9 Dhjetor, 2019 - 10:07 am
Ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci-Sherifi, duke përmendur faktin se sot është Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit dhe Dinjitetit të Viktimave të Krimit të Gjenocidit dhe e Parandalimit të këtij Krimi, ka kritikuar faktin se pikërisht sot do t’i ndahet çmimi Nobel shkrimtarit austriak, Peter Handke, i cili njihet si mbështetës i liderit të ndjerë të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, e i cili ishte gjykuar në Tribunalin e Hagës pikërisht nën akuzën për gjenocid, veç tjerash.
“Përball vendimit për të shpërblyer një mohues të gjenocidit me një Çmim Nobel, jam e bindur që kjo lejon një përhapje të revizionizmit midis qarqeve artistike, stigmatizimin e mëtejshëm të viktimave dhe mbi të gjitha, krijimin e një kulture, ku artistët nuk pritet më mbështesin vlerat morale ose njerëzore”, ka thënë ambasadorja Geci-Sherifi, raporton Koha.net.
Ajo ka postuar edhe një deklaratë të Antonio Guterresit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ku ai kërkon mbrojtje për viktimat e gjenocidit.
“Kudo që shohim njerëz që përballen me diskriminim sistematik apo bëhen caqe të dhunës thjeshtë për shkak se kush janë ata, për shkak të identitetit të tyre, ne duhet të veprojmë – si për të mbrojtur ata që janë në rrezik të menjëhershëm ashtu edhe ata që mund të jenë në rrezik në të ardhmen. Duke promovuar një kulturë të paqes dhe të mos-dhunës që përfshin respektimin e diversitetit dhe mosdiskriminimit, ne mund të ndërtojmë shoqëri që janë rezistente ndaj rrezikut të gjenocidit”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Kujtojmë se Kosova dhe Shqipëria do të bojkotojnë ceremoninë e sotme të Nobelit ku do t’i ndahet çmimi Nobel Handkes për Letërsi për vitin 2019. Koha.net / KultPlus.com