9 Prill, 2023 - 10:11 am
Në rrethana normale, emrin që mban një njeri s’është asgjë më shumë nga ç’është unaza e letrës për një puro: një shenjë dalluese, një send i jashtëm gati rëndomtë, që ka vetëm një lidhje fare të flashkët me subjektin e vërtetë, me unin e mirëfilltë. Por, në rast suksesi, ky emër fryhet jashtë mase.
Ai shkëputet nga njeriu që e mban dhe bëhet pushtet, forcë, send më vete, mall tregtie, kapital, dhe së brendshmi, si pasojë e një reaksioni të fuqishëm, bëhet gjithashtu një forcë që nis ta ndikojë, ta sundojë e ta shndërrojë njeriun që e mban atë emër.
Disa njerëz, të cilët nga natyra janë të lumtur e të vetëdijshëm për vlerat që kanë, barazojnë veten padashur me ndikimin që ushtrojnë. Një titull, një post, një dekoratë, pa le pastaj popullariteti i emrit të tyre, bëjnë t’u lindë një siguri më e madhe, një besim më i madh në vetvete dhe mund t’u krijojnë bindjen se meritojnë të kenë rëndësi të veçantë për shoqërinë, për shtetin e për epokën e tyre, e kështu pastaj fryhen padashur, me qëllim që, nëpërmjet pozash, të rrisin shkallën e ndikimit të vet në publik.
Por ai që është i prirur nga natyra të mos ketë besim në vetvete, e ndien çdolloj suksesi si një zotim për të mbetur sa më i pandryshuar, dhe sidomos në rrethana të vështira.”/redaktori.net/KultPlus.com
(Përkthyer nga Aristidh Ristani)