Fragment nga romani ‘Diktatori në kryq’ i autores Mira Meksi

21 Tetor, 2023 - 11:45 pm

Mira Meksi

Diktatori në kryq (fragment)

“Diktatori në kryq” është vlerësuar me çmimin kombëtar të letërsisë për vitin 2019, “Romani më i mirë”.

Atë natë iu fanit një ëndërr e pazakontë. Ndërsa muzgu binte ngadalë dhe një gjysmë dielli si i prerë me thikë, po aq vezullues dhe i kuq sa nëpër kartolinat kineze me portretin e Mao Ce Dunit, varej pezull mbi det, një erë e fortë zuri të frynte nga lindja.
Në breg të detit, Ai qëndronte në këmbë veshur me një tunikë të bardhë prej liri tejet të gjatë dhe me një kapele partizani me yllin pesëcepësh mbi ballë. Ishte një ëndërr aq e gjallë dhe e vërtetë, sa burri ndjeu freskinë e ujit kur nisi të ecte brenda detit dhe kur era e fortë i ngriti ujërat si male përpjetë, ndjeu rrafshin prej rëre të funddetit. Gjithçka ndodhi më pas ishte si një episod shumë i njohur: Ai shtriu krahun mbi det dhe i Përjetshmi e sprapsi detin për tërë natën, i hapi ujërat, e thau detin mespërmes. Bijtë e shqipes hynë në mes të detit, në shtratin e krijuar, pas burrit të gjatë me tunikë të bardhë prej liri, ndërsa ujërat ngriheshin si murinë në të majtë e në të djathtë.
Me një stap në dorë ai eci përgjatë ëndrrës së asaj nate, në pafundësinë e kohërave. Në një çast të rrugëtimit të gjatë dhe të mundimshëm ktheu kokën pas dhe nuk pa frymë njeriu. U befasua. U trondit. Kish hapur detin që ta printe popullin e tij drejt së ardhmes së ndritur dhe askush nuk po i shkonte pas. Vuri dorën mbi ballë dhe në vend të kapele partizane me yllin e kuq pesëcepësh, dora i zuri trupin e ftohtë dhe të qullët të një kandili deti që i kish pushtuar kokën. U përmend i mbytur në djersë të akullta, por nuk i hapi sytë që të mos dilte prej ëndrrës. Në gatishmëri pranë tij, shoqja N. i fshiu djersët me një shami të butë dhe të vakët. Nuk e pati të vështirë të kridhej sërish thellësive të ëndrrës, si humbëtirave të kllapisë.
Kësaj here iu bë se ndodhej sërish në ujë. Porse nuk ishte det, ishte uji i një lumi të famshëm, të shenjtë me gjasë, dhe sërish dukej sikur ish nxjerrë nga një episod tejet i njohur, emri i të cilit nuk po i kujtohej. Mbante trupit po tunikën e bardhë prej liri dhe uji i mbulonte kërcinjtë e këmbëve të zbathura.
Iu desh të binte në gjunjë dhe të ulte kokën përpara një njeriu flokëdredhur që ndodhej përballë tij, a në imagjinatën e tij, dhe që mori me grushte ujë për t’ia hedhur atij mbi kokë. Ndjeu t’i rridhnin prej hullive dhe vrimave të trupit përrenj me baltë dhe llucë. Tërë ligësitë dhe fëlligështitë e mbartura për mijëra vjet u shkarkuan nga trupi i tij. U ndje i pastruar, i dëlirësuar, i panjollë, u ndje biri i Atit…
Atëherë dëgjoi fjalët që kish parandier: “Ky është biri im!” Ngriti kokën për të parë atë që duhej të ishte Pagëzori dhe shqoi fytyrën e ngërdheshur të Stalinit. Hapi sytë dhe e mohoi prerazi gjumin paskëtaj.
