Gabriel Garcia Markez, tre librat që duhet të lexoni

13 Janar, 2019 - 1:00 pm

Në disa pjesë të botës, lexuesit janë shumë familjarë me punën e Markezit, aq sa u duket sikur e njohin mirë autorin. Ata flasin për personazhet në veprat e Markezit sikur t’i kenë miq të vjetër, ndërsa vetë autorit i referohen me shkurtimin Gabo.


Por në vende të tjera, edhe në ato më të zhvilluara, duket sikur të gjithë e njohin Markezin, por jo aq punën e tij. Në fakt, ky është një rrezik që u kanoset shumë artistëve, jo vetëm shkrimtarëve. Me kalimin e kohës, talenti i një artisti bëhet kaq i padiskutueshëm, ndikimi i tij në fushën përkatëse të artit është kaq i madh, sa të gjithë e njohin atë, e respektojnë punën e tij edhe pa e njohur.


Njoh kaq shumë njerëz që pranojmë pa asnjë mëdyshje se Markezi është një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohëve, por nuk kanë lexuar “100 vjet vetmi”. Duket si pa sens dhe jo aq e drejtë. Duhet patjetër të pranojmë madhështinë e një artisti sepse kështu thonë të tjerët? Është e njëjta gjë me njerëzit që përjashtojnë një autor apo vepër pa e lexuar, vetëm me kritikat e të tjerëve.
Sigurisht, Markezi i meriton gjithë lavdet dhe ca më shumë, por mirë do të ishte sikur njerëzit të njihnin edhe veprat po aq mirë sa autorin.

Ja çfarë të lexoni:


1. Kujtim kurvash të trishta


Romani i botuar në vitin 2004 është puna e fundit artistike e autorit, edhe pse ka raportime se para se të vdiste ishte duke shkruar një roman. “Kujtim kurvash të trishta” rrëfen jetën e një të moshuari vetmitar, një të apasionuari pas muzikës klasike. Prej tij do të mësojmë se si në të gjitha aventurat e tij të seksit (që nuk kanë qenë pak) përherë ka dhënë para në shkëmbim, por nuk e ka përfytyruar asnjëherë se në këtë mënyrë do të gjente dashurinë e vërtetë.

2. Dashuri në kohërat e kolerës


Një nga kryeveprat e Markezit, një roman për dashurinë me të gjitha fytyrat e saj: dashuri rinore, dashuri bashkëshortore, dashuri romantike, dashuri pasionante… Një histori dashurie emocionesh tronditëse dhe gjendjesh shpirtërore tërheqëse, një komedi njerëzore, plot humor e thellësi ndjenjash.

3. Njëqind vjet vetmi


Markezi shkroi një roman që nuk është shkruar dot deri tani dhe që ndoshta as që mund të shkruhet ndonjëherë: letërsi si reportazh i krijimit, si rikujtesë magjike dhe si rebelim.
Ky libër të jep përshtypjen sikur është zanafilla e vetë natyrës. Makondo është kthyer në një simbol të realizmit magjik në Amerikën Latine./E. Qose/ KultPlus.com

Të ngjajshme