Gabim tjetër në Fjalorin Enciklopedik, gabohet viti i lindjes së Ibrahim Rugovës

31 Tetor, 2018 - 10:56 pm

Një tjetër gabim ka dalë të jetë trashanik brenda Fjalorit Enciklopedik të botuar para pak javësh në Kosovë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës duket se ka gabuar edhe me vitin e lindjes së presidentit historik Ibrahim Rugova.

Në Fjalor shkruan se Rugova ka lindur në vitin 1941, ndërsa Ibrahim Rugova ka lindur në fakt në vitin 1944, me 2 dhjetor, dhe ka vdekur në vitin 2006.

Qytetari Pal Shtufi në rrjetin social Facebook e ka shpërndarë lajmin e gabimit, një tjetër gabim në vazhdën e gabimeve që po dalin nga ky Fjalor, shkruan KultPlus.

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mehmet Kraja, në anën tjetër, është kritikuar se ka përfshirë familjarët e tij në Enciklopedi dhe se ka qenë ai përgjegjësi kryesor për lëshimet e tilla brenda Fjalorit. Kraja disa herë ka reaguar. / KultPlus.com

Të ngjajshme