Fragmenti më domethënës nga romani “Alkimisti” i autorit Paulo Coelho

1 Dhjetor, 2024 - 8:03 pm

Dielli ra në mendime dhe vendosi të shndrisë edhe më shumë. Era, që kënaqej nga ky kuvendim, fryu edhe më shumë, që rrezet e diellit mos e arrinin djaloshin.

“Për këtë është Alkimia,” shtoi ai. “Që secili nga ne të kërkojë thesarin dhe ta gjejë, e më pas të dëshirojë të bëhet edhe vetë më i mirë se më parë. Plumbi do të hyjë në punë derisa bota mos të ketë më nevojë për të. Paskëtaj atij i duhet të shndërrohet në flori. Këtë gjë bëjmë ne Alkimistët: na tregojnë se, sa herë që duam të bëhemi më të mirë nga ç’jemi, edhe gjithçka që na rrethon bëhet më e mirë.”

“Atëherë, pse thua që unë nuk e njoh Dashurinë?” pyeti Dielli.

“Sepse Dashuria nuk është e palëvizshme si shkretëtira, dhe nuk do të thotë që t’i biesh botës kryq e tërthor siç bën era, dhe as të bësh sehir nga lart siç bën ti. Dashuria është burimi që vë në lëvizje dhe e bën më të mirë Shpirtin e Botës. Kur arrita ta kuptoj për herë të parë, atëherë m’u mbush mendja se ishte e përsosur. Por më pas vura re se ajo ishte pasqyra e të gjitha krijesave e se brenda mbante luftërat dhe dëshirat e tyre. Jemi ne që e mbajmë gjallë Shpirtin e Botës: toka ku jetojmë do të bëhet më e mirë a më e keqe nëse do të jemi më të mirë apo të këqinj ne. Këtu hyn dhe forca e dashurisë, sepse kur biem në dashuri gjithnjë duam të bëhemi më të mirë nga ç’jemi.”

“Ti ç’kërkon nga unë?” e pyeti Dielli.
“Të thashë, më ndihmo të bëhem erë,” u përgjigj djaloshi.
“Natyra më mban si më të mençurën e krijesave,” shtoi Dielli, “por s’di qysh të të bëj erë.”
“E kujt t’i lutem tani?”

Për një hop Dielli qëndroi i heshtur. Era, që ende mbante vesh, donte të përhapte aty për aty nëpër botë lajmin se njohuritë e Diellit ishin të pamjaftueshme. Megjithatë, s’dëshironte të largohej nga ai djalosh që fliste Gjuhën e Botës.

“Fol me Dorën, se ajo ka shkruar gjithçka!” tha Dielli. /KultPlus.com

Të ngjajshme