Fustani

10 Mars, 2021 - 6:27 pm

Shkruan Ibrahim Berisha

I gjatë, i bardhë, me pika të verdha.

Lulja erdhi nga Prishtina, për t’i kaluar dy javë pushim në shtëpinë e fqinjit të parë, Cakë. Nga çasti kur shikimi im ra në te, ai fustan më mahnit, më mashtron. Nuk më mahnit vetëm mua, por i mrekullon rrugët, shtëpitë, muret dhe, më së shumti, njerëzit.

Ecë, ajo që erdhi për të na i shkelur të gjitha rrugët dhe për të na i turbulluar të gjitha mendimet.

Netët janë tepër të shkurtra për të fantazuar vetëm dorën e saj dhe njëkohësisht tepër të gjata për të ardhur dita e re, për ta parë përsëri,  fustanin që i afrohet ajrit të ngjyrosur, një rrëzëllimi të shkëlqyer.

I zë shtigjet që me nadje, e pres deri në drekë, nuk lëshoj pamjet deri në natë, mos kalon ajo.

Ditët kalojnë, më mban shpresë se do të dëgjoj disa fjalë nga goja e saj, nga e cila sigurisht, del një frymëmarrje e vogël, e shkurtër, çudibërëse që të merrë me druajtje, me ngrohtësi, por pastaj të shtypë me një teknologji të parëndomtë, të patejkaluar kurrë.

Fustani më mahnit dhe më mashtron. Fryma më ngrihet duke pritur kalimin e mrekullisë më të madhe verore.

Nuk më bëjnë përshtypje thatësia, aeroplanët MIG 21, Lufta në Lindjen e Mesme, Lija e Ujit, asnjë fjalët.

Pse nuk vjen njëherë te ne.

Të pish shurup shtogu.

Të hash një pjeshkë.

Pse?

Të marrësh erë të trëndafilave tonë.

Të hash kumbulla.

Të ndërrosh një fjalë.

Mendoj dhe shtroj pyetje kot nëpër ikje, sepse koha kalon dhe pas secilës ditë, në shpirtin tim rrëzohet nga një rreze durimi; kjo më frikëson.

Nuk e takoj tri, katër, pesë, shtatë ditë. Shkojnë shtatë ditë; i numëroj, shtatë vjet. Fustan të tillë nuk ka as nuk ka pasur kush ndonjëherë në qytezën tonë, në tërë anën tonë; ndoshta asnjë nga vajzat tona nuk është e destinuar për fustan kaq të bukur.

Por çasti që e pres vjen patjetër. Në mos sot, nesër, në mos nesër, pasnesër; ndërmjet arrës dhe bunarit, duke e zbrazur një kovë ujë, duke u dridhur sikur litari i kovës, duke u zgjatur si pika më e pastër e ujit të thellësisë, duke e mbushur saktësisht kovën e dytë, një hije mbulon pjesën e djathtë të sanraçëve.

Mirëdita, flet.

Mirëdita, ia kthej.

Keni fustan të bukur doku, i them.

Nuk është fustan doku, ma kthen pashpirtshëm.

Fjalët mospërfillëse më urdhërojnë të largohem sa më shpejt. Nuk mund.

Humbet nëpër oborr si një fletë; është vezullim që të detyron t’i mbyllësh sytë, për të mos u parë më me pamjen e pakmëparshme.

Fustani i lehtë, i bardhë, me lule të vogla të verdha, rrëshqet nëpër ajrin e verës.

Pa gjasë i fola, arsyetoj veten.

Mendoj, fustanin që nuk paskësh qenë nga doku, por nga doku ka mundur të jetë.

Dua të kthehem, t’i them: Edhe nga doku ka mundur të jetë.

Të nesërmen nuk dal në shesh. Shtrohem në oborr dhe shikoj thellësinë e qiellit. Pastaj, me një pendim të qetë mbyll sytë.

Ajo erdhi dje nëpër oborr hakmarrëse ndaj mrekullisë, mashtrimit dhe mahnitjes sime.

Mendoj: A mund të shpëtoj nga ajo mahnitje, përnjëmend nuk e di. Me një pendim të qetë ende i mbaj sytë mbyllur; Dua të mos i hap kurrë./ KultPlus.com

Të ngjajshme