E interpretoi si një ëndërr paralajmëruese. Ëndrrën tjetër, atë afër zgjimit, të cilën e quajti “pagëzimi i Stalinit”, e mori si të ardhur nga e kaluara dhe pa asnjë vlerë fatndriçuese. Ishte biri ideologjik i Stalinit dhe gjithë bota e dinte. Biri që e mbrojti edhe kur gjithë bota e rrëzoi. Biri që e kish imituar në gjithçka si askush, madje edhe në ndërtimin e një sistemi që thuhej se bazohej mbi ligjësi, por që në realitet bazohej thjesht te një njeri i vetëm, Ai vetë, Biri që në emër të Atit kish krijuar dhe kish ushqyer kultin e individit të pavdekshëm dhe kish arritur gjer aty, sa të zbatonte në vendin e tij të vogël modelin ekonomik të Atit, çka përbënte, edhe vetë ishte tanimë i ndërgjegjshëm, një utopi absurde, mizore dhe qesharake në të njëjtën kohë. Aq sa gojët e liga të kampit komunist e quanin vendin e tij një “koloni sovjetike”. Por kish vepruar në emër të Atit dhe kjo besnikëri fetarie do të ishte me siguri edhe urata për shëlbimin e tij.
Gjithsesi, në ëndrrën e fundit shfaqej edhe një element që e lidhte me ëndrrën e parë: lumi i shenjtë dhe pagëzori i tij. Parandjeu fundin. U mundua t’i mbushte mendjen vetes se fundi ishte në rrjedhën e vet të natyrshme. Rreth dhjetë vjet të shkuara kish pësuar dy goditje të rënda dhe të njëpasnjëshme në zemër, të cilat e kishin ligur mjaft. Të paktën kështu i patën thënë, ndërkohë që ligështimi ishte i vërtetë. Sikur të mos mjaftonte kjo, tani jetonte me frikën e një psikoze me të cilën e kishin molepsur sikur të ishte vetë murtaja: tmerrin se në kraharor mbante një bombë me sahat, e cila mund të shpërthente nga çasti në çast. Diabeti tinëzar e gërryente përbrenda, ngadalë dhe pandalshëm, me këmbënguljen dhe mizorinë e një krimineli të sprovuar, apo me durimin e një mole të palodhur që kish vendosur t’i linte të paprekur vetëm zhguallin.
Përpara një viti, një goditje në tru ia pati marrë këmbët për tri javë, ia pati turbulluar gjykimin gjithaq dhe e pati bërë të çaprashiste fjalët. Gjurmët e asaj goditjeje i ndiente hera-herës kur qorrollisej papritmas vrimave të zeza të kujtesës, kur i duhej të bënte përpjekje mbinjerëzore duke trokitur dhe duke thyer gishtat mbi tryezë për të gjetur fjalën e duhur, një fjalë krejt mjerane e cila do ta shpëtonte nga barbaria e humbjekujtesës, kur ndihej si i papeshë brenda trupit dhe i dukej se kishte pothuajse një ekzistencë fantazme, tek shihte frikë dhe mosbesim në sytë e të tjerëve, kur ndiente se i fshihnin të vërteta, i sajonin realitete të rreme, krijonin një udhëheqje shteti mediokre mu nën hundën e tij, kur merrnin vendime në këmbë të tij me anë informacionesh të rreme, kur vazhdonin të jepnin “ dekorata” për armiq imagjinarë, kur i hidhnin dorën në qafë, ndërkohë që tinëzisht punonin kundër tij dhe Partisë së tij, kur shpiknin komplote dhe grupe armiqësore në emër të tij, ndërkohë që në të vërtetë ishin ata vetë që po i shfarosnin njerëzit e tij besnikë një e nga një, kinse me dorën e tij.
Sepse lufta e madhe për pushtet kish nisur, lufta për pasardhësin e tij. Kur zemra, mushkëritë, mëlçia dhe sidomos gjaku i dërgonin sinjale të pagabueshme të oksidimit të tyre përfundimtar. Kish ardhur koha.
