Gilbert: Mendime rreth të shkruarit

25 Janar, 2025 - 10:20 pm

Elizabeth Gilbert (1969), shkrimtare dhe gazetare amerikane. E njohur për memoirin ‘Eat, Pray, Love’, 2006, nga i cili më 2010 ishte bërë filmi homonim.

MENDIME RRETH TË SHKRUARIT

Nga Elizabeth Gilbert

Nganjëherë njerëzit më kërkojnë ndihmë ose sugjerime rreth asaj se si të shkruajnë, ose si të gjejnë një botues. Duke e pasur parasysh se e gjithë kjo është njëmend kalimtare dhe personale, do të përpiqem të shpjegoj këtu çdo gjë që mendoj rreth shkrimit. Shpresoj të jetë e dobishme. Është e gjitha që di.

Unë besoj se – nëse jeni seriozë rreth një jete të përkushtuar ndaj shkrimit, ose pra ndaj çfarëdo forme kreative të shprehjes – atëherë duhet ta merrni këtë punë si një thirrje të shenjtë. Unë u bëra shkrimtare në mënyrën se si njerëzit e tjerë bëhen murgj, ose murgesha. Iu zotova shkrimit, si shumë e re. U bëra nuse e shkrimit. Isha shërbëtorja më e devotshme e shkrimit. E ndërtova tërë jetën time përreth shkrimit. S’dija si ta bëj ndryshe këtë. S’njihja ndokënd që ishte bërë shkrimtar ndonjëherë. Nuk kisha, siç thuhet, të njofshëm. Nuk kisha ndonjë çelës. Thjesht ia fillova.

I ndoqa disa orë shkrimi sa isha në NYU, por, përveç punës së shkëlqyeshme të bërë nga Helen Schulman, kuptova se nuk doja njëmend të bëhesha praktikuese e kësaj pune në klasë. Nuk isha e bindur se një punëtori me plot 13 shkrimtarë të rinj që po mundoheshin të gjenin zërin e tyre ishte vendi më i mirë për mua ta gjeja zërin tim. Kësodore nisa të shkruaja vetë. Ua tregoja punën time miqve të mi dhe familjarëve në mendimin e të cilëve kisha besim. Shkruaja pothuajse gjithë kohës, gjithmonë ua tregoja. Pasi që u diplomova në NYU, ndava mendjen të mos ndiqja ndonjë MFA në shkrim kreativ. Në vend të kësaj, krijova programin tim të post-diplomimit të shkrimit, i cili kërkonte vite të tëra udhëtimesh përreth vendit dhe botës, duke gjetu rpunë nëpër bare, restorante dhe ferma, duke dëgjuar se si flisnin njerëzit, duke grumbulluar përvoja dhe duke shkruar në mënyrë konstante. Jeta ime me gjasë dukej e çrregullt për ata që e vërenin (jo që ndokush ishte duke e vërejtur aq nga afër), por udhëtimet e mia ishin një përpjekje e njëmendtë me qëllimin që të mësoja sa më shumë që të mundja nga jeta, shprehimisht ashtu që të mund të shkruaja rreth saj.

Diku rreth moshës 19 vjeçe kisha nisur t’i dërgoja tregimet e mia të shkurta për botim. Synimi im ishte të botoja diçka (çkado, kudo) para se të vdisja. Ajo që përfitova ishte një pirg masiv i shënimeve refuzuese përgjatë viteve. Nuk di si ta shpjegoj saktësisht pse kisha besimin t’i dërgoja tregimet e mia në moshën 19 vjeçare, ta zëmë, te The New Yorker, apo pse nuk u shkatërrova kur refuzohesha vazhdimisht. Në njëfarë mënyre e merrja me mend se do të refuzohesha. Por po ashtu mendoja: “Hej – dikish duhet t’i shkruaj gjithë këto tregime: pse jo unë?”. Nuk më pëlqente të refuzohsha, por pritjet e mia ishin të ulëta dhe durimi im ishte i lartë. (Edhe njëherë – synim ishte të botohesha para se të vdisja. Dhe isha e re dhe e shëndetshme). Kurrë s’ka qenë e lehtë për mua ta kuptoj pse njerëzit punojnë aq fort për të krijuar diçka të bukur, por pastaj refuzojnë ta ndajnë atë me dikë tjetër, nga frika se do të kritikohen. A nuk është kjo poenta e krijimit – t’i komunikosh diçka botës? Pra, NXIRRE JASHTË. Dërgojeni punën tuaj te botuesit dhe agjentët sa më shumë që të mundeni, tregojuani fqinjve tuaj, ngjiteni në ndalesat e autobusëve – thjesht mos u ulni mbi punën tuaj që ta ngulfatni. Të paktën përpiquni. Dhe kur të gjithfuqishmit t’jua kthejnë dorëshkrimin tuaj (dhe do ta bëjnë), merrni frymë thellë dhe provojeni prapë. Shpesh i dëgjoj njerëzit të thonë, “Nuk jam mjaftueshëm i mirë që të bëtohem”. Kjo është bukur e mundshme. E gjasshme, madje. Krejt çka po them është: lëreni dikë tjetër të vendosë për këtë. revista, botuesit, agjentët – të gjithë këta punësojnë njerëz, që marrin 22.000 dollarë në vit, puna e të cilëve është të lexojnë pirgjet e dorëshkrimeve dhe t’ju shkruajnë letra në të cilat do t’ju thonë se ende nuk jeni mjaftueshëm të mirë: LËRENI ATA TA BËJNË KËTË. mos e para-refuzoni veten tuaj. Kjo është puna e tyre, jo e juaja. Puna juaj është vetëm të shkruani nga zemra dhe lëreni fatin të kujdeset për kusurin.

