31 Mars, 2022 - 8:00 pm
Fragment nga libri “Djajtë”, Fyodor Dostoevsky
“- Po përpiqem të gjej arsyen, përse njerëzit nuk kanë guxim të vrasin veten. Kjo është.
– Si kështu, nuk kanë guxim! Po pse pak vetëvrasje bëhen?
– Shumë pak.
– Këtë mendim keni?
Nuk mu përgjigj. Qëndroi i menduar dhe pastaj ecejaku nëpër dhomë.
– Po ç’i përmbaka njerëzit të vrasin veten, sipas jush? – e pyeta.
Më pa i hutuar, si të donte të sillte ndër mend se për çfarë po flasim.
– Po ja, dy paragjykime i përmbajnë: një i vogël dhe një shumë i madh.
– Cili është i vogli?
– Dhembja!
– Dhembja? Pse kaq e pamposhtme qenka dhembja në një rast të tillë?
– Dhembja është e para. I gjejmë të shfaqur dy llojëshe: janë ata që e vrasin veten o nga pikëllimi i pangushllueshëm, o nga ligësia, o nga çakërdisja, o nga ku di unë se çfarë. Këta pak mendojnë për dhembjen! Janë dhe ata që e bëjnë me mendje të ftohtë, këta mendojnë shumë.
– Pse ka që e bëjnë me mendje të ftohtë?
– Ka shumë. Po të mos ekzistonin paragjykimet, do të kishte më shumë: do të qenë të gjithë.
– A thua të gjithë?
Ai heshti.
– Po pse a nuk njihen mënyra të vdesësh pa ndier dhembje?
– Përfytyroni, – më tha dhe qëndroi para meje – përfytyroni një gur të kësaj madhësia, sa një shtëpi, ai varet poshtë. Ju jeni nën të: në rëntë, a do ndienit dhembje?
– Nga një gur sa një shtëpi? E tmerrshme!
– S’e kam fjalën te tmerri, dhembje a do ndienit?
– I përmasave të tilla? Kuptohet, asnjë dhembje s’do ndjehej.
– Sikur ju vetë të gjendeshit nën të, me siguri, që s’do mbeteshit pa e përfytyruar ç’dhimbje të padurueshme do të ndienit në atë rast. Edhe shkencëtar po të ishit, edhe mjek po të ishit, frikë do kishit.
– Po arsyeja e dytë, ajo e madhja?
– Bota e matanvarrit.
– Domethënë, ndëshkimi?
– Bota e matanvarrit, si e tillë.
– Po pse nuk ka ateistë të regjur që s’besojnë në botën e matanvarrit?
Përsëri heshti.
– Ndoshta niseni nga vetja që flisni kështu?
– Jo gjithkush mund të gjykojë nisur nga vetja. – mërmëriti dhe u skuq e u bë flakë. – Liria ka për të qenë e kulluar, kur të jemi shpërfillës ndaj asaj: të rrojmë apo të mos rrojmë. Drejt kësaj duhet synuar.
– Duhet synuar? – Po atëherë askush nuk ka për të dashur të jetojë?
– Po, askush. – Tha me zë të fortë.
– Njeriu ka frikë nga vdekja, sepse e do jetën, ky është mendimi im. – i thashë. – Është ligj i natyrës.
– Poshtërësi është, gënjeshtër është! – sytë i shkrepëtinë dhe i nxorën xixa. – Jeta është dhimbje, jeta është tmerr, njeriu është fatkeq. Njeriu tani jetën e do, sepse e do dhimbjen dhe tmerrin. Këtu dhe fshihet mashtrimi. Njeriu i tanishëm nuk është njeriu që duhet të jetë. Do ketë të rinjë: të lumtur dhe krenarë. Për ta do jetë njëlloj: të rrojn apo të mos rrojnë: ky do të jetë një njeri i ri. Kush del fitimtar mbi dhembjen dhe frikën, ai do të jetë vet perëndi. Kurse të tjerët, s’kanë për të qënë.
– Pra perëndia qenka, sipas jush?
– Ai mungon, por për të qenë është. Nën shkëmb s’ka dhimbje, por në frikë nga shkëmbi ka dhimbje. Perëndia është dhimbje, frikë nga vdekja. Kush do ta mposht dhimbjen dhe vdekjen, ai do të bëhet perëndi. Do të jetë një jetë e re ajo, do të jetë njeri i ri, çdo gjë do të jetë e re … Atëherë historinë do ta ndajnë në dy gjysma: nga gorilla deri në zhdukjen e perëndisë dhe nga zhdukja e perëndisë…
– Deri të gorilla?
– Deri te këmbimi i tokë dhe i njeriut fizikisht. Njeriu do bëhet perëndi dhe do ndryshojë fizikisht. Edhe bota do ndryshojë, edhe mendimet për të gjitha ndjenjat. Ju si mendoni: a ka për të ndryshuar njeriu fizikisht?
– Në qoftë se do të jetë shpërfillës ndaj të jetuarit apo mos të jetuarit, atëherë të gjithë do ta vrasin veten: kështu dhe ka për t’u shfaqur ndryshimi.
– Sidoqoftë, gënjeshtrën do ta vrasin. Kush e do lirinë, si gjënë më kryesore, ai duhet të guxojë ta vrasë veten. Kush guxon ta vrasë veten, ai është perëndi. Është në dorën e secilit që të mos ketë dhe asgjë të mos ketë. Por askush këtë s’e ka bërë.
– Vetvrasës ka me miliona.
– Veç e kanë bërë me frikë, jo si duhet. E kanë bërë jo për ta vrarë frikën. Kush e vret veten për ta vrarë frikën, ai menjëherë bëhet perëndi.”/filozofia.al
– Fyodor Dostoyevsky, “Djajtë”