegram nga Banionis: ‘Udhëtimi amerikan shtyrë për pranverë’. Pikërisht atëherë kur kishim nevojë për të. Çdo ditë e re është më alarmuese se ajo e mëparshmja. Nëse nuk është këtu Banionisi, atëherë kush do të jetë? Mbase Kesha Smotkunovsky?

Më duhet të bëj diçka për Bibin menjëherë.

Po nga cili kënd? Si duhet të filloj? Teynishvili veç po hungëron dhe nuk është i bindur.

Krejt rastësisht kalova pranë Universiteteve të Kazanit të Evtushenkos në Novy Mir. Ç’gjë e pështirë. Marramendësisht keq. Avangardë e pashije. Siberiani ishte pafundësisht më i talentuar se kaq përpara. E çka ka mbetur prej tij? ‘Ananas në shampanjë’ dhe buzëqeshje përçmuese.

Është patetike se si Zhenya flirton që të arrijë të adhurohet.

Njëherë erdhi tek unë në Unionin e Filmave Sovjetikë, i dehur dhe tha, ‘Pse je kaq i pashpirt, Andrej?’. Nuk i ktheva gjegje.

‘Shiko, ti ma kujton një të Bardhë gjak-kaltër që kishte marrë pjesë në tërheqjen e Kolçakut mbi akull. Vetëm gjyshi ose babai im me gjasë ishin të dergjur në borë në atë moment, teksa partizanët po pozicionoheshin aty me pushkët e tyre të vjetra. Të gjithë ata oficerë ishin të ngrirë në akull, ti e di, nuk mund të lëviznin vendit’.

Goxha njëfarë humanisti, ky farë Zhenya.

Filma të mundshëm:

Kagol (Gjyqi i Bormanit)

Mjek-Diktator (versione të ndryshme)

Shtëpia me kullë

Jehonat

Dezertorët

Jozefi dhe vëllezërit e tij

Shtëpia e Matrionës e Solzhenicinit

Dostojevski

Dita e ndritshme – sa më shpejt që të jetë e mundshme!

Adoleshentin e Dostojevskit

Zhanë D’Arkun, 1970

Murtajën e Kamysë

Dy veta e panë dhelprën

Skenarë:

Gjahu i fundit, ose Përplasja

Katastrofa

Njeriu fluturues (bazuar te Belyaevi).

Në një periudhë të mirë do të isha bërë milioner. Dy filma në vit prej vitit 1960, do të kisha arritur në njëzet fila… Fat i majmë me idiotët tonë.

‘Në këtë botë ka ca budallenj, por kjo ca është budallallëk i fortë’.

‘Budalla. Akysoni është budalla, duke e valëvitur kapelën e tij tri herë. Në pritje të diçkaje më të mirë’ – kuvendime katundare.

Dramaturgët shpesh e teprojnë me vargun e fundit ose e kapërcejnë në momentin që është duke rënë perdja. Tregon mungesë shijeje. S’e gjen në drama të mira.

Gjëja e çuditshme është se kur njerëzit bashkohen në një komunitet me qëllimin, thjesht, e produksionit, ose për arsye gjeografike, fillojnë ta urrejnë dhe ta hedhin poshtë njëri-tjetrin. Sepse secili prej tyre e do vetëm veten e vet. Komuniteti është iluzion, si një rezultat i të cilit herët a vonë do të ngrihen mbi kontinent re kërpudhash të këqija vdekjeprurëse.

Një aglomerat njerëzish që synojnë një gjë – i ndiejnë stomakët e tyre – është e dënuar të sjellë shkatërrim, prishje, armiqësi.

‘Jo vetëm me bukë’.

Njeriu është gatuar prej tiparesh të kundërta. Historia e demonstron gjallërisht faktin se lëvizim gjithherë në drejtimin më të keq të mundshëm. Për më tepër njeriu nuk është i zoti ta drejtojë historinë, ose përndryshe ai e drejton atë, por vetëm duke e shtyrë teposhtë shtegut më të gabuar dhe të tmerrshëm.

S’ka asnjë shembull të vetëm që ta dëshmojë të kundërtën. Njerëzit nuk janë në gjendje t’i qeverisin të tjerët. Ata janë në gjendje vetëm të shkatërrojnë. Dhe materializmi – lakuriq dhe cinik – do ta kompletojë shkatërrimin.