Sa i përket disiplinës – është e rëndësishme, por disi e mbivlerësuar. Virtyti më i rëndësishëm për shkrimtarin, besoj, është vetë-falja. Ngase shkrimi jua gjithmonë do t’ju zhgënjej. Dembelia juaj do t’ju zhgënjej përherë. Do të zotoheni: “Do të shkruaj nga një orë për çdo ditë”, po pastaj s’do ta bëni këtë. do të mendoni: “Ta shpif, jam një dështim i vërtetë. Kam marrë fund”. Të vazhdoni të shkruani pas këtij zhgënjimi zemërthyes nuk kërkon vetëm disiplinë, por edhe vetë-falje (e cila vjen nga një dashuri e njerëzishme, inkurajuese dhe mëmësore). Një Gjë tjetër që duhet të kuptohet është se të gjithë shkrimtarët mendojnë për veten se ta shpifin. Kur isha duke e shkruar “Eat, Pray, Love”, kisha një mantra të fuqishme të kësaj KJO TA SHPIF që më sillej nëpër mend ashtu siç i ndodh çdokujt kur është duke shkruar. Por pata një moment kushtrimi të së vërtetës gjatë procesit të librit. Një ditë, kur ish anë agoni rreth krejtësisht i keq tingëllonte shkrimi im, e kuptova: “Në të vërtetë ky nuk është problemi im”. Poenta që e kapa ishte kjo – kurrë s’i kam universit  premtuar se do të shkruaj në mënyrë briliante; thjesht i kam premtuar universit se do të shkruaj. Kështu që e ula kokën dhe u djersita mirë, siç isha zotuar.

