30 Prill, 2024 - 10:16 pm
KultPlus ua sjell sot një fragment nga libri i Ernesto Sabatos, ‘Tuneli’.
Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?
Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.
Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.
Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.
lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.
U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.
E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?
Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.
Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)
Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.
U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:
Pse u skuqët?
Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik
U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?
Dukej e frikësuar:
– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?
Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.
Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:
Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.
Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:
Zotëri, zotëri!
Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:
Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…
Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.
S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.
Pa menduar fare, e kapa për krahu.
Atëherë, ju kujtohet?
Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:
– Më kujtohet vazhdimisht .
Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com