Pavarësisht faktit se zoti jeton në çdo shpirt, se çdo shpirt e ka zotësinë të akumulojë atë që është e përjetshme dhe e mirë, ashtu siç një masë njerëzish s’mund të bëjë tjetër veçse të shkatërrojë. Se ata janë bëtë bashkë jo në emër të një ideali, por thjesht për hir të nocioni material.

Njerëzimi ka ngarendur ta mbrojë trupin (mbase i detyruar nga ai gjest i pavetëdijshëm dhe natyror që na ka shërbyer si fillim i asaj që e quajmë progres) dhe s’e ka vrarë mendjen për mbrojtjen e shpirtit.

Kisha (si e kundërt e religjionit) nuk ka qenë në gjendje ta bëjë këtë. Gjatë historisë së qytetërimit gjysma shpirtërore e njeriut është ndarë gjithnjë e më shumë nga kafshërorja, materialja, dhe tani në një zgjerim të pafundmë të errësirës ne thjesht vetëm mund të shquajmë, si dritat e një treni në largim, pjesën tjetër të qenies sonë teksa ngarend tutje, pakthyeshmërisht dhe përgjithmonë.

Shpirti dhe mishi, ndjenja dhe arsyeja nuk mund të bëhen më kurrë një. Është tepër vonë. Për momentin jemi të gjymtuar nga sëmundja e tmerrshme e mangësisë shpirtërore; dhe sëmundja është fatale. Njerëzimi ka bërë gjithçka të mundshme të asgjësojë vetveten, duke filluar me asgjësimin e vet moral – vdekja fizike është kryesisht rezultat i tij.

Sa të brishtë, të shkretë dhe të pakuptimtë janë njerëzit kur mendojnë rreth ‘bukës’ dhe vetëm rreth ‘bukës’ dhe nuk e kuptojnë se të menduarit në atë mënyrë mund të çojë vetëm në vdekje. Një e arritur e arsyes njerëzore është njohja e parimit dialektik. Sikur njeriu të ishte konsistent dhe jo vetëvrasës, atëherë do të mund të kuptonte shumë gjëra duke e lënë veten të udhëhiqet nga ky parim.

Çdonjëri mund të shpëtohet vetëm nëse secili e shpëton vetveten.

Ka ardhur koha e shkathtësive individuale. Banket në kohën e murtajës. Mund të shpëtosh çdonjërin vetëm duke e shpëtuar vetveten: në një kuptim spiritual, natyrisht. Përpjekjet e bashkërenduara janë të padobishme. Si njerëz na mungon instinkti i ruajtjes së species që e posedojnë milingonat dhe bletët. Nga ana tjetër, kemi shpirtra të pavdekshëm, mbi të cilët njerëzimi ka pështyrë me kënaqësi të egër. Instinktet nuk mund të na shpëtojnë; kjo mungesë do të jetë rrënimi ynë. Dhe ne nuk e japim një qindarkë për themelet tona morale dhe shpirtërore. Pra, ku është shpëtimi? Asnjë e mirë t’u drejtohemi liderëve tonë, kjo është e sigurt.

Tash vetëm ndonjë gjeni mund ta shpëtojë njerëzimin – jo ndonjë profet, jo! – ndonjë gjeni që do të formulonte një ideal të ri moral. Por ku është ai, Mesia? S’na ka mbetur asgjë tjetër veçse të mësojmë të vdesim me dinjitet. Cinizmi ende s’e ka shpëtuar askënd deri më sot; është llokma e frikacakut.

Historia njerëzore duket si disa eksperimente monstruoze me njerëz, të kryera nga një qenie mizore e paaftë të ndiejë mëshirë. Një lloj eksperimenti me kafshë. A do të shpjegohet ndonjëherë? Sigurisht fati njerëzor nuk mund të jetë thjesht një cikël i një procesi të pafundmë, një çështje që njerëzit nuk janë në gjendje ta kuptojnë? Mendimi është i tmerrshëm. Pas së gjithash, pavarësisht të gjithave, pavarësisht cinizmit dhe materializmit, njeriu beson te Pafundësia, te Pavdekësia. Nëse do t’i thuash se më s’do të lindë asnjë person në këtë botë, ai do t’ia fusë vetes një plumb në ballë.

Njeriut i është ngulitur në mendje se është i vdekshëm, por nëse përballet me diçka që e kërcënon t’ia heqë të drejtën e tij të Pavdekësisë, atëherë ai do të rezistojë sikur të ishte në rrezik të vritet.

Njeriu thjesht është korruptuar. Ose për më tepër, pak e nga pak njerëzit e kanë korruptuar njëri-tjetrin. Dhe me shekuj, deri në ditët e sotme, ata që kishin menduar për shpirtin janë – dhe ende po ndodh kështu – eliminuar fizikisht.

Një gjë që mund të na shpëtojë është një herezi e re që do të mund t’i përmbyste të gjitha institucionet ideologjike të botës sonë barbare të mjerë.

Madhështia e njeriut modern qëndron te protesta.

Faleminderit Zotit për njerëzit që djegin veten për së gjalli para turmës së pafjalë, të palëvizshme, ose që ecin nëpër sheshe me pllakate dhe slogane për të cilat pastaj do të përndiqen dhe gjithë atyre që u thonë ‘Jo’ ambiciozëve dhe të pafeve.

Të ngrihesh mbi oportunitetin e të jetuarit, të njohësh praktikisht vdekshmërinë e mishit tonë në emër të së ardhmes, në emër të Pavdekshmërisë…

Nëse njerëzimi është ende në gjendje të bëjë këtë, atëherë ende ka shpresë. Ende kemi një shans.

Njerëzimi ka vuajtur tepër dhe ndjenja e vuajtjes e njeriut është atrofizuar. Kjo është e rrezikshme; ngase do të thotë se nuk është më e mundshme tash të shpëtohet njerëzimi nëpërmjet gjakut dhe vuajtjes. Zot, çfarë kohe të jesh gjallë!

10 shtator

Andriushka tashmë po buzëqesh, po qesh, po bën ‘gu’, më ndjek me sy, madje edhe e kthen kokën dhe po më njeh. Po mundohet të rrotullohet në bark. Askush nuk na beson kur u tregojmë për këtë. Dhe është zor të besohet, pas së gjithash ai ishte vetëm një muajsh më datën 7. Kur ngërdheshet duket si Dopey në Borën e bardhë të Disney-t.

11 shtator

Dje Zavattini i çoi Larisës trëndafila dhe një shënim ku shkruhej, ‘Jetë të gjatë Tarkowskit të ri, Zavattini/ (Valery Sirovsky na e përktheu dhe na përgëzoi ngrohtësisht). Duhet t’i shkruajmë dhe ta falënderojmë. Duket se Sasha Mishurin është zhdukur nga faqja e dheut. Më duhet të bëj diçka për të. Dje pati një ndejë për ta kremtuar doktoratën e Lenya Kozlov-it, në Shtëpinë e Arkitektëve. U ktheva prej atje me Frehlich-in. Mendoj se është njeri i mirë, por më zuri në befasi duke më sugjeruar krejt papritur se mund të bëja një film me skenarin e tij. Veç këtë kisha mangut! Oh bre, jaran! Në momentin që çdonjëri ma ofron skenarin e tij unë ia mbath tutje. Dhe për ndonjë arsye ai njeri përherë humb vlerësimin tim, megjithëse nuk ka bërë ndonjë gjë çnderuese. Por, sigurisht Frehlich, i cili ma merr mendja di diçka rreth meje, a duhet ta dijë se unë bëj filma vetëm nga skenarët e mi? Për çdo rast, nuk jam i sigurt se ai është i zoti ta shkruajë ndonjë skenar. Pastaj më tha se Otar Teynishvili kishte thënë se Rublyovi do të shkarkohej së shpejti. Po atëherë pse Otari s’ma ka thënë asgjë rreth kësaj? Diçka e çuditshme po zihet…

Andriushka mund ta ndjekë rrapëllimën me sy dhe ta kthejë kokën të shohë. Është përnjëmend shumë herët.

/Marrë nga Andrey Tarkowsky, Time Within Time, The Diaries 1970 – 1986, faber and faber, 1994

/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme