Fragment nga romani “Shakaja” i Milan Kunderës

1 Prill, 2020 - 1:00 pm

Atë ditë kur Luçia më gjeti në vendin e caktuar, me libër në dorë, më pyeti se çfarë po lexoja. I zgjata librin e hapur. Poezi?-!tha ajo e habitur. -Të duket e çuditshme që unë lexoj poezi? Duke ngritur supet, u përgjigj: ”Pse?” Por besoj se ajo u befasua me të vërtetë, pasi, me siguri, për të poezia përzihej me leximet fëmijërore. Ne endeshim aty në atë verë të rrallë ostraviane të mbushur me blozë, një verë e zezë ku, në vend të reve të qumështa, rendnin vagonët e qymyrit radhë-radhë mbi shina. Mbaja librin në duar dhe e shihja se ai po e tërhiqte shumë. Kësisoj, kur u ulëm pranë një korijeje të brishtë, e hapa përsëri duke iu drejtuar: ”Të pëlqen pra?” Ajo bëri po me kokë. S’kisha lexuar ndonjëherë vargje për dikë tjetër. Tek unë funksionon një siguresë turpi, që nuk më lejon të zhvishem para njerëzve e t’u zbuloj ndjenjat, mirëpo, të lexoja vargje, për mua, jo vetëm do të thoshte të flisja për ndjenjat e mia, por do të më duhej të ruaja ekuilibrin duke ndenjur mbi një këmbë; do të ndihesha i ngrirë po të isha i detyruar t’i jepesha ritmit dhe rimës duke mos qenë vetëm. Por Luçia kishte fuqinë magjike (që askush tjetër pas saj s’e ka pasur) që e nxirrte jashtë loje siguresén e m’i hiqte si me dorë mëdyshjet. Para saj mund t’i lejoja çdo gjé vetes: çiltërsi, ndjenja, patetizém. E kësisoj lexova: Kalli i zbehtë trupi yt lëshon një farë që nuk mbin. Si kalli gruri është trupi yt. Shtëllungë mëndafshi trupi yt, dëshirë e shkruar deri në rrudhën e fundit. Si shtëllungë mëndafshi është trupi yt. Qiell i përvëluar trupi yt, në teshat e tua vdekja ruan e ëndërron. Si qiell I përvëluar është trupi yt. Heshtje e papërsëritshme është trupi yt, nga vajet e tij dridhen qepallat e mia, Sa I heshtur është trupi yt! I kisha hedhur një krah mbi supe (të veshur me cohën e hollë të një fustani me lule) që i ndieja nën gishtat e mi. Po më mposhte ideja se vargjet që lexoja (si një lutje e ngadaltë) flisnin për trishtimin e trupit të Luçisé, trup memec, i nënshtruar, i dënuar me vdekje. Pastaj lexova poezi të tjera, edhe një tjetër që, ende sot, ma sjell atë ndër mend e që përfundon me këtë trofë: O marri e fjalëve gënjeshtare! Unë i besoj heshtjes, më e fortë se bukuria, më e fortë se gjithçka, O hare e atyre qé kuptohen në heshtje! Befas, nén gishta ndjeva se supet e Luçisë po lëviznin me dridhje të shkurtra. Luçia po dëneste. Përse iu derdhën ata lot? Nga kuptimi i vargjeve? Mos vallë nga melankolia e thellë që rridhte nga fjalët, nga timbri i zërit tim? Apo ndoshta, hermetizmi i rëndë i poemave e kishte magjepsur dhe kjo magjepsje e kishte prekur deri në lot ? Ose, më thjesht, vargjet i kishin hapur një derë të fshehtë dhe e kishin liruar nga një peshë e mbledhur prej kohësh? Nuk e di. Si njé foshnje, Luçia ishte varur në qafën time ,kishte ngjeshur kokën pas uniformës jeshile që më shtrëngonte kraharorin dhe qante, qante, qante… /KultPlus.com

Të ngjajshme