Gjendet një vepër e rrallë e poetit persian Hafez

18 Janar, 2020 - 9:23 am

Një kopje e rrallë e një libri të poetit persian, Hafez, e vjedhur, që daton që prej shekullit XV u gjend nga një ekspert holandez i artit pas një “gare kundër kohës” në disa vende duke tërhequr edhe vëmendjen e shërbimeve sekrete iraniane.

Vepra, e dekoruar me fletë ari dhe çmimi i së cilës ishte vlerësuar rreth një milionë euro, ishte zhdukur nga koleksioni i një tregtari iranian antikuaresh, i cili jetonte në Gjermani dhe kishte humbur jetën në vitin 2007.

Pas kërkimeve në qarqet nëntokësore, Arthur Brand, i ashtuquajtur “Indiana Jones i botës së artit”, për kërkimet e tij hetimore, arriti të gjente dorëshkrimin e çmuar në një apartament në Amsterdam.

“Ky është një zbulim që do të thotë shumë për mua, sepse është një libër shumë i rëndësishëm”, theksoi eksperti i artit.

Bëhet fjalë për një nga kopjet më të vjetra të “Divan”, që sjell së bashku veprat e Hafez (1315-1390), i cili është një prej poetëve më të njohur mistik persian.

Veprat e tij kanë frymëzuar shumë perëndimorë, si romancierin gjerman, Goethe dhe shkrimtarin amerikan, Ralph Waldo Emerson, i cili e quante Hafez “Princin e poetëve persianë”. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Të ngjajshme