Fragment nga ditari i Cesare Pavese-s

21 Korrik, 2024 - 8:31 pm

l mestiere di vivere. Diario 1935-1950 është ditari i në të cilin Pavese mbante shënime, në formë fragmentare, mendimet dhe ndjesitë e tij. Këtë ditar filloi ta mbante (1935) teksa ishte i internuar nga regjimi fashist në Brancaleone dhe e vazhdoi deri në vdekjen e tij. Është botuar për herë të parë më 1952 nga Einaudi nën kujdesin e Massimo Mila-s, Italo Calvino-s dhe Natalia Ginzburg-ut

10 tetor 1935

Edhe po e zumë se e kam arritur teknikën e re që po e kërkoj për t’u sqaruar, prapëseprapë kuptohet vetvetiu se ende gjenden të shpërndara këndej e andej copëza të shkrira në larva të teknikave të tjera. Kjo më pengon të shoh qartë esencën e mënyrës sime (ta themi me kujdes kundër Baudelairet, në poezi nuk është gjthçka e parashikueshme dhe duke kompozuar nganjëherë zgjedhim forma jo për arsye të dukshme, por instinktivisht; dhe krijojmë, pa e ditur me qartësi të plotë se si). Se unë dua ta zëvendësoj zhvillimin objektiv të intrigës me ligjin e kalkuluar fantastik të imazhit, është e vërtetë, ngase këtë e mëtoj përnjëmend; por deri ku arrin ky kalkulim, ç’rëndësi ka një ligj fantastik dhe ku mbaron imazhi dhe fillon logjika, janë goxha probleme këto.

***

Sonte, përposh shkëmbinjve të trëndafiltë hënor, po vrisja mendjen si do të ishte për një poezi të madhe të tregojë zotin e mishëruar në këtë vend, me të gjitha aluzionet e imazheve që tipari i tillë do të lejonte. Menjëherë më zuri në befasi vetëdija se ky zot nuk ekziston, se unë e di, jam i bindur për këtë, prandaj të tjerët do të mund ta shkruanin këtë poezi, por jo unë. Nga këtu vrava mendjen se si duhet të jetë aluziv dhe all-pervading çdo argument i imi i ardhshëm, në të njëjtën mënyrë siç duhej të ishte aluziv dhe all-pervading besimi në zotin e mishëruar në shkëmbinjtë e trëndafiltë, po të ishte shërbyer ndonjë poet me të.

Pse nuk mund t’i trajtoj unë shkëmbinjtë e trëndafiltë hënor? Po ngase ato nuk reflektojnë asgjë timen, përveçse një trazire të lehtë peizazhistike, që s’do të duhej kurrë ta justifikonte një poezi. Sikur këta shkëmbinj të ishin në Piemonte, megjithatë do të dija fare mirë si t’i përthithja në një imazh dhe t’u jepja një kuptim. Çka do të thotë se fundamenti i parë i poezisë është vetëdija e errët e vlerës së raporteve, atyre biologjike mbase, që tashmë tashmë e jetojnë një jetë larvore imazhi në vetëdijen parapoetike.

Sigurisht duhet të jetë e mundshme, edhe për mua, të shkruhet poezi me lëndë jo piemonteze në sfond. Duhet të jetë, por deri më tash s’ka qenë pothuajse kurrë. Kjo do të thotë se ende s’kam dal nga rielaborimi i thjeshtë i imazhit të paraqitur materialisht nga lidhjet e mia të origjinës me ambientin: se, me fjalë të tjera, në punën time poetike ka një pikë të vdekur, falas, një nënkuptim material, pa të cilin s’bëj dot. Po pastaj a është përnjëmend një mbetje objektive, apo gjak i domosdoshëm?

11 tetor

Se të gjitha imazhet nuk janë tjetër veçse gdhendje mjeshtërore e imazhit fundamental: ashtu siç është vendi im ashtu jam edhe unë? Poeti do të ishte imazh i personifikuar, i pandashëm nga termi i krahasimit peizazhistik dhe shoqëror i Piemontes.

Esenca e fjalës së tij do të bënte të mendoj se ai dhe vendi i tij të parë në funksion reciprok janë të bukur. E gjitha? Ky është fatal di Quarto?

Apo mos më parë mes meje dhe Piemontes ka relacione, disa të vetëdijshme e disa të pavetëdijshme, që unë i tematizoj dhe dramatizoj si mundem në imazhe: në imazhe-tregim? A nisin këto relacione nga simpatia materiale e gjakut me klimën dhe erën dhe përfundojnë në rrymën më të mundimshme spirituale që më trazon mua dhe piemontezët e tjerë? A i shpreh unë gjërat spirituale me tregimin e gjërave materiale dhe anasjelltas? Kjo punë e vazhdueshme e zëvendësimi, aluzionit, imazhit, vlen si shenjë e esencës sonë aluzive dhe all-pervading?

Kundër dyshimit se i imi është një Piedmontese Revival del vullneti i mirë i besimit në një përhapje të mundshme të vlerave piemonteze? Justifikimi? Ky: letërsia ime nuk është dialektore -; nuk mëton të jetë bocistike – dhe e pagova me ekzistencë –; mundohet të udhqehet me lëngun më të mirë kombëtar dhe tradicional; mundohet t’i mbajë sytë hapur mbi të gjithë botën dhe ka qenë posaçërisht e ndjeshme ndaj përpjekjeve dhe rezultateve amerikano-veriore, ku një kohë m’u duk se po zbuloja një mundim analog të formimit. Apo mos fakti se tash nuk më intereson më fare kultura amerikane, do të thotë se e kam harxhuar këtë pikëpamje piemonteze? Besoj se po; të paktën pikëpamjen si e kam mbajtur deri më tash?

/Marrë nga Cesare Pavese, ‘Il mestiere di vivere’, Einaudi 2000 /Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme