Fragment nga ditari i Jean Cocteau: 26 gusht 1945

24 Shkurt, 2025 - 6:31 pm

Jean Cocteau (1889-1963), poet, prozator, eseist, dramaturg, skenarist, regjisor dhe aktor francez, ka mbajtur ditarin e realizimit të filmit të tij, La Belle et la Bête, duke filluar nga data 26 gusht 1945, një ditë para se të fillonte xhirimet, e deri më 1 qershor 1946, një ditë pasi që ishte dhënë filmi në kinema.

Kam ndarë mendjen të mbaj ditarin e La Belle et la Bête gjatë punës së realizimi të filmit. Pas një viti përgatitjesh dhe vështirësish, ka ardhur momenti tash të kapem pas ëndrrës. Përveç pengesave të shumta që dalin kur kthen një ëndërr në celuloid, problemi është të bësh një film brenda limiteve të imponuara nga një periudhë shtrëngesash. Por me gjasë këto limite mund të stimulojnë imagjinatën, e cila shpesh është letargjike kur vihen të gjitha mjetet në dispozicion e saj.

 Të gjithë e njohin historinë nga Madame Leprince de Beaumont, një tregim që shpesh i atribuohet Perrault-it, ngase është gjetur pranë “Peau d’Ane” mes atyre kapakëve të magjishëm të Bibliothèque Rose1.

Postulati i tregimit kërkon besim, besimin e fëmijërisë. Mendoj se duhet të besojmë në mënyrë implicite në fillimin e hershëm dhe të mos e vëmë në dyshim mundësinë që marrja e thjeshtë e një trëndafili mund të fusë një familje në aventurë, ose se një njeri mund të shndërrohet në kafshë dhe anasjelltas. Enigma e tillë i ofendon të rriturit që janë lehtësisht paragjykues, krenarë për dyshimet e tyre, të armatosur me përçmime. Por unë kam paturpësinë të besoj se kinemaja e cila figuron pamundësinë është e aftë të bindë, në njëfarë mënyre, dhe mund të jetë në gjendje të kthejë ndodhinë në “njëjës” në shumës.

Na përket neve (kështu, mua dhe njësisë sime – në të vërtetë, një entitet) të shmangim këto pamundësi që janë edhe më pështjelluese në mesin e të pagjasshmës se sa në mesin e realitetit. Ngase fantazia i ka ligjet e veta që janë si ato të perspektivës. Nuk mund të sjellësh atë që është larg teje në plan të parë, apo të bësh të paqartë atë që është afër. Pikat e puqjes janë të patëmeta dhe orkestrimi aq delikat sa notat false më të holla t’i ngrenë nervat. S’po flas për atë që kam arritur, por për atë që më duhet të bëj me ato mjete që i kam në dispozicion.

Metoda ime është e thjeshtë: të mos e kam cak poezinë. Kjo duhet të jetë e vetëkuptueshme. Vetëm përmendja e thjeshtë e emrit të saj të lemeris. Do të mundohem të bëj një tabelë. Do t jetë pastaj në dorën tuaj ta hani, ta shqyrtoni ose ta bëni copa për ta ndezur zjarrin.

E diel, 26 gusht 1945

Pas një viti me çfarëdo lloj përgatitjesh dhe vështirësish, nesër do të filloj të filmoj. Do të ishte budallallëk të qahem për të gjitha llojet e vështirësive të natyrshme në punë të tilla, mbasi mendoj se puna jonë na nxit të bëjmë qejf në ëndrra me syhapur, ta ëndërrojmë ëndrrën më të bukur. Për më tepër, do të na japë neve mundësinë të bëjmë ç’të duam me kohën njerëzore, çka është normalisht aq e mundimshme ta jetosh, minutë pas minute, në rregull. Të ndash kohën, ta kthesh mbrapa dhe ta përmbysësh është një triumf i vërtetë mbi të pashmangshmen.

Në rrëmujën e mbledhjeve rreth skenarit dhe kostumeve dhe kërkimit për pamjet e jashtme, më duhet të bëj vizita ditore te doktorët, të mos iu them asgjë për kujdesin ndaj meje. Ngase si rezultat i djegies nga dielli dhe pickimit të keq të mushkonjave, u ktheva nga pushimet e mia me dy karbunkulle në gjoks.

Këto ekzistenca dërrmuese në fund të fundit s’më lodhin aq. Filmi më ka poseduar, më ka mbajtur gjallë, më ka bërë të pandjeshëm, më ka nxjerrë nga një ankth i frikshëm të cilin ma shkakton dembelia dhe më ka bërë ta lë një dhomë ku valët e pashpirta më paralizonin dhe s’më lejonin të shkruaja.

Të shoh Christian Berard-in në punë është një pamje e jashtëzakonshme. Te Paquini, i rrethuar nga tipare tyli dhe struci, përlyer nga qymyri, mbuluar nga djersët dhe njollat, me mjekrën në flakë, me këmishën e zbërthyer, ai i jepte luksit një domethënie të thellë.

Mes duarve të tij të vogla të njollusura me bojë, kostumet reshtin së qeni tebdilime të rëndomta dhe marrin pamjen e rinisë arrogante të modës. Po mendoj, ai na bën të kuptojmë se kostumi nuk është thjesht kostum, por diçka që varet nga shumë rrethana që ndryshojnë shpejt dhe ju shtrëngojnë të ndryshoni me to. Burra dhe gra të veshura nga Berardi duken thua se jetojnë në një vend të përcaktuar, në një periudhë të përcaktuar, dhe jo sikurse të ishin duke shkuar në një ballo me maska.

Mrekullisht, ai ia ka dalë me sukses të shkrijë stilin e Vermerit me atë të ilustrimeve të Gustave Doré të tregimeve të Perrault-s në librin e madh kapakë të kuq dhe të artë.

Çfarë më bën përshtypje në këto shtëpi të mëdha të punimeve të veshjeve është dashuria, kujdesi dhe madhështia me të cilat punojnë gratë. Tri a katër beqare, të cilat kanë qëndisur kostume teatri për Gaby Deslys dhe Ida Rubinstein, kanë një gjenialitet të vërtetë që do të vdesë bashkë me to.

Këtë mëngjes, në oborrin e fermës në Rochecorbon (ku jam duke bërë xhirimet), pashë ato fustane të varura në diell në një kuti enorme krejt të hapur, krah për krah, si gratë e Mjekërkaltërtit. Asgjë s’u kishte mbetur atyre. Që të vinin në jetë, duhej të gjenin shpirtrat e tyre dhe shpirti i fustanit është trupi. Arritëm në Tours dje në orën pesë. Parisi ishte i mbuluar nga retë. Gradualisht gjatë rrugës qielli u hap dhe retë u bënë të valëzuara dhe të holla, duke formuar grupe të vockla si ato në pikturat që më frymëzojnë.

Loire rridhte përmes Tourainet të rrafshët përposh qiellit të zbardhur nga dielli. Rochecorbon — përsëri e gjeta çifligun e vogël të ngrehur nën nivelin e rrugës, të cilin e kisha gjetur me fat kur po kërkoja një vend ku të vendosesha. Agjencia e qiradhënieve na e kishte treguar tok me pesë të tjera. Hyrja nga rruga nuk dukej aq premtuese. Për pak sa nuk dolëm fare nga makina. Pastaj me një shikim të vetëm njoha, deri në detajet më të vogla, skenën e saktë që isha frikësuar se do të më duhej ta ndërtoja. Burri që jetonte aty dukej bash si tregtari i tregimit dhe biri i tij më tha: “Po të kishit ardhur dje do ta kishit dëgjuar zërin tuaj. I kisha vënë regjistrimet tuaja poetike që t’i dëgjonte im atë”. Më e forta, unazat e hekurta për t’i lidhur kuajt janë bërë sipas kallëpit të bishave përrallore. Aty janë dritaret e motrave shtriga, dyert, shkallët, lajtorja, pemishtja, stalla, kolibja, kovat e ujit, domatet duke u tharë në pragjet e dritareve, perimet, drutë e zjarrit, çezma, koteci, shkallët. Pothuajse të gjitha janë këtu. Interieri është i mirë po sa eksteriori dhe kjo saktësi e fshehur shkëlqen përmes mureve. E gjitha që na duhet të bëjmë është të lëvizim me diellin, kështu, të lëvizim shumë herë skenën që të mund të kapim dritën e tij. Kjo ishte puna jonë e kësaj dite, në mesin e kameramanëve asistentë, elektricistëve, ndërtuesve të skenës, duke i çmbështjellë kabllot e tyre dhe duke i ngrehur punëtoritë e tyre, disa prej tyre jashtë e disa të tjerë në bina. Në orën tetë të mëngjesit më duhet të përgatis skenën për çarçafët e tharë. Duhet ta xhiroj këtë skenë të parën, ngase drejtimi i i dritës është i duhuri për të dhe ende jemi duke pritur disa pajisje të tjera.

/Marrë nga Jean Cocteau, ‘Diary of a Film’, Film Desk Books, 2022 /Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme