31 Mars, 2020 - 3:30 pm
Shkrimtari i njohur François Cheng, anëtar i Akademisë franceze, poet e përkthyes i autorëve të mëdhenj francezë në gjuhën kineze, i ftuar në emisionin “La grande librarie” në televizionin “France 5”, është pyetur mbi këndvështrimin e tij ndaj vdekjes. Cheng, autor i esesë “Pesë meditime për vdekjen, thënë ndryshe, për jetën” (orig. “Cinq méditations sur la mort – autrementt dit sur la vie), botuar në 2013, në përgjigje të pyetjes së gazetarit, ka shpjeguar: “Është vdekja ajo që… e kthen jetën në një dhuratë. Me këtë jemi dakord? Të supozojmë sikur s’ka vdekje. Jemi të gjithë këtu, pafundësisht. S’do kishte më “me ne”, as impuls, dëshirë për të bërë çfarëdolloj gjëje. Si e bëjmë, si s’e bëjmë, e bëjmë sot apo nesër, njëlloj është. Në fakt, nuk ka as të sotme as të nesërme. Është vetëdija për vdekjen që e kthen jetën tonë në impuls, në nevojë për krijim, në nevojë për dashuri gjithashtu. Pasi nëse s’ka vdekje, mund të dashurojmë ose jo, asgjë nuk ndryshon. Në të vërtetë, ne nuk mund ta imagjinojmë një univers gjallues pa vdekjen. Vdekja nuk është diçka që i qëndron përballë jetës. Është një ligj i imponuar nga vetë jeta. Thënë këtë, jeta, rendi i jetës, ka nevojë për vdekjen për të operuar ringjalljen, transformimin dhe, përfundimisht, transfigurimin.” / Nga Klodiana Danaj / KultPlus.com