Tani ndihej i qetë në kthjelltësinë e zgjimit. Në mugëtirën e dhomës sytë i shkuan tek objekti që fekste më shumë, një orë-kalendar që tregonte fundmarsin e vitit 1985. Nuk shpejtoi të ngrihej nga shtrati. Bëri një shenjë me dorë në drejtimin ku ndodhej ajo që përgjonte gjithçka, edhe frymën që merrte, dhe prania njerëzore në hapësirën e tij u fshi. Ndenji minuta të tëra duke vigjiluar trokitjet e çrregullta dhe të frikshme të zemrës në kraharor dhe ndërrimin e stinëve përtej mureve dhe dritareve.
Në vetminë e dhomës u vu të përsiatej për vdekjen dhe pasvdekjen e tij. Përpara se ta lëshonte mendjen në kujtesën e botës, që do t’i tregonte modelet e imazhit ku do të zgjidhte të projektohej pasvdekja e tij, u përpoq ta boshatiste kokën duke marrë frymë thellë disa herë.
Të mëdhenjtë e revolucionit komunist e patën njohur përpara tij. Kishin vdekur dhe ishin balsamosur. Lenini, më 1924, u shua kur ishte vetëm 54 vjeç. Mjekët e autopsisë kishin deklaruar se venat e kokës i ishin bërë kërce dhe i ishin mbushur me smërç sklerotik, çka i vinte shkakut të vdekjes emrin e arterosklerozës së rëndë gjenetike. Porse shumë vjet më vonë, një mjek hebre ogurzi kish arritur në përfundimin se ati i revolucionit bolshevik paskësh vdekur prej sifilizit të palavdishëm, i cili po ashtu i ngurtësonte venat dhe i bënte të thyeshme.
E kish parë mumien e tij në Mauzoleun e Sheshit të Kuq tek dominonte gjithçka me një pushtet absolut dhe qashtërsia e tmerrshme e përjetësisë së vdekjes ia kish sjellë zorrët në grykë.
Lenini i madh dukej i gjallë. Lëkura e tejdukshme linte të dalloheshin damarët dhe brenda tyre sikur lëvrinte jeta, aq sa për një çast Ai do të ishte betuar mbi teserën e Partisë së Punës, iu duk se i pikasi frymëmarrjen. Ish turbulluar aq shumë nga avujt e farmaqeve, solucioneve, medikamenteve, helmeve, pomadave, eliksireve dhe lëngjeve magjike të balsamosjes që çliroheshin nga poret e lëkurës së mumies, saqë për të fshehur dridhjen e duarve kish vënë shpejtas në buzë një cigare dhe kish nxjerrë çakmakun ta ndizte. Vetëtimthi i patën ndalur dorën. Babai i revolucionit të kuq ishte skajshëm i djegshëm. Do të kish mjaftuar një shkëndijëz për ta kthyer në një grusht hiri.
Kishin kaluar mbi gjashtëdhjetë vjet nga vdekja e Leninit dhe thuhej se mumia e tij jo vetëm që nuk prishej dhe degradohej, siç pati ndodhur me mumien e mjerueshme të Mao Ce Dunit, porse, përkundrazi, rinohej dhe lulëzonte. Shkrime dashakeqe të gazetarëve të Perëndimit kapitalist thoshin se, që nga koha e luftës së fundit botërore, nuk ishte mumia e Leninit ajo që prehej në Mauzoleun e Sheshit të Kuq dhe që vizitohej nga mijëra njerëz çdo ditë, porse një rremësi prej dylli a prej plastike. Ndërkohë që bota e tërë fliste për misterin e “balsamit magjik” që e ruante Leninin nga prishja.
Këto mendime i nxitën të tjera kujtime shumë të largëta. Iu ndërmend një ngjarje sa e mistershme aq edhe e çuditshme që pati ndodhur në kryeqytet aty nga vitet ’52 apo ’53. Vrasja e Sarina Solomonit dhe e nënës së saj në një vilë të vetmuar në Rrugën e Elbasanit.
