16 Tetor, 2024 - 10:30 pm
PRINCI I VOGËL
Prozë nga ANTOINE DE SAINT EXUPÉRY (1900-1944), përktheu PETRO ZHEJI
I
Kur isha gjashtë vjeç, pashë njëherë në një libër mbi Pyllin e Virgjër me titull: “Ngjarje të rrojtura” një figurë të jashtëzakonshme: një boa duke gëlltitur një bishë të egër. Ja një kopje e këtij vizatimi.
Në libër thuhej: “Boat e kullufitin prenë e tyre të gjithë njëherësh, pa e përtypur e mbllaçitur. Por pas kësaj nuk lëvizin dot dhe gjatë tërë gjashtë muajve sa vazhdon tretja flenë gjumë.”
Asokohe, mbaj mend, e vrisja goxha mendjen mbi ato sa ndodhnin e nuk ndodhnin në xhungël dhe bëra me një laps me ngjyrë vizatimin tim të parë. Vizatimin tim numër 1, që ishte ky:
Ua tregova kryeveprën time të mëdhenjve dhe i pyeta në kishin ndonjë çikë frikë kur e shikonin.
Po ata m’u përgjigjën: “E nga se duhet të kemi frikë, nga një kapelë?”
Po në atë vizatim nuk paraqitej aspak një kapelë, por një boa që kishte shkuar në bark një elefant dhe po e treste. Atëherë, që të mëdhenjtë të kuptonin për se qe fjala, thashë të vizatoja edhe të përbrendshmet e boas. Se të mëdhenjtë duan gjithmonë t’ua shpjegosh gjërat, se ndryshe nuk kuptojnë. Vizatimi im numër 2 ishte ky:
Po të mëdhenjtë më këshilluan të hiqja dorë nga vizatimi i boave, qofshin këto shkrehur e shtrirë a qofshin këto ngrehur e kutullaç dhe të merresha përkundrazi me gjeografinë, me historinë, me aritmetikën dhe me gramatikën. Dhe ja kështu ndodhi që unë braktisa që në moshën gjashtë vjeç një karrierë kaq të shkëlqyer, siç ishte ajo e piktorit. Më qe thyer zemra edhe nga dështimi i vizatimit numër 1 dhe nga ai i vizatimit numër 2 e kisha humbur krejt besimin në veten time. Të mëdhenjtë nuk kuptojnë dot vetë dhe është një punë e lodhshme për fëmijët që të rrijnë e t’u shpjegojnë përherë e ngaherë këtë e atë e të gjitha.
M’u desh, pra, të zgjidhja ndonjë zanat tjetër dhe fillova të mësoja kështu të ngisja aeroplanin. Dhe fluturova me të nga pak kudo nëpër botë. Dhe gjeografia, ç’është e vërteta, m’u desh e jo pak… Mësova të dalloja, me një të parë, Kinën nga Arizona. Dhe kjo, kur s’di natën nga t’ia mbash nga shkaku i errësirës, është një gjë që të hyn shumë në punë.
Dhe kështu pata rast gjatë jetës sime pata të ndeshesha me plot njerëz solidë e hijerëndë. Dhe kam jetuar një kohë të gjatë mes të mëdhenjve, duke pasur mundësi t’i shoh e t’i njoh nga afër. Por kjo nuk më shtyu dot prapë ta ndërroja mendimin që kisha për ta, nuk m’u dukën, shkurt, më të mirë!
Kur takoja ndonjë që ishte, sipas mendimit tim, ca më i esëllt e i kthjellët, i tregoja vizatimin tim numër 1, të cilin vazhdoja ta ruajtur akoma. Dhe këtë e bëja vetëm si biçim eksperimenti, për të parë, me fjalë të tjera, në ky njeri ishte apo jo i zgjuar, apo në ishte edhe ai njëlloj si të tjerët. Por ai, pavarësisht kush qe, do të më përgjigjej: “Është një kapelë.” Po atëherë edhe unë s’i flisja më as për boa, as për pyje të virgjëra, e as për yje. I vija pas qejfit. Dhe i flisja kështu për brixh, për golf, e ia vërtisja bisedën rreth politikës e rreth kravatave. Dhe atij i vinte mirë që ishte njohur kështu me një njeri kaq, po kaq të arsyeshëm. / KultPlus.com