28 Janar, 2023 - 6:03 pm
Shkruan: Ag Apolloni
Ismail Kadare është shkrimtar shqiptar, por është kritiku francez Robert Escarpit ai që e vlerësoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” si roman të nivelit botëror. Pas këtij vlerësimi në parathënien e botimit frengjisht të romanit, Kadare është parë gjithmonë si shkrimtar i rëndësishëm botëror. Faleminderit Kadaresë për veprën, faleminderit Francës për vlerësimin.
Vive Kadare!
Vive la France!
Vive la littérature!
Më poshtë keni parathënien e botimit frengjisht.
Robert Escarpit
NJË ROMAN SHQIPTAR I NIVELIT BOTËROR
Çdo vend ka së paku dy fytyra, një legjendare dhe një reale. Shqipëria ka atë fytyrë që ia japin sytë që e shikojnë, por kjo fytyrë është gjithmonë bashkim i të vërtetës me legjendën. Ajo gjithmonë jep pak më shumë, ose shumë më tepër se ç’kërkojmë.
Bëhuni pushtues dhe do të gjeni luftë pa mirënjohje. Bëhuni të sjellshëm dhe do të keni miqësinë e pakursyer të botës. Bëhuni pak mosbesues dhe do t’ju dalë një roje prapa çdo guri, një polic pas çdo dere, një mister në çdo rrugë. Bëhuni të besueshëm dhe do të keni muzikë në kafenetë e Tiranës, do të ëndërroni ngjyrat e qilimit të Korçës, do të ndieni erën e rakisë së vjelë në Përmet. Përshkruani përbuzjen, përfilljen, mëshirën, dhe do të mendoni që do të ndikoni në sytë e një shkrepi të thepisur, me faqe të zhbiruara që duket sikur është duke thithur duhan mendueshëm dhe duke ju gjykuar, duke ju zhveshur dhe përulur ashtu siç e ka përulur Ismail Kadare gjeneralin e ngarkuar me një mision.
Kështu ndodh që nga kohët e neolitit, malësori rri mbështetur mbi një shkëmb, gati për të qëlluar me pushkë, shtizë, gur, çdo gjë që vjen nga deti ose nga marshimet e ushtrive. Secili ngre një shkëmb dhe toka e thatë nën ta i krekoset eshtrave të ushtrive sulmuese që kanë dhunuar, skllavëruar, torturuar, masakruar, therur popullin pa mundur ta pushtojnë, ose ta shkatërrojnë asnjëherë. Ata janë njerëz që kanë një gjuhë më të vjetër se ajo e heronjve homerikë, e prekur, e ndikuar nga gjuhët e të gjithë pushtuesve të saj, por e paprekur në strukturën e saj. Në shqipe mund të numërosh nga dy deri në pesë në latinishten e vonë, më tej në gjuhën turke dhe pastaj në sllavishte, por njëshi thuhet gjithmonë njëjtë, ashtu siç thuhej para tre mijë vjetësh.
Dhe kjo është e mjaftueshme: një i përfaqëson të gjithë shqiptarët në Shqipëri. Në romanin e Ismail Kadaresë malësori Nik Martini shtie kundër çdo ushtari italian të vendosur në plazh, ai është një si njëqind. Punëtori i vjetër Reiz, i vrarë (i helmuar) nga kockat e një armiku të vdekur para njëzet vjetësh, është vetëm dhimbja e madhe dhe zemërimi i madh i një populli me histori tragjike.
Midis këtyre dy të vdekurve të vetmuar, gjenerali i cili mbledh divizionet dhe ushtritë e skeleteve, ndihet më i mundur se paraardhësit e tij të luftës. Ai vallëzon një kadril të çuditshëm mes varresh me gjeneralin dorac të një ushtrie tjetër të vdekur dhe me një prift të dyshimtë. Nga ky vend mesdhetar ai sheh për dy vjet zhvarrimet kuturu në lloçin e vjeshtës dhe në skllotën e dimrit. Nga kronologjia rigoroze dhe dramatike e rrëfimit të tij, Kadare ia ka mohuar pranverën gjeneralit. Gjithçka fillon me shi dhe borë, gjithçka mbaron me erë.
Megjithatë, buzëqeshja dhe pranvera janë ende atje, në malet e larta. Buzëqeshja gjakftohtë e humorit që e bën armikun e vjetër një kafshë kureshtare, por nuk e trullos, është edhe e gatshme për t’u bërë e përzemërt me kusht që tjetri të bëjë lëvizjen e parë, buzëqeshje shumë njerëzore, guximtare dhe besnike, e kujtesës së gjatë dhe e durimit të shkurtër. Shqipëria gjithashtu ka një pranverë e cila mund të përkthehet në gjuhën e komunizmit modest të saj në fund si ndjenjë gëzimi e jetesës, jo për të jetuar më mirë, por për të jetuar gjithçka, që është shumë më mirë se të mos kesh asgjë.
Vise të taksave dhe shkollave të lira, vend i shtresës feudale dhe i harruar nga ana e Evropës, Shqipëria gjithmonë ka pasur dhe ende ruan një traditë të fortë me poezinë orale. Për përvjetorin e njëzet e pestë të çlirimit të saj, Ismail Kadare i jep lexuesit francez një roman të nivelit botëror, çka do të thotë shumë, por, për më shumë, ai roman është zëri i mijëvjeçarit që u flet burrave të Shqipërisë për shekullin e ringjalljes së saj.
28 nëntor 1969
(Përktheu nga frëngjishtja: Ag Apolloni)
Shënim:
Titulli i artikullit është nxjerrë nga brendia e tekstit, i cili është vendosur si parathënie e botimit frëngjisht të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të cilin Escarpit e cilëson “roman de stature mondiale” (Albin Michel, Paris, 1970, f. 9-11).
Robert Escarpit (1918 – 2000), profesor universitar, gazetar, krittik letrar dhe shkrimtar i njohur francez. Intelektual majtist, njohës i kulturës dhe politikës shqiptare, autoritet në botën akademike, kulturore dhe politike frënge, ka shkruar disa libra dhe është bërë objekt i disa studimeve. Ndër veprat e tij veçohen: Sociologjia e letërsisë (1958), Revolucioni i librit (1969), Letrarja dhe socialja: elemente për një sociologji të letërsisë (1970), Shkrimi dhe komunikimi (1973) etj. /KultPlus.com