Tre muaj përpara vrasjes Sarina ishte kthyer dy herë në Tiranë nga Moska, ku kishte rreth tre vjet që studionte për biokimi. Në relacionin top sekret që Drejtoria e Sigurimit të Shtetit i paraqiti pas ngjarjes, kish lexuar se studentja e shkëlqyer shqiptare dhe një nga vajzat më të bukura të kryeqytetit ishte fejuar përpara një viti me Lev Zbarsky-n, një student moskovit, i biri i biokimistit të famshëm Boris Zbarsky, akademiku dhe profesori i saj, shkencëtari hebre që kish balsamosur trupin e Leninit më 1924.
Familja Solomon ishte shpërngulur nga Vlora në Tiranë që në vitin 1945, kur i ati i Sarinës, Aron Solomoni, me origjinë hebraike, ishte emëruar në Bankën e Shtetit Shqiptar. Ai kish vdekur përpara dy vjetësh nga një atak në zemër. Sarina frekuentonte rrethet intelektuale të kryeqytetit dhe shpesh kalonte mbrëmjet në Hotel Vollga në Durrës, në tryeza ku bisedohej gjer në orët e vona të natës, ku mblidheshin, përveç shqiptarëve të zgjedhur, edhe të huaj, sidomos punonjës të legatës sovjetike, por edhe të legatave të tjera në Shqipëri, dhe ku e kishin dëgjuar të fliste për një “qytet të nëndheshëm” i cili ndodhej poshtë Mauzoleut të Leninit në Moskë.
Së bashku me Levin, vajza kish pasur privilegjin e jashtëzakonshëm ta vizitonte qytetin e nëndheshëm, i tëri i krijuar për mirëmbajtjen e Mauzoleut dhe mbi të gjitha, për mirëmbajtjen dhe tualetin e përhershëm të mumies së shquar, ku gjendej një nga laboratorët më të veçantë dhe më të sofistikuar të planetit. Sarina linte të nënkuptohej se e kish parë laboratorin dhe si biokimiste, nëpërdhëmbte se e njihte madje edhe “balsamin magjik” me të cilin “ushqenin” dhe ruanin nga prishja mumien e Leninit, formula e të cilit përbënte sekret shtetëror.
Hamendësimet e relacionit tregonin se Sarina Solomoni duhet të kish lënë Moskën menjëherë pas arrestimit të vjehrrit të saj, profesor Zbarsky-t, në kohën e “komplotit të bluzave të bardha”. Sipas fjalëve të saj, të vërtetuara nga dëshmitarë të ndryshëm, vajza priste të rikthehej së shpejti në Moskë. Asnjë shpjegim tjetër. Nga hetimi i bërë rezultonte se nënë e bijë ishin mbytur pasi kishin konsumuar verë me një barbiturik të fuqishëm. Viktimat duhet ta njihnin vrasësin profesionist i cili nuk u identifikua kurrë dhe që, me shumë gjasa, kish darkuar me viktimat atë natë.
Rrugëtoi në kujtesë. Stalini mbylli sytë më 1953, në moshën 75-vjeçare. U balsamos dhe u vendos pranë Leninit po në Mauzoleun e Sheshit të Kuq. Mumia e tij qëndroi në botën e të gjallëve vetëm tetë vjet. Paskëtaj e kallën në dhé në varrezën e të shquarve pranë murit të Kremlinit.
