26 Dhjetor, 2024 - 11:00 pm
Shkruan: Ilir Cenollari
Emrin e gjarprit “Stihia” e ndeshim në baladën shqiptare të Dhoqinës të studiuar imtësisht nga Fatos Arapi. Kënga shqiptare e Dhoqinës nis me vargjet:
“Ditën e Pashkës së madhe,
seç u ther një ka në fshat.
Vajta mora një ok mish,
e kërceva në kusit.
Mora një kërcu të zi,
atje ndodhej një stëhije,
helmoi dijemet e mijë…
Fatos Arapi (“Këngë të moçme shqiptare”, faqe 99. Botimet I – T 2007) në lidhje me këtë thekson: “Kjo hapje është e veçantë dhe nuk ndeshet gjëkundi në këngët e popujve të tjerë të Ballkanit”.[1] Ai vazhdon: “Kënga e Dhoqinës është zhvillimi i këngës së Halil Garrisë, që do të thotë se ajo i ka rrënjët në paganizëm, por që u korrektua me futjen e kristianizmit. Terreni artistik ku ka ndodhur ky proces është kënga e Dhoqinës, të cilën nuk e ka asnjë prej popujve të tjerë të Ballkanit. Kënga e Dhoqinës shtrihet në një zonë të gjerë që përfshin Durrësin, Gramshin, Pogradecin (gjurmë të saj gjejmë edhe në Korçë), Përmetin, Libohovën, Gjirokastrën, Beratin, Fierin, Vlorën, Sarandën, Çamërinë”.[2] Në shumicën e varianteve të këngës së Dhoqinës, vëllezërit vdesin nga stëhija, gjarpri, në disa raste nga murtaja ose kolera dhe më vonë nga lufta. Kjo ngjitje progresive kohore tregon karakterin origjinal, të lashtë të motivit, nga prehistoria në kohët e reja, tregon vazhdimësi kohore, traditë të ngulitur mirë në territorin vendas. Varianti i Zagorisë së kësaj kënge emrin e gjarprit mitologjik e jep në trajtën “Stihi”. Kënga nis kështu:
Ditën e Pashkës në drekë
seç u ther një ka në fshat.
Vajta mora një ok mish
dhe e hodha në kusi,
sakaq dola në avlli
të marr një krah me karthi.
Të më shpiket një stihi,
me vrap m’u hodh në kusi,
më helmoi djemtë e mi.
Nëndë djem e nëndë nuse,
të nënda me djem në duar;….”.[3
Në Zagori “Stihia” zihet në gojë si shprehje popullore: “Më doli përpara stihia ose stëhija”, më përpiu stihija, më zuri stëhija”, etj. Nuk dihet lidhja mes emrit të dragoit me fjalën shqipe “stuhi”. Nga e ka marrë këtë emër balada shqiptare? Sa e vjetër është kjo fjalë? Balada njihet dhe të arbëreshët e Italisë. Gavril Dara i Riu, poet i shquar arbëresh i shekullit të XIX, në poemën e mrekullueshme “Ashtu si kulshedrat natën, kthyer stihis’ së Himarës, i vërtiten duke i shtënë, Shi me breshër e me gjëmë…” Cila është gurra fillestare e saj? Kënga e Dhoqinës, sikurse konkludon Fatos Arapi është autentike shqiptare, fakt që flet në të mirë të gurrës vendase të kësaj fjale. Nga ana tjetër, dimë se gjarpri është simbol i ilirëve. Për këtë arsye, i kthejmë sytë nga letërsia antike dhe mitologjia pellasgo-ilire, ndoshta gjejmë gjurmë të këtij gjarpi. Te Virgjili, në veprën “Eneida”, Libri III, lexojmë: “Stygiis”, faqe 178: “Kurrë mos dil nga valët e Stigiis”. “Stygiamque paludem”, faqe 332, VI. “Këtu në Koqito të Thesprotisë, ti shikon ujrat e thellë e të ndenjur (Kënetor) të “Stigia”.
“Te Stygi tremure lacus, te ianitor Orci”, faqe 438, VII. “Dridhet liqeni nga gjarpri Stygi, Orci përgjon…ose Dridhet liqeni i Stihisë, Orci përgjon”. Nga leximi i vëmendshëm i vargjeve të mësipërme të Virgjilit kuptohet se bëhet fjalë për ujërat e Stihisë, pra, për një lumë, liqen, ose burim. Ky lumë, burim, liqen gjendet në Koqito, pra, vendoset në Thesproti, në lumin e nëndheshëm të Hadit, të Ferrit. Për ta sqaruar më tej këtë rrethanë duhet t’i drejtohemi mitologjisë, gurra nga është frymëzuar poeti. Perënditë në kohët e lashta premtimet i mbanin me betim. Betimi më i shenjtë ishte “Për ujërat e Styx”, shqiptimi “stih”~”stihi ose “stihe”. A. Suli, (“Mythologie grecque”, faqe 22-23. Tubi’s), thekosn se kur një Zot betohej për “ujrat e burimit të Styhit” betimi, besa, nuk thyhej për asnjë arsye. Zeusi i vinte në provë zotat duke i kërkuar ta shoqëronin betimin me pirjen e ujit të Stihe (të burimit). Dhe ja ku shfaqet një zakon tjetër, tepër i lashtë, autentik shqiptar, besa, betimi i mpleksur dhe i shkrirë me një element tjetër karakteristik të sferës së fesë dhe të mitologjisë, shenjtërisë së gjarprit.
