29 Janar, 2020 - 3:30 pm
Nga: Dorian Koçi
Përvjetori i lindjes së Gëtes, këtij vigani të mendimit europian, është gjithmonë një përvjetor që të shtyn të kërkosh lidhjet e krijimtarisë së tij me kulturën e vendit apo të rajonit. Kjo gjë, në fakt, është kurthi që bien të gjithë studiuesit, pasi kur përpiqen të nxjerrin në pah të veçantat, ata gjejnë universalitetin e dijeve të tij. Gëte ishte shumë i apasionuar nga kultura e lashtë dhe e re e Ballkanit, por ai simbolizonte dhe shpirtin racional gjerman. “Im Anfang war die Tat” (Në fillim ishte vepra), një përkthim i lirë i versës së parë të ungjillit sipas Gjonit, (1:1), “në fillim ishte fjala” që Gëte e vendos në gojën e Faustit, kur e vë këtë të fundit në dramën “Faust” të përkthejë Ungjillin sipas Gjonit (Vargu. 1237). Kjo frazë u kthye në moton e filozofisë së tij, që në fakt shkundi Gjermaninë e shekullit të XVIII dhe gjithë Europën.
Gëte i njohu tërthorazi shqiptarët nëpërmjet krijimtarisë së Lord Bajronit, të cilin e admironte dhe kishte letërkëmbim të rregullt. Gëte e kondideronte Bajronin si një nga poetët që do i mbijetonte gjithmonë kohrave. Adhuronte talentin poetik të Bajronit, për të cilin shkruante se “kur krijonte arrinte gjithçka dhe mund të thuhet me bindje se frymëzimi atij i zëvendësonte të menduarit thellë. E ndjente vazhdimisht nevojën për të krijuar dhe gjithçka që krijonte, gjithçka që buronte prej zemrës së tij ishte e mrekullueshme. I krijonte veprat si gratë që krijojnë fëmijët e bukur: pa menduar dhe pa ditur qysh. Ai është talent i madh i lindur, dhe nuk di njeri tjetër me fuqi poetike më të madhe. Për perceptimin e së jashtmes dhe për aftësinë e depërtimit në të kaluarën ai është po aq i madh sa edhe Shekspiri”. (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).
Gëte i kish përpirë të gjitha veprat e Bajronit dhe, në bisedë me sekretarin e vet Ekerman, ai pranonte se përshkrimet poetike të tij ishin shumë afër realitetit:
“Edhe tek Bajroni – thashë unë – gjej shpesh pjesë krejtësisht të drejtpërdrejta, të cilat na japin vetëm pasqyrimin e sendit dhe na zgjojnë ndjenjat e brendshme, sikundër bën pikërisht dhe vizatimi i një piktori të mirë; veçanërisht i pasur me pjesë të tilla është “Don Zhuani”.”
“Po, – pranoi Gëtja – atje Bajroni është me të vërtetë i madh; herë–herë jeta reale jepet prej tij me një lehtësi që të duket si improvizim. Te “Don Zhuani” këto pjesë nuk më kujtohen, por te poemat e tjera ato kanë mbetur në mend, veçanërisht skenat detare, ku kohë më kohë një valë vezullon tej; aq mirë është bërë kjo, sa të duket se po nuhat edhe ti ajrin e detit. (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).
Një nga poemat e tjera ku ka skena të mrekullueshme të përshkrimit të detit është dhe “Udhëtimet e Çajld Haroldit”, poemë e cila e bëri të famshëm Bajronin në 1812-n. Sigurisht, përveç pjesëve të përshkrimeve detare, Gëte kish lexuar edhe 160 vargjet e Këngës II, ku përmes një ligjërimi orientalist flitet për shqiptarët.
Adhurimi i tij për Byronin ishte një adhurim intelektual dhe pa komplekse, kur ndër të tjera do të shprehej: “M’u desh një përfaqësues i kohëve të reja poetike dhe kush mund të ishte tjetër veç atij që, pa dyshim, duhet parë si talenti më i madh i shekullit? Për më tepër Bajroni nuk është as ithtar i antikitetit, as i romantizmit, ai është mishërimi i kohës sonë. Një i tillë m’u desh dhe për synimin tim artistik më shkonte si jo më mirë natyra e tij, gjithmonë e pakënaqur dhe karkateri i tij luftarak, që edhe e çoi të vdesë në Mesolongji. Të shkruash një monografi për Bajronin nuk është aspak një punë e volitshme dhe e këshillueshme; por ta nderosh në ndonjë rast dhe të tregosh meritat e tij të shumta, kjo është një gjë që unë do të vazhdoj ta bëj gjithmonë.” (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).
Kjo lloj modestie dhe inkurajimi për shkrimtarët e tjerë, është shumë e rrallë për kohën, sepse Gëte, ashtu si shkruajti për Bajronin, me të njëjtin adhurim shkroi edhe për Volterin dhe Shilerin.
Gëte shquhej për një lloj modestie në trajtimin e hierarkive kulturore në Europë, duke dëshmuar që ai, mbi të gjitha, ishte një intelektual kozmopolit dhe qytetar i “polisit” të mendimit. Ja si shprehej për kulturën gjermanike të kohës së vet dhe vendin e saj në lidhje me kulturën antike.
“Ne (d.m.th., gjermanët) me të vërtetë kemi arritur në thuajse këto njëqind vjetët e fundit të lëvrojmë siç duhet kulturën tonë. E megjithatë, duhen edhe nja dy-tre shekuj që kultura jonë kaq shumë e lëvruar të arrijë të bëhet kulturë e të gjithëve. Deri përpara këtij çasti, të gjithë do jenë thjesht barbarë”.
Gëte ishte mendjehapur edhe ndaj kulturës lindore dhe formave të ndryshme poetike të lëvrimit të kësaj kulture. Ai njihte mirë Rumiun, Sadiun dhe Hafizin. Nën ndikimin e poezisë orientale shkroi një divan perëndimoro-oriental (1819-1827). Gëte e admironte shumë Hafizin, i cili ishte edhe një simbol i shpeshtë humanizmi në poezinë e tij. Në vargjet e “Ribashkimi”, Gëte shkruan për Hafizin:
“Hafiz, me ty të jem kam mall,
Në garë! Gaz e dhimbje mal
Të shkulën, ne u bëjmë ballë!
Të dua e të pi ngaherë
Si ti, se ç’krenari e rrallë.”
(Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia)
Në këtë mënyrë ai ishte bashkëkohës në mendim me Bajronin që shkroi “Oriental Tales” në 1816-n dhe Pushkinin që shkroi për “Baçevasarajin” në Krime, në vitet 1821-1823. Orientalizmi, si rrymë e mendimit në Evropë, fillon ndoshta që në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticizmit, sepse Orienti ishte një formë sublime e tij. Romantizmi gjerman ka konfliktin e jetës së brendshme të individit, dramën e njeriut kundrejt mjedisit. Gëtja i madh, duke mbështetur filozofinë e Herderit, për kulturat popullore si një vllazëri universale, shpiku termin “Letërsia botërore”, ku përkatësia etnike e poetëve nuk kishte rëndësi absolute. Gëtja, që admiroi Bajronin, megjithatë qe ai që tha se “klasike unë quaj të shëndoshën, romantike të sëmurën”. Në të vërtetë, Fausti i Gëtes është ravizuar si një kryehero romantik. (Moikom Zeqo: “Bajroni dhe shqiptarët”.)
Shkrimtari egjiptian Taha Husein, disa herë kandidad për çmimin Nobel në letërsi, thotë: “Divani nuk është thjesht një ngjarje e rëndësishme në historinë letrare të Gëtes së madh; ajo është një ngjarje me rëndësi në historinë e letërsisë europiane” ( Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia). Përcaktimi i Husein është nga më të saktit përreth lidhjeve të Gëtes me qytetërimin lindor. Për këtë çështje është debatuar shumë ku admirimit të Gëtes për letërsinë lindore i është veshur dhe dëshira e tij për të njohur në detaje Islamin. Në fakt kjo dëshirë shkonte deri në kufijtë e njohjes dhe subjektet e tij orientaliste ishin më tepër në frymën e relativizmit kulturor, që mbizotëronte si diskurs në krahasimet lindje-perëndim në Europën e asaj kohe. Prej esesë së njohur të Michel de Montaigne (Mishel dë Montanje) “Kanibalët”, në Europë ishte krijuar një atmosferë që admironte qytetërimet e tjera jashtë kontinentit, duke kritikuar vetë qytetërimin europian, si shkatërrues dhe të mbizotëruar nga lufta. Kështu, p.sh, dhe Volteri ka shkruar për qytetërimin kinez me fjalët më të mira, duke vlerësuar strukturën sociale, arritjet e hershme në teknologji dhe përkushtimin e tyre ndaj filozofëve, Konfucit. Gjithsesi, këto tekste të frymëzuara nga të famshmet “Letrat Jezuite”, nuk ishin gjithmonë për Kinën. Nëse shohim me kujdes aspektet e kulturës që ai lavdëron, mund të shikojmë se ai i zgjodhi ato saktësisht për të evidentuar problemet në këto fusha në vendin e vet, në Francë. Nuk mund t’i shpëtojë syrit të thjeshtë të lexuesit aluzioni se Kina është e zhvilluar sepse respekton filozofët, një respekt dhe admirim që Volteri dëshironte ta shihte dhe në Francë. Po kështu dhe Montesque ku shkruajti “Letrat Persiane” në vitin 1721, për të krahasuar ligjet dhe sistemin e drejtësisë në Francë, ku kërkoi nëpërmjet satirës në mendimin e dy të huajve dhe vendin ideal të parimeve universale të drejtësisë e gjeti jashtë kontinentit të vet.