Mekanizmi i kujtesës, nga një përndritje e pazakontë e trurit të tij, zuri të punonte jo vetëm shpejtas, por edhe në disa drejtime njëheri. I erdhi ndër mend se diku i pati rënë në vesh se arti i balsamimit fshihte një mizori të parrëfyer në madhështinë e tij: procesi duhej filluar që kur njeriu ishte me frymë, përpara se vdekja të ngurtësonte muskujt, të ngrinte gjakun dhe të shpallte mbretërimin e saj. Stalinin e patën lënë gjallëvdekur për njëmbëdhjetë orë rresht pa asnjë ndihmë mjekësore pas goditjes fatale në tru. “Të jenë marrë, vallë, tëra atë kohë me fillimin e balsamimit të tij që do të vazhdonte për muaj me radhë?” – pyeti veten. “Me siguri”, – iu përgjigj vetja. – “Lavrentij Pavloviç Berjia, shefi i shërbimit të fshehtë sovjetik, e donte Stalinin të vdekur dhe të balsamosur që në gjallje të tij”.
Përfytyroi se si injektonin në trupin e pambrojtur të njeriut më të fuqishëm të botës, atij që i kish dhënë dërmën nazizmit, balsamet e mumifikimit . U rrëqeth. “Jo, – tha prerë, – në djall balsamimi”.
Vendosi ta çonte mendjen gjetkë, në një tjetër pasvdekje, por ajo nuk iu bind dhe vijoi me ngulm t’u vente pas mumieve të lashta dhe atyre moderne. Mori sërish frymë thellë. Iu bë se dëgjoi refrenin e një kënge të vjetër partizane që nisi të përsëritej pandalshëm në trurin e tij: Mblidhuni këtu, këtu… Bashkë me neeee. “Të gjitha mumiet në piramidë mblidhuni!” – pëshpëriti pa i luajtur pothuajse buzët. Sepse piramida ishte habitati i tyre i vërtetë. “Në cilën piramidë do të mblidheshin mumiet?” – pyeti sërish veten.
Për një piramidë të vetën i qau zemra ato çaste. Një piramidë që nuk do të ishte varr për të, larg qoftë, ku ai do të shkëlqente me mungesën e tij. Një piramidë që do të mbante kujtimet e tij për t’ia shpalosur njerëzimit, në jetë të jetëve. “Aty do t’i keni të gjitha, pa fshehje, pa ambalazhime, puro. Aty dhe në titujt e librave të mi do të gjeni kumtet e mia”, – iu drejtua me mendje të gjithëve. “Veç të keni tru për t’i lexuar dhe deshifruar”, – tha jo pa ironi.
I pa me sytë e mendjes piramidat e vërteta në shkretëtirat e largëta të faraonëve të lashtë, të ndërtuara në formën e rrezeve të perëndisë-diell Re. Këto shkërbimet moderne lilipute, mauzoletë dhe gjithfarë varresh me turlilloj emrash iu dukën qesharake, por edhe të rrezikshme. Qesharake, sepse rrekeshin të barabiteshin për nga madhështia me piramidat e vërteta, njëlloj sikur të mateshin me hijen e mëngjesit. Të rrezikshme, sepse mumiet që aty e drejtonin ende historinë. Piramidat e lashta ishin pragu i jetës së përtejme për të mëdhenjtë e botës antike, faraonët. Balsamosja mëtonte të ruante tërësinë e tyre të bashkuar, mbështjellën prej mishi, shpirtin, AKH-në, që ishte personaliteti i të vdekurit, dhe hijen. Që jeta të vazhdonte përtej vdekjes.
Po çfarë mëtonin mumiet moderne? Së pari, ta mbanin të vdekurin e lavdishëm “në jetë”, të pranishëm, përpara syve të njerëzve. Vdekja, harresa, është më pak e tillë për një trup të paprishur, të fiksuar në një “jetë” të ngurtësuar. Lavdimadhi-mumie vazhdon të “gjallojë” kësisoj në shtratin e historisë, mund të prodhojë histori, mund ta manipulojë dhe ta drejtojë atë. Është pushtet në duart e pushtetarëve të gjallë. “Spektakël i neveritshëm”, – ofshau me zë.
