Fragment nga romani ‘Siddhartha’ i autorit Herman Hesse

9 Gusht, 2023 - 6:23 pm

Herman Hese është një nga romancierët më në zë të shekullit 20. Fitues i çmimit “Nobel” për letërsi dhe autor i një sërë romanësh filozofik, mes së cilëve edhe “Siddhartha” të cilin po e rekomandojmë sonte.

“Siddhartha” është roman i botuar në vitin 1922, i cili rrëfen udhëtimin drejt njohjes së vetvetes të personazhit kryesor Siddhartës në periudhën kur jetonte Gautama Buddha. Shumica e romaneve të Heses kanë pikërisht fokusin këtu, tek njohja e vetvetes. Ndaj, Hese konsiderohet si shkrimtar-filozof që përkushtohet gjatë gjithë krijimtarisë së tij në këtë aspekt.

Si njohës i mirë i budizmit, Hese zgjedh emrin Siddharta që do të thotë arritje e gjetjes së kuptimit të ekzistencës. Siddha – arritje dhe Artha – kërkim.

Për ta shkruar këtë roman Heses iu deshën më shumë se dy vjet, kurse me të dalur në treg libri, ngjalli interesim dhe kureshtje të madhe, por gjithashtu pati edhe kritika ndaj tij. Siddharta ky djalosh, është shpirt i trazuar që dëshiron të nis rrugën drejt të vërtetës, ai don të jetë një “Samana”, pra mendimtar – i riu nuk mjaftohet me mësimin e artit të savanasë, ai shkon përtej kësaj, te Buda, mjeshtri, ideve të të cilit Siddharta nuk iu bindet, ndaj vendos të largohet sepse kishte diçka që e pengonte në këtë drejtim, pra në përqafimin e ideve të Budës.

Me t’u larguar, djaloshi i rij do të provojë shumë gjëra të kësaj bote, pasurinë, dashurinë, lidhjen me prostitutën Kamala, e tregtinë. Gjithnjë duke kërkuar që gjatë rrugëtimit të gjejë të vërtetën brenda vetes.

Romani në fjalë lexuesit i lë përshtypje për meditacionin dhe trajtesën mjeshtërore të jetës askete brahmanë, tradtië fetare jo aq e njohur në Evropë para se Hese ta sillte në këtë vepër. Herman Hese i qaset në aso mënyre rrëfimit, duke treguar mjeshtërinë e tij me rrjedhshmërinë, elementet narrarive, të cilat shkrihen natyrshëm në tërësinë kompozicionale të veprës.

“Siddhartha” mbetet njëra nga veprat më të lexuara të letërsisë botërore për shkak se trajton një temë universale, temën e kërkimit të dijes dhe jetës – krahas konceptit budist të njësisë së qenieve.

“Diturinë mund ta rrëfesh, urtësinë jo”

Libri na zbulon konceptin budist për jetën përmes personazhit Siddharta, i cili nis rrugën e tij jetësore duke hulumtuar misteret e jetës.

Fragment nga libri

Nën hijen e shtëpisë, në diell të breglumit pranë kaikeve, nën mriz të ajdësit e të fikut, u rrit Siddharta, pinjoll i bukur i brahmanëve, djaloshi syshqiponjë, bashkë me Govindën, mikun e tij, një tjetër bir brahmani. Dielli ia nxinte shpatullat e zbardhulëta në breg të lumit, teksa lahej, merrte abdest e dhuronte flijime të shenjta.

Hije i shkisnin mbi sytë e zinj në korije mangosh, në lojëra fëmijësh, në të kënduarit zëbilbil të së ëmës, në flijimet e shenjta, në mësimet që merrte prej të atit e prej të diturve, në bisedat me të urtët. Prej kohësh tashmë, Siddharta merrte pjesë në kuvendimet e të urtëve, kalitej me Govindën në beteja ligjërimi, ushtrohej me të në vëzhgime, stërvitej duke u thelluar në meditime.

Tashmë, ai dinte të thoshte Omin, fjalën e fjalëve; dinte ta shqiptonte atë pa zë, në brendësi të vetes, me ajrin që thithte, siç dinte ta shqiptonte edhe jashtë, përsëri pa zë, me frymën që nxirrte, me shpirtin të mbledhur, me ballin të qarkuar nga ndriçimi i shpirtit që mendonte kthjellët. Tashmë ai kuptonte se, në brendësi të qenies së vet, kishte njohur Atmanin, të parrënueshëm, një me gjithësinë.

Herman Hese ka lindur më 2 korrik 1877 në Calv të Vuertembergut në Gjermani. Bir i një misionari gjerman dhe i një vajze të indologut të njohur vuertembergas. Hese vdiq si një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë të të gjitha kohërave, më 9 gusht të vitit 1962 në Montanjola të Luganos, në Zvicër.

Pas mësimeve të tij si bibliotekar, ai që nga viti 1904 kishte jetuar si shkrimtar me profesion të lirë, së pari në Gainhofen të Bodensesë dhe më pas edhe në Tesin e Zvicrës. Hese, i njohur edhe për romanin “Ujku i Stepës”m në vitin 1946 mori Çmimin Nobel për Letërsi. Herman Hese vazhdon të jetë një ndër shkrimtarët më të lexuar të botës. /KultPlus.com

Të ngjajshme