Fragment nga romani “Ti” fitues i çmimit letrar “Tahir Desku”

11 Shtator, 2022 - 1:45 pm

Ilir Muharremi

“Marisë i erdhën prindërit atë natë. E shikonin se si dergjej si një kufomë pranë syve të tyre dhe nuk ka gjë më të rëndë se prindi ta shikojë fëmijën e tij të varur nga droga. Por edhe unë kisha shumë probleme. Herë pas here dëgjoja  një zhurmë të çuditshme dhe nuk arrija ta kuptoja se çfarë ishte. I shikoja edhe pacientë përreth, ishin ca pleq që thithin faqet brenda gojës dhe lëshonin ca kërcitje të çuditshme me gjuhë. Ata nuk më vinin re mua, sepse nga dhimbjet kishin humbur në mendimet e tyre. E pashë edhe një të vdekur të shtrirë afër tyre, por ajo nuk kishte aspak rëndësi. Unë e mbaja shikimin te prindërit e Marisë dhe nuk doja që ata të më vërenin. Isha fshehur dhe arrija vetëm t’i dëgjoja, duke i vjedhur me sy. Këtu e kuptova sa shumë e doja Marinë. Nga ky shkak zemra ime pomponte gjak vetëm për Marinë. “Të dua! E di që ke probleme. E di që je e thyer. Zot, po të lutem, mos e thyej vajzën time!”, ishin fjalët e nënës së Marisë. Babi i saj qëndronte mbrapa dhe e gërryente veten për brenda, për çudi asnjë pikë loti nuk rrodhi nga sytë e tij. Dukej si burrë i fortë që i qëndron stoik dhembjes.     U ula në korridor, e mbështeta kokën për muri. Ndieja një dëshpërim të papërshkruar. Kurrë më keq nuk jam ndierë, veçse në kohën e luftës së Kosovës…”  /KultPlus.com

Të ngjajshme