Ende nuk ia kishin sjellë kafenë me qumësht të mëngjesit dhe për çudi, ai nuk e ndjeu nevojën për racionin e përditshëm të kafeinës. Dëshiroi muzikë. “Muzikë përpara së gjithash”, – këndonte Verlaine-i, poeti i mallkuar i shpirtit të tij. U ngrit ngathtazi dhe nxori një nga disqet e parapëlqyera, La vie en rose, të cilin ia kish dhuruar një nga miqtë e ngushtë të Paul Vaillant Couturier-it që në vitin 1947.
U zhyt në zërin e gjerë, të thellë, të thekshëm, vibrues dhe të patëdytë të Edith Piaf-it. Porsa e shoh, zemra më buçet në kraharor, thoshin fjalët e këngës. E përsëriti me vete disa herë atë varg dhe melankolia romantike e Piaf-it i ra në kokë.
Iu kujtua vajza, infermierja e tij e pasdrekes, e cila kishte tri ditë që mungonte, ngase kish shkuar, siç i thanë, në familjen e saj në Skrapar. E ndjeu veten të malluar për të. Që në çastin kur shoku S. ia kish paraqitur, rreth shtatëmbëdhjetë muaj më parë, kish ndier zemrën t’i rrihte fort: vajza tetëmbëdhjetëvjeçare që kish mbaruar shkollën e infermierisë në Vlorë, shtatbilonjë, me flokë ngjyrëgruri të thurur në një gërshet të vetëm të trashë që i zbriste gjer në belin e hollë, kishte sytë e Tippi Hedren-it, aktores së famshme të filmit akoma më të famshëm, Zogjtë të Hitchcock-ut.
Pati ndodhur që rreth njëzet e ca vjet më parë, kur filmi i “mjeshtrit të suspensit” po bënte bujë të madhe në të gjithë botën, ia kishin sjellë ta shihte të dubluar në frëngjisht në sallën e kinemasë së tij private. Ishte magjepsur nga Tippi Hedren-i. Sytë e saj e kishin robëruar në çast. Ishte e pabesueshme që pas më shumë se njëzet vjetësh kish gjetur tek infermierja e tij, një skrapariote me emrin Lumturi, sytë robërues të Tippi Hedren-it.
Kish rënë në dashuri me të. Se ç’mund të ishte tjetër ajo buçimë në kraharor, ajo prerje fryme, sa herë që Lumka, kështu i thërriste Ai, shfaqej pranë tij dhe e prekte me duart e saj të buta e të bardha si lule zambaku?
Ishte e vetmja dritë në zymtinë e botës ku jetonte. Një ditë, pasi e kish marrë disi veten nga goditja në tru, kish bërë humor me shokun S., i cili dukej shumë i shqetësuar për shëndetin e tij të ligur si mos më keq. “Ka qenë vithisje nga dashuria”, – i pati thënë ai duke qeshur njeriut-hije.
U kthye me mendje sërish te vdekja e tij e afërt, sidomos te ringjallja. Vdekja i la në gojë amzën e hidhur të rrugëtimit vetmitar e të pambrojtur të trupit. Përjetësisht dhe për në askund… Por edhe frikën e takimit, në atë rrugëtim të mbramë, me viktimat e tij.
“Sa shumë viktima o ané!” – ofshante shpesh vetë me vete. Atyre të panjohurave nuk u druhej fort, ato ishin të domosdoshme, të lejuara, të nevojshme, “ja unë ja ato”, ato le të çirreshin të përgjakura në kore hijesh dhe stërhijesh, aq i bënte. “Pothuaj nuk ekzistojnë, – i thoshte shpesh vetes, – duheshin vrarë, duheshin zhdukur, sidomos intelektualët, ata të shkolluarit në Perëndimin e molepsur nga e liga. Përndryshe nuk mund të ndërtohej rendi i ri, njeriu i ri. Siç porosisnin klasikët e marksizmit”. Porse ato të shquarat, të njohurat, shumë të njohurat, ato që shpesh me vete i quante “të afërtat”, ato e shqetësonin.