Në mitologji “Styxi” është lumë në Ferr; sipas Hesiodit “Styxe” është fëmijë i Oqeanit dhe i Tethis; sipas disa të tjerëve i natës dhe i territ. “Stihe” figuron edhe si shoqëruese e Persefonës, bijës së Dhemetrës, banuese në vendin e Dhemetrës, hyjnisë dodonase të tokës. Pyetja që shtrohet këtu është: kush e helmonte ujin e burimit? Fryma e Kuçedrës! Po i referohemi përsëri traditës mitologjike. Sipas një varianti mitologjik Stihia u bashkua me Pira-n dhe lindën Ehidhnën, sipas një varianti tjetër Hidra është gjarpër uji, përbindësh i lindur nga çifti Tifon dhe Ehidhna. Gjarpri është rritur nga Hera në hijen e një rrapi, pranë një burimi, të quajtur Amimone. Hidra e Lernës paraqitet si një gjarpër me pesë deri në njëqind kokë, lëshonte zjarr nga goja, kur i prisje një kokë në vend të saj mbinin dy të tjera. Koka qendrore ishte e pavdekshme, me t’u prerë ajo u gropos thellë në tokë dhe u mbulua me një shkëmb gjigand. Hidra e Lernës shkretonte të korrat dhe shfaroste bagëtinë.
Herkuli u përkel me Kuçedrën e Lernës (Hidren e Lernës) dhe e vrau. Vetëm Herkuli zbriti në Had dhe voli mollët e Kopshtit të Heshperideve, që ruheshin nga kuçedra! Këtë dragua, kuçedër, e vrau dhe heroi tjetër pellasgo-iliroepirot, Kadmi, pikërisht pranë një burimi të shenjtë. Në përrallat shqiptare, kuçedra shter ujin e burimit, me të ndeshet heroi popullor njëlloj si Kadmi dhe Herakliu. Heroi legjendar i luftës së Trojës, Akili ajakidës, u zhyt nga e ëma në ujërat e Stigjës (Stihisë) të lumit të shenjtë Sperkio për ta bërë të pavdekshëm. Sipas Willy Borgeaud, gjarpri është Zot i Ujërave dhe i Detit, sikurse Engjela (ngjala). Kujtesa folklorike shqiptare ruan edhe sot mitin e Harmonisë; ajo cilësohet Feniçka. Harmonia dhe bashkëshorti i saj Kadmi pësojnë metamorfozën njerëzgjarpërinj. Kadmi lindi gjarpër njëlloj si Iliri, si Aleksandri i Madh.
Në traditën popullore të jugut, gjarpri quhet bir i Mbretit, i Bukuri i Dheut, por edhe nuse mbreti, e Bukura e Dheut, fakt që na kujton legjendën e Kadmit dhe rrënjosjen e mitit të gjarpërit në këto anë. Sipas mitit të lashtë të Kadmit, Iliri, i biri i tij, ishte rritur nga një gjarpër. Miti i gjarprit është i lidhur edhe me gurrën e shenjtë, me Kuçedrën që thante ujët e burimit, me Stihinë ose me Hidhrën. Në burimin e shenjtë qëndronte i fshehur Stihia, gjarpri, kuçedra e ujit, prandaj uji helmohej nga fryma e saj. Ja si ruhet fjala, miti, besimi, tradita. Stema mbretërore e Piros së Epirit është riprodhim besnik i stemës mbretërore të Herkulit, stemë që e ndeshim te principata e Gjin Bue Shpatës në shekullin e XIV. Burimi rridhte nga një shkëmb i lartë dhe humbiste thellë nën tokë. Ky përshkrim të kujton toponimin “Vrima e Kuçedrës” në gji të Tomorit, pranë fshatit Bogovë në rrethin e Skraparit. Johan Han dëshmon se toskët dhe dibranët besojnë se në tokë ka shumë thesare të fshehura, që ruhen nga gjarpërinjtë, që kanë pamje njeriu dhe nxjerrin zjarr nga goja: “stihjo” ”stihi”. Burimet latine e japin në trajtën “Stige”, ato greke me “Stihe”. Shkronja “x” duhet të jetë shqiptuar si një “kh”, që ka dhënë “h” në shqip. Letërsia gojore shqiptare tregon se kjo fjalë ka ardhur në ditët tona në trajtën origjinale të saj pa ndryshime fonetike.
Në Apolloni, gjatë një vëzhgimi rastësor, vërejta se legjenda e Gjarprit-Kuçedër është e gjallë në ditët tona. Poshtë rrapit të qytetit antik të Apollonisë, sipas besimit vendas, ndodhet një thesar i madh me flori, nga ku mund të shkohet nëpërmjet një hyrjeje sekrete. Thesari ruhet nga Gjarpri-Kuçedër, i cili fle mbi flori pasi ari e mban të freskët. Gjarpri ka pamje të lemerishme, është më shumë koka, nga gjuha nxjerr flakë. Sipas banorëve vendas deri tani numërohen katër-pesë viktima; ata kanë mundur të futen brenda hyrjes së fshehtë, por kanë mbetur përgjithmonë aty. Asnjeri sot nuk guxon të përsërisë veprimin e tyre. Thesari është i paprekshëm. Fshatarët e Pojanit, ku ndodhet qyteti antik e madhështor i Apollonisë së Ilirisë, nuk i dinë këto hollësira nga librat, por nga tradita gojore vendase të cilën e kanë trashëguar brez pas brezi. Mjafton edhe ky element për të vërtetuar lidhjet organike, të drejtpërdrejta, të shqiptarëve me dodonasit, hyllejtë dhe ilirët.
[1] Fatos Arapi “Këngë të moçme shqiptare”, faqe 99. Botimet I – T 2007.
[2] Po aty, faqe 75.
[3] Stefan Bulo “Këngë popullore nga Zagoria”. Albin 2000, faqe 352./ KultPlus.com