Fragmente nga kujtimet “Sadija për Dritëroin”

8 Qershor, 2019 - 4:30 pm

“Sa herë diskutonim për librin e kujtimeve, Dritëroi më thoshte: Është shpejt. Kam kaq shumë plane, sa më duket se nuk do ta shkruaj kurrë këtë libër. Unë jetën dhe kujtimet e mija i kam të shkruara në librat e mij, në prozë e në poezi. Personazhet e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve apo të gjithë ata që kam njohur në fusha të ndryshme të jetës politike, kulturore a ekonomike i kam shkrirë në veprat e mia me pak ndryshime. A e kam ndërgjegjen e qetë për veprimtarinë time të periudhës më të hershme dhe të mëvonshme?

Nuk kam krijuar kurrë alibira dhe gënjeshtra për jetën dhe veprimtarinë, kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj siç i kam përjetuar dhe siç i përjetoj. Kam shkelur me këmbë shumë e shumë fshatra të Shqipërisë nga Veriu në Jug dhe kudo kam zënë miq , por asnjëherë nuk kam shkruar se dikush nga këta më ndiqte i vënë nga Sigurimi i Shtetit. Unë kurrë nuk e kam redaktuar jetën time. Po nejse… Këto do të shkruhen në libër. Tani vendosa: do të shkruaj të vërtetën lakuriqe siç ka qenë. Deri tani më vinte turp për hir të një miqësie të dikurshme, por, kur lexon absurditete dhe trillime, të ngrihen qimet përpjetë nga pacipëshmëria njerëzore.

Prandaj nuk kam pasur dëshirë të ulem e të shkruaj këto kujtime, se më dhemb shpirti kur shoh sesi ndryshojnë krejtësisht në karakter njerëzit. Unë këto njerëz mezi i shoh nē filma, pale pastaj të ulesh në tavolinë me ata e t’u japësh dorën. Kur të plakem edhe pak, do të jem më gjakftohtë ndaj këtyre ndodhive dhe do t’i shkruaj kujtimet pa rënë në pasione. Dhe ata, personazhet e këtyre kujtimeve do të jenë plakur, do të bëhen më fisnik, shpresoj, dhe do të buzëqeshin për absurditetet që po shkruajnë sot me qëllime të caktuara apo jo. Është punë e tyre. E lëmë këtë bisedë, se më sjell trishtim.”

Dhe Dritëroi ulej e shkruante në heshtje poezi. “/KultPlus.com

Të ngjajshme