Pamje të përgjakura i dolën si me komandë para syve të mendjes, peizazhe të përbaltura me batare armësh dhe toga të zeza ekzekutimi që merrnin në shenjë fytyra të shformuara të cilat, edhe pse dikush, zemërdhembshur ndaj tij, ish kujdesur që t’ua zhbënte tiparet e fytyrës, shfaqeshin qashtërsisht të njohura: fytyrat e shokëve të tij armiq. Sa shumë fytyra shokësh! Njëra prej tyre i përsëritej në dhjetëra forma, me një dritësim në sy që i kallte datën: ishte pashmangshmërisht Sabiha Kasimati, shoqja e tij e liceut francez, vrasjen e së cilës me foshnjën në bark e pati shkruar me dorën e tij në listën e vdekjes së 22 intelektualëve në vitin 1951, të dënuar dhe të ekzekutuar pa gjyq.
Iu ndërmend se diku kish lexuar për lajtmotivin e mistikës së një sekti mijëravjeçar që sfidonte edhe vetë Krishtin dhe krishterimin me filozofinë e vet parake. “Më mirë të marrësh se të japësh: të marrësh vdekje se të japësh vdekje”. I pati bërë shumë përshtypje dhe e kish nxitur të përsiatej gjatë.
Ato çaste nuk deshi të kridhej sërish në vramendjet e mundimshme që e linin për ditë me radhë në një limb dyshimi të padurueshëm, ku ndërgjegjja i kthehej në një togë të zezë ekzekutimi më kërcënonjëse se vegimet e tij të lemerishme, e cila merrte pafundësisht në shenjë lulen e ballit të tij. Në këtë jetë kish dhënë vdekje, sa kish mundur më shumë.
“Në rikthim shumëçka duhet të ndryshojë”, – premtoi vetë me vete.
U krodh me shpejtësi në ringjalljen e tij të fshehtë dhe të sigurt, si në një intimitet të ngrohtë dhe të dashur, por edhe të mistershëm njëkohësisht. Ringjallja dhe ai në vetminë e shtratit. Përjetimi i atij bashkimi i dha një marramendje të lehtë dhe të ëmbël, njëlloj si atëherë në pragun e pubertetit, kur filloi të njihte gjeografinë e trupit të tij po në vetminë e shtratit dhe gjeti burimin e kënaqësive fizike.
Vendosi të shkonte menjëherë ta shihte dhe ta prekte objektin e shenjtë që do ta sillte nga vdekja, njëlloj siç pati bërë me qindra herë, që kur Ashkla e Shenjtë kish hyrë në jetën dhe në vdekjen e tij: ashkla nga Druri i Kryqit ku ishte kryqëzuar Krishti përpara dy mijë vjetësh në Golgota, e cila pati qëndruar në Kishën e Shën Mërisë në Labovë për gati një mijë e pesëqind vjet. Porse hoqi dorë në çast kur, i drobitur siç ishte, imagjinoi mundin për të hyrë në bunkerin labirintik të shtëpisë së tij, për të kaluar brezat e rojave dhe për të hapur kasafortën e sofistikuar ku gjendej Ashkla e Shenjtë.
Atëherë, me duart e mendjes, e nxori zemrën e Kryqit, kutinë e metaltë të gdhendur me filigrana skenash biblike që mbante Drurin e Shenjtë, e vendosi në pëllëmbën e dorës dhe sërish ndjeu pushtetin e pafundmë jetëdhënës të gjakut zanafillor me të cilin ajo ishte mbrujtur: gjakun e Jezuit të Nazaretit të kryqëzuar me tri gozhdë mbi kryq në Golgota, dy mijë vjet kaluar. U ndje i sigurt. U ndje i përtërirë dhe me gjak të ri në vena. / KultPlus.com

Të ngjajshme