Gashi: Nuk ka ndryshime të teksteve shkollore me këtë klasë politike të Serbisë e Kosovës

1 Qershor, 2019 - 7:42 pm

Alberina Haxhijaj

Sot në ditën e katërt të festivalit “Mirëdita Dobar Dan” në Beograd është bërë promovimi i librit “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, shkruan KultPlus.

Ky publikim jep një pasqyrë të periudhave më të rëndësishme në historinë e Kosovës, që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme, dhe se si ato paraqiten në tekstet e historisë së vendeve të lartpërmendura. Librat e historisë së këtyre pesë vendeve, të miratuara nga ministritë përkatëse për arsim, shërbyen si burim themelor për krahasimin e ngjashmërive dhe dallimeve të paraqitura aty, duke theksuar se ku shfaqen gabime në secilën prej tyre.

“Karakteristika e parë është se të dy palët i prezantojnë vetëm krimet e palës tjetër dhe jo krimet të cilat i kanë bërë vet. Edhe kur i prezantojnë këto krime të palës tjetër çdo herë i ekzagjerojnë, i hiperbolizojnë dhe e përdorin një gjuhë tepër të rëndë sidomos duke e pasur parasysh se me këto tekste mësojnë fëmijë të shkollave fillore dhe të mesme”, theksoi Gashi.

Ai tha se po ashtu nuk flitet as për bashkëpunimin që kanë pasur këta dy popuj gjatë luftërave të ndryshme ndër vite duke përfshirë këtu edhe atë kundër Perandorisë Osmane.

“Ndoshta është me rëndësi me e përmendë këtu se në tekstet në Kosovë e Serbi nuk përmendet askund se babai i heroit të shqiptarëve – Skënderbeut, ka qenë i martuar me një grua të një dere të njohur serbe, Vojsava Brankoviq. Nuk përmendet as që fëmijëve të tij ai ju ka lënë emra ortodoksë dhe nuk përmendet që motra e tij, Mara, ka qenë e martuar me Stefan Cernojevic, ose që djali i tij Gjoni ka qenë i martuar me çikën e tretë të një despoti serb”, theksoi Gashi.

Sa i përket përmirësimit të gjendjes nëpër tekste shkollore ai u shpreh se këto tekste nuk mund të ndryshohen përderisa e njëjta klasë politike është në pushtet.

“Nuk mundet me pas ndryshime të teksteve mësimore të historisë përderisa dy vendet si Kosova edhe Serbia udhëhiqen prej këtyre njerëzve momentalisht në pushtet. Përderisa Serbia udhëhiqet prej Aleksandër Vuqiqit që ka qenë një prej pjesëtarëve me të rëndësishëm të Partisë Radikale Serbe, nuk mundemi me pritë tekste tjera përveç kësi tekste që nxisin urrejtje e eliminojnë frymën e tolerancës dhe bashkëpunimit në mes të të dy popujve. Në të njetën kohë nuk mundemi me prit tekste të tjera mësimore të historisë për shkollat fillore e të mesme në Kosovë përderisa ajo udhëhiqet nga Hashim Thaqi, për të cilin siç thotë raporti i Dick Martit flitet për përfshirjen e tij në krime të tmerrshme. Njëjtë përmendim edhe Ramush Haradinajn apo Kadri Veselin, për këtë të fundit sipas raporteve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare thuhet se e ka udhëhequr për 10 vite një organizatë kriminale” tregoi sot në Beograd Gashi.

Publikimi i këtij libri sipas autorit ka për qëllim që në mënyrë indirekte të tregojë marrëdhëniet midis qeverive të pesë vendeve dhe mesazhin që u dërgojnë brezave të ardhshëm. Gjithashtu, libri përpiqet të vëzhgojë në mënyrë të qartë dhe faktike pretendimet shpesh kontradiktore të popujve në Kosovë.

Jelena Krstiq, aktiviste nga organizata Helsinki Committee for Human Rights, theksoi se tekstet shkollore në Serbi nuk i përfshijë shumicën e ngjarjeve që kanë ndodhur në 98-99. Kjo sipas saj ka ndikuar që njerëzit të mbesin të painformuar.

“Unë për luftën në Kosovë mësova vetëm me vonë pas vitit 2007 kur isha 20 vjeçare pasi që nuk dija asnjë gjë dhe vetëm atëherë i mora vesh ato që kanë ndodhur në Kosovë pasi që nuk mi mësoi askush këto gjëra. Ndoshta jam një nga qytetaret e Serbisë e cila për shqiptarët dhe për Kosovën nuk kam ditur shumë, nuk i kam ditur gjërat që më vonë do të më ndihmonin që të kem marrëdhënie me të mira”, theksoi ajo.

Ajo u shpreh se lufta e fundit në Kosovë tregohet vetëm përmes bombardimeve të vitit 1999, pasi atëherë ato bombardime kanë lënë dëmtime të mëdha dhe tregohen vetëm vuajtjet e serbëve. Krstiq theksoi se nuk tregohet epilogu se çfarë ka sjellë tek lufta.

“Mendoj që të rinjtë dalin të hutuar edhe pas shkollimit pasi nuk dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe nuk është e çuditshme se kemi të rinj pak më të rritur të cilët këmbëngulin që Kosova është pjesë e Serbisë”, theksoi ajo.

Stefan Milosavljevic, student dhe aktivist nga organizata Ëoman in Black në Serbi i cili ka lindur në Kosovë theksoi gjuhën e ashpër që përdorin serbët ndaj shqiptarëve, duke potencuar edhe atë të përdorur gjatë protestave që kanë shoqëruar këtë edicion të 6-të të festivalit në dy ditët e tij të para.

Sidomos ai vuri theksin te këngët që kanë kënduar serbët gjatë protestave, por edhe te deklara e bërë nga kryeministrja e Serbisë ditëve të fundit.

“Ajo që tha kryeministrja Ana Brnabic ‘Njerëzit e malit’, ja pra kjo është e pranishme në libra dhe në diskursin politik-mediatik”, theksoi ai.

Autori Shkelzen Gashi ka përfunduar BA në shkencat politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka kryer master në universitete në Bosnjë dhe Sarajevë. Gashi ka publikuar botime të shumta, libra dhe artikuj rreth historisë së Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme