Gaspër Pali, liriku shqiptar bashkëkohor

22 Shkurt, 2020 - 6:00 pm

Gaspër Pali, profesori i letërsisë së Liceut të Shtetit dhe poeti i talentuar vdiq në moshën 26-vjeçare, duke lënë pas, edhe pse në një hark kohor të shkurtër, një pjesë të mirë veprash. Lindi më 14 gusht në një shtëpi dykatëshe në Serreq të Shkodrës.

Kreu shkëlqyeshëm shilloren e pesë klasat e gjimnazit françeskan në qytetin e lindjes. U dashurua që herët pas muzikës, duke dëgjuar në disqet e gramafonit, së bashku me mikun e tij Prenkë Jakovën, muzikën e Shubertit, Puçinit, Hajdenit, Moxartit.

Gaspër Pali e filloi shtegtimin e tij poetik që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, me dy sonete, si dhe me vjershën “Djepi i vorfën” me ndikim nga poezia popullore e qytetit. Shkroi kryesisht poezi lirike, ku spikat ndjenja e melankolisë. Shkroi në gazetën “Java”, “Cirka”, “Hylli i Dritës”, por edhe në revistën e Firences “Numero unico degli universitari albanesi” ku do botonte një poezi shqip etj.

Kanga e poetit

N’qiell dy-tre hyj shndrisin t’zbetë

E duken si sy të venitun vashash,

Që kan’ sprovue humbjen e dashnis’ s’parë.

Nëpër ajri ndoj jone tretë,

Dikush këndon më nji za mallngjimtar.

Duket se nata s’lëviz, as merr frymë

Kah rrin e përgjon.

E qiella e bardhë, si qumësht i papërlyem,

Nga s’nalti shikon.

Kjo qetsi zbret në shpirt t’kangtarit

E i zb’lon nji mall t’ri deri tash i ndryem,

Pse toka e qiella kan’ heshtë para fjal’s s’tij.

Buzët i dridhen gjith’herë me hov t’ri,

Pse kangtari n’zemër ndryen

Gëzimet e bot’s mbarë

E dhimbat e bot’s mbarë.

Gaspër Pali vdiq po nga ajo sëmundje e pamëshirshme, që rrëmbeu pjesën më të madhe të autorëve të viteve ’30. Ai jetoi fare pak, jetoi një jetesë plot mungesa e dhimbje.

Qëndrimin e tij mospajtues me realitetin e vrazhdë, ai e shprehu përmes poezive e prozave, pjesa më e madhe e të cilave ende s’ka parë dritën e botimit, sepse ende s’është botuar vepra e plotë e këtij poeti talentuar e modern të letërsisë sonë.

Gaspër Pali futej në rrjedhat e letërsisë si poet e studiues me një formim të plotë, i kompletuar në njohuri e me një platformë estetike të qartë në vetvete, me synimin për të krijuar një art bashkëkohor modern, një art që do të shprehte dhimbjet e gëzimet e kohës mbarë, pra që s’do të mbyllej në kullat e fildishta, por do të shërbente për njohjen e zbulimin e realitetit, që do të interpretonte artistikisht kohën e do të jepte ndihmesën e vet për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare për ecjen e Shqipërisë në udhën e përparimit.

Përmes vëllimit “Hyjt mbi Greminë” vijëzohet qartë profili i një poeti me një botë mjaft të trazuar e të pasur, i një poeti që ndien thellë e që ka një zjarr vullkanik nëpër deje, që ka një vokacion të brendshëm të thellë e elegant, të ndjerë e modern, sa dhe pas një gjysmë shekulli ndihet timbri e befasimi që na shkakton leximi i poezisë së  tij, poezi që qëndron në majat e poezisë shqipe, duke rrëfyer kështu së bashku dhe me krijimtarinë e arritjet e poetëve të tjerë të fuqishëm e të shquar mundësitë dhe të ardhmen e një poezie, nga më të lashtat në Ballkan e në Evropë, të pasur e të shumëllojtë në forma e struktura, në vokacion e artikulim vargu e fjale.

Gaspër Palit, nuk iu dha vendi e vlerësimi i merituar as në periudhën e regjimit të Zogut dhe as pas çlirimit. Edhe pse shkrimtarë dhe studiues si Filip Ndocaj, Mark Gurakuqi, Nasho Jorgaqi, Perikli Jorgoni etj.

Janë përpekur ta bëjnë sadopak të njohur për lexuesin shqiptar botën dhe estetikën e poetit të talentuar, sërish një pjesë e mirë e poezive të tij vijojnë të mbeten të panjohura. Vdekja e dytë e Gaspër Palit qe dënimi, që për më shumë se 50 vjet veprën e tij ta mbulonte pluhuri i harresës, e cila megjithëse jo aq e vëllimshme, përbën një vlerë të çmuar në thesarin e kulturës e letërsisë shqipe. Simbolika dhe nënkuptimet e fjalës dhe të artit ishin dukshëm të qarta në vjershat e tij.

Megjithëse, që në moshë mjaft të njomë ndjeu barrën e shtrëngesave ekonomike e dramën që përjetonte atdheu, gjë që i dëmtoi shëndetin dhe i sëmuri mushkëritë, poezia e Gaspër Palit nuk është poezi pesimiste.

Poeti, në saj të fisnikërisë së shpirtit dhe konceptit të qartë që ka për poezinë dhe për artin, ngrihet mbi dhimbjet e shpirtit dhe kurmin e hijeve të vdekjes që i rri pezull mbi krye. Poezitë e tij, të frymëzuara nga jeta, të ndjera, nuk janë vetëm një pasqyrë artistike e dashurisë së sinqertë e njerëzore, por dhe kronikë e jetës evropiane e shqiptare.

 Nëpër to ndihen fijet që e lidhi poetin me shqetësimet e kohës e të shekullit të vet të trazuar, ndjejmë shtrëngimin mbytës të darës së skamjes e të mjerimit, gjëmimet e flakët kërcënuese të luftës botërore, por dhe përpjekjet e shpirtrave kryengritës që nuk pajtohen me dënimin e errësirës e me amullinë e një jetese që shtyhej me dhimbje në shpirt nga dita në ditë.

Vepra e Gaspër Palit vijon të tingëllojë e freskët dhe e fuqishme, ajo të trondit dhe të befason me artin dhe fjalën e ndjerë e të zgjuar prej një artisti të lindur e shpirtmadh, të një artisti që rreket për fisnikërimin dhe zgjimin e shpirtit njerëzor.

Kështu mes mjerimit na buron andrrimi,

Pse ty e mua, Shkodër, me andrrue na kande. /KultPlus.com

Të ngjajshme