Frashër Demaj mohon se i ka kërcënuar kolegët në Institutin e Historisë

15 Shkurt, 2018 - 4:34 pm

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka reaguar ndaj historianit Frashër Demaj, i cili është kandidat për drejtor të këtij Instituti, duke e akuzuar atë për shantazh ndaj punëtorëve.

“Ne dëshirojmë të ju shprehim shqetësimet tona si punëtor të Institutit të Historisë lidhur me këto veprime të cilat po e pengojnë zhvillimin normal të punës sonë dhe të njëjtën kohë po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e punëtorëve tanë përmes metodave të ndryshme antiligjore siç janë kërcënimet, shantazhet e presionet ndaj kolegëve tanë”, thuhet në reagim.

Sipas këtij reagimi, thuhet se grupit shantazhues i prinë vetë Frashër Demaj.

“Këtë grup të këtyre personave e udhëheq dhe e përfaqëson Akademik Frashër Demaj, i cili duke pasur disa pozicione në institucione publike dhe private dhe duke e keqpërdorur pozicionin dhe autoritetin direkt, dje dhe sot ka bërë kërcënime dhe presione ndaj disa kolegëve tanë në Institutin e Historisë”, thuhet ndër tjera në reagimin e Institutit të Historisë.

Reagimi i është drejtuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kryetarit të Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci dhe ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Historiani Frashër Demaj, i cili është edhe kandidat për drejtor në Institutin e Historisë së Kosovës, i ka cilësuar të pavërteta pretendimet e këtij institucioni, i cili e ka akuzuar atë për shantazhe e kërcënim ndaj kolegëve aty.

“Është totalisht e pavërtetë. Çfarë ka kërcënuese aty. Si mund të përdori metoda aty kur nuk jam as drejtor, mund ta joshi askënd, as ta korruptoj. Absolutisht kjo është e pavërtetë”, ka thënë Demaj për Gazetën Insajderi.

Sipas tij, kjo është bërë si kundër reagim ndaj një denoncimi që ia kanë bërë drejtorit të Institutit të Historisë, Sabit Syla, për mbajtjen e kundërligjshme të mbledhjes së Këshillit Shkencor.

“Ky është një kundër reagim i një ankese që ne e kemi çuar në Ministrinë e Arsimit, për shkak se drejtori aktual Sabit Syla, pa kuorum dhe në mënyrë të paligjshme e ka mbajtur një mbledhje të Këshillit Shkencor për t’i realizuar premtimet e veta sepse është kandidat për drejtor. Por për kërcënim e shantazhe as që bëhet fjalë”, ka shtuar historiani Demaj. / KultPlus.com

Të ngjajshme