27 Dhjetor, 2017 - 10:40 am
“Fytyra e tiranisë: rrëfimi për diktaturën në romane bashkëkohore shqiptare” është libri i pestë i shkrimtarit Adil Olluri ndërsa i treti në fushën e studimeve letrare, shkruan KultPlus.
Ky libër studimor, i Ollurit, pritet të dalë në shitje javën e parë të janarit të vitit 2018-të. Kështu ka njoftuar nëpërmjet rrjetit social Facebook, vetë Adil Olluri.
“Ky studim monografik ka për qëllim analizimin e një sërë romanesh bashkëkohore shqiptare, që kanë për temë diktaturën. Për të arritur te rezultatet e dëshiruara na u imponua qasja apo kërkimi tematik, meqë, siç provojmë ta argumentojmë në këtë studim, diktatura është njëra nga temat kryesore të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Përveç romaneve me temë diktaturën konkrete komuniste, si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri, kemi trajtuar edhe disa romane që flasin për diktatin e zakoneve patriarkale shoqërore mbi individin, si një formë e diktatit përtej politik”, ka shkruar ndër të tjera Adil Olluri.
Recensentë të këtij libri studimor janë: Fadil Grajçevci dhe Belfjore Qose. Redaktura gjuhësore nga Fadil Grajçevci ndërsa redaktura kompjuterike dhe kopertina nga Lulëzim Lajçi. Piktura në ballinë: “The massacre of the innocents” (1612), piktori: Peter Paul Rubens (1577-1640)./ KultPlus.com