Gëte nuk ishte nënvlerësues ndaj traditës. Një nga shkrimtarët që ai adhuronte ishte Shekspiri. Në bashkëbisedimin me sekretarin e tij, Ekerman, do të shprehej:
“Makbethi është, për mendimin tim, pjesa më e mirë e Shekspirit, në kuptimin e plotësimit të kërkesave të skenës. Por nëse doni të njihni shpirtin e tij të lirë merrni e lexoni “Troilin dhe Kresidën”, ku ai ka trajtuar sipas mënyrës së vet subjektin e “Iliadës” (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).
Në një moment tjetër do të shprehej për veprën e Shekspirit: “ai na shërben mollë të arta me tabaka argjendi. Duke studiuar veprat e tij edhe ne bëhemi me tabaka të argjenda, por e keqja është se mund të vëmë mbi të vetëm patate.” (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).
Kjo modesti për veprën e vet letrare, në fakt, është e tepruar, sepse ai na ka dhuruar vepra-mollë që mund të rrinë shumë mirë në tabakatë e argjendta të Shekspirit.
Ky është 270-vjetori i lindjes së Gëtes, një përvjetor që do të shënohet në gjithë botën. Ndikimi i Gëtes në mendimin shqiptar ka qenë i pamatë, pasi me veprën e tij janë marrë një sërë figurash të shquara të kulturës sonë, si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Aleks Buda, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Pertef Kruja, Fatos Arapi, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Bujar Doko, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci, Anila Omari etj.
Kohët e fundit në Prishtinë është botuar një libër i studiueses dhe pedagoges së gjermanistikës në Universitetin e Prishtinës, Albuelena Blakaj, “Gëte dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, shkurt 2018. Sipas saj, ky libër e ka zanafillën nga eseja që titull fillestar kishte: “Gëte shqiptar”.
“Ky titull shprehte dëshirën time të përvetësimit të plotë letrar e kulturor, por jo edhe realitetin. Megjithatë, duhet të ndihemi të gëzuar që shkrimtari i madh, universal, shkrimtari i “njeriut të emancipuar”, është edhe i shqiptarëve, ashtu siç është i tërë botës së civilizuar, i kulturave që e kanë kapërcyer gardhin e ngushtë kombëtar dhe janë bërë pasuri e të gjithëve.” (Koha.net. Gëte, edhe i shqiptarëve).
Ky konstatim i shkon më tepër për shtat krijimtarisë dhe personalitetit të Gëtes, pasi asnjë më tepër se ai nuk e plotëson figurën e intelektualit kozmopolit të përbotshëm që mbizotëroi me krijimtarinë e vet, në mendimin europian në fund të shekullit të XVIII dhe në fillim të shekullit të XIX në Europë. Kjo veprimtari e larmishme e personaliteteve të kulturës sonë, për sa i përket figurës së Gëtes, sidomos gjatë periudhës së letërsisë së Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe në vitet 50’-60’ të shekullit të shkuar, duhet analizuar për të kuptuar se sa ka shërbyer për të kumtuar tharmin e veprës së Gëtes, por edhe për të përqasur vlerat universale të qytetërimit europian në atë shqiptar. /KultPlus.com