Kam një mik që është filmbërës italian dhe ka ndjeshmëri të madhe artistike. Pasi që kishte hequr me vite ta shihte filmin e tij të realizuar, ia dërgoi një letër të ankthshme heroit të tij, filmbërësit briliant gjerman (dhe mbase gjysmë të çmendur) Werner Herzog. Miku im u ankua se sa e vështirë ishte këtyre ditëve të ishe një filmbërës i pavarur, sa e vështirë është të gjesh fonde qeveritare, se si audienca është prishur nga Hollywoodi dhe se si bota e ka humbur shijen, etj., etj. Herzogu ia ktheu një letër personale mikut tim që thelbësisht thoshte kështu: “Mos u anko. Nuk është faji i botës që ti dëshiroje të bëheshe artist. Nuk është puna e botës të kënaqet me filmat që i bën ti dhe sigurisht nuk është detyra e botës të paguajë për ëndrrat e tua. Askush s’dëshiron t’ia dijë. Vidhe ndonjë kamerë, nëse të duhet, por boll më me ankime dhe përvishju punës”. I apërsëris vetes këto fjalë saherë që filloj të ndihem e pakënaqur, e autorizuar, komptetitive apo e pavlerësuar sa e meritoj për shkrimin tim: “Nuk është faji i botës që deshe të bëheshe artiste… tash përvishju punës”. Prore, në mbarim të ditës, gjëja e rëndësishme e vetme dhe përherë është kjo: Ktheju punës. Ky është shtegu për guximtarët dhe besimtarët. Mund të gjeni edhe arsye të tjera të punës, përveç dëshirës së suksesit dhe njohjes. Mund të vijë prej ndonjë vendi tjetër. Kjo është diçka që duhet të merret parasysh. Nëse gjirhmonë keni dashur të shkruani, tash jeni Në njëfarë moshe, kurrë s’ia keni dalë mbanë dhe tash mendoni se është vonë… ju lutem mendojeni prapë. E kam parë Julia Glassin ta fitojë National Book Award për romanin e saj të parë, “The Three Junes”, të cilin kishte nisur ta shkruante në të ’30tat e saj të vona. E kam dëgjuar kur e lexoi fjalimin e saj mallëngjyes të falenderimit, në të cilin na tregonte se si nuk flinte dot natën, e trazuar nga puna me librin e saj, duke e pyetur veten, “Kush po ta merr mendja se je ti, duke u munduar të shkruash roman në moshën tënde?”. Por ajo e shkroi atë. Dhe duke e ngritur lart National Book Awardin e saj, ajo tha, “Ky çmim është për të gjithë ata që ia dalin më në fund”. Shkrimi nuk është si vallëzimi a modelimi; nuk është diçka ku – nëse s’e arrini në moshën 19 vjeçe – jeni të mbaruar. kurrë nuk është vonë. Shkrimi juaj vetëm sa do të bëhet më i mirë sa më shumë që të jeni në moshë dhe më të mençur. Nëse shkruani diçka të bukur dhe të rëndësishme, dhe disi një person i duhur e zbulon atë, atëherë do të gjeni hapësirë nëpër raftet e librave kudo në botë – në çfarëdo moshe. Të paktën përpiquni.

Ka male me libra për atë se Si të botohesh. Shpesh njerëzve u duken kundërthënëse informacionet në ato libra. Ndjesia ime është – NATYRISHT, informacioni është kundërthënës. Ngase, sinqerisht, askush nuk di asgjë. askush nuk mund t’ju thotë si të jeni të suksesshëm në shkrim (edhe nëse e shkruajnë në libër me titullin “Si të jesh i suksesshëm në shkrim”), ngase nuk ka një Mënyrë të tillë; por ka, megjithatë, disa mënyra.

Çdonjëri që e njoh unë, që ia ka dalë mbanë të bëhet shkrimtar, e ka bërë ndryshe nga të tjerët – nganjëherë radikalisht ndryshe. Provoji të gjitha mënyrat. Të jesh shkrimtar i botuar është disi si të përpiqesh të gjesh apartament të lirë në New York City: është e pamundshme. megjithatë… për çdo ditë të lume, dikush ia del mbanë ta gjejë një apartament të lirë në New York City. S’mund t’jua them si ta bëni këtë. Bile nuk jam aq e sigurt as si ia kam dalë unë vetë. Mund t’ju them vetëm se – përmes shembullit tim – se mund të arrihet. Njëherë e kam gjetur një apartament të lirë në Manhattan. Po ashtu u bëra edhe shkrimtare.

Në fund, e dua këtë punë. Gjithherë e kam dashur këtë punë. Sugjerimi im është të filloni me dashurinë, pastaj të punoni shumë fort dhe të përpiqeni të mso e mbani mendjen te rezultatet. Flakeni dëshirën, pastaj futjuni punës. Përpiquni, po ashtu, të mos e humbi mendjen për fare pas procesit. Marrëzia është një shteg goxha tundues për atistët, por nuk na duhen më shumë sish në botë për momentin, prandaj rezistojini thirrjes suaj të marrëzisë. Na duhet më shumë krijim, jo më shumë shkatërrim. Na duhen artistët tanë më shumë se kurrë më parë dhe na duhen të jenë stabil, të patundur, të nderuar dhe të zotë – ata janë ushtarët tonë, shpresa jonë. Nëse vendosni të shkruani, atëherë duhet ta bëni, siç ka thënë Balzaku, “si një minator i zënë nga tavani i rënë”. Bëhuni kalorës, një forcë e ngulmit dhe besimit. S’di një mënyrë tjetër pos kësaj. Siç i ka thënë poeti i madhe Jack Gilbert njëherë një shkrimtareje të re, kur i kishte kërkuar këshilla rreth poezive të veta: “A ke guxim ta çosh përpara këtë punë? Thesaret që janë të fshehura brenda jush po shpresojnë të thoni PO”. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme