31 Tetor, 2024 - 9:20 pm
Vjollca Duraku
Në kuadër të takimeve kulturore “Pena e Dritës“, në Bibliotekën “Ernest Koliqi”, mbrëmë para audiencës është paraqitur profesoresha Evalda Paci, me ligjëratën “AT GJERGJ FISHTA DHE AT SHTJEFËN GJEÇOVI, përmendore të krijimtarisë dhe përpilimit të teksteve kanonike”, shkruan KultPlus.
Kjo ligjëratë, e mbajtur në një ambient të rrethuar me libra u udhëhoq nga Xhavit Beqiri, i cili përveç fjalimit mikpritës prezantoi edhe biografinë e ligjërueses Evalda Paci, e cila është profesoreshë e asociuar e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, në kuadër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në fjalimin e saj profesoresha Paci ka thënë se Gjergj Fishta dhe Shtejfën Gjeqovi janë dy prej figurave françeskane më të njohura shqiptare, dhe se përpjekja për t’i përfshirë në një çasje sintezë për të ka qenë sfiduese.
“Emri i At Gjergj Fishtës lidhet pashmangshmërisht me përurimin e gjuhës shqipe si institucion i kulturës dhe i identitetit kombëtar, fakt që lexohet qartë edhe në kujtimet e At Zef Pllumit, i cili u përkujtua rishtas në Kuvendin Françeskan të lagjes Gjuhadol, në Shkodër”, ka thënë profesoresha Paci.
Më tej, profesoresha Paci foli për rolin që pati Gjergj Fishta si drejtor i shkollave franqeskane, duke formuar një qendër që shërbeu si akademi që përgatiste intelektualët e rinj të Shqipërisë me ndjenja patriotike dhe kulturë e shkencë.
“Që në vitin 1903, kur Fishta si drejtor i shkollave françeskane vuri të detyrueshme gjuhën shqipe në të gjitha mësimet, Kuvendi Françeskan u bë pothuajse qendra më aktive e nacionalizmit shqiptar, rreth të cilit u bashkan mjaft patriotë të asaj kohe, dikush përreth Fishtës për letrat e artet e kush tjetër për doke, kanun e folklor rreth Shtjefën Gjeqovit. Më vonë, po me ato synime, u formuan edhe studentët e rinj françeskanë, të cilët nën drejtimin e mësuesve të tyre përbënë qendrën më të rëndëshishme të vendit tonë. Ishte një akademi që përgatiste intelektualët e rinj të Shqipërisë me ndjenjat patriotike, kulturë,arte shkencë”, ka thënë Paci duke cilësuar Fishtën si mësues dhe poet të madh të Shqipërisë.
“Këndoi, qau e mësoi shqip, veproi vetëm për Shqipërinë. Qe i luftuar gjatë jetës prej armiqve të kombit, e aq më tepër mbas vdekjes. Kryesoi kongresin e Manastirit në 1908, ku u vendos alfabeti i shqipes që përdorim sot. Për realizimin kryesor të kulturës shqiptare, At Fishta themeloi në vitin 1913, revistën “Hylli i Dritës”, e cila edhe sot mbas 90-të vitesh është aktuale. Mund të them pa frikë se në ditët tona asnjë revistë tjetër nuk iu afrua autoritetit të saj”.
Profesoresha Paci më tej duke iu referuar At Zef Pllumit ka thënë së prelatët e historisë sonë të gjysmës së parë të shekullit të kaluar cilësohen për atribute të çmuara, falë të cilave kujtohen edhe sot e kësaj dite.
“Françeskanët punuan pa u lodhur, përmes një programi të caktuar për formimin e një kulture me individualitet të veçantë kombëtar shqiptar. Shtjefën Gjeqovi mblodhi dhe ruajti visaret më të çmueshme të tokës e nëntokës; një figurë poliendrike shkencore: folklorist antropolog e historian, jurist e arkeolog. Themeloi të parin muzeun historik në Shqipëri”.
Në këtë ligjëratë u fol edhe reflektimin e Shtjefën Gjeqovit për krijimtarinë lirike të Gjergj Fishtës.
“Shtjefën Gjeqovi pikërisht në variantin e vitit 1912 të Shna Ndout të Padues, reflekton në një mënyrë origjinale njohjen e krijimtarisë lirike të Gjergj Fishtës, duke pajisur pothuaj shumicën e krerëve të këtij përpilimi me tekste introduktave nga Pika voeset, 1909 dhe vjersha t’përshpirtshme, 1912. Të dy këto vëllime kanë qenë shtysë për vetë autorin e tyre t’i rikthehet krijimtarisë lirike, në të cilën dhe bashkëkohësit e tij , po me shumë mundësi, siç dhe nënvizohet nga kujdesuesit e veprave të tij, ndikimet e tij nga letërsia italiane mund të vihen re në më shumë se një rast”.
Paci ka thënë se e gjithë krijimtaria e Gjergj Fishtës dhe e bashkëvëllezërve të tij kishte një qëllim sublim që lidhej natyrshëm me fenë dhe atdhedashurinë.
“Gjergj Fishta shkëlqeu në disa gjini letrare, duke u bërë i dëgjuar për krijime lirike, epiko-lirike, meldramatike, por edhe për satirën. Si shkrimtar, njohës i sprovuar i gjuhës amtare dhe i vlerave përkatëse, i apasionuar pas shqipërimit të teksteve të këngëve festive të botës së krishterë, psalmeve, profili i tij është më se kompleks, duke bërë të mund të parashtrohen dhe përqasje mes përpilimeve të tij dhe të bashkëvëllezërve të vet me të cilët e bashkonte një qëllimshmëri sublime që lidhej natyrshëm me fe e atdhe”.
Ndërsa, At Shtjefën Gjeqovi është cilësuar si një ndër puristat më të mëdhenj të gjuhës shqipe. Sipas Gjergj Fishtës qëllimi i tij nuk ka qenë stili i bukur poetik por përpjekjet e tij për të vënë në përdorim i fjalë të harruara prej letrarëve duke u munduar t’i vë në përdorim të popullit e të shkrimtarëve.
“Stili i Gjeqovit është i fortë e nuk ka atë njomësi të ëmbël e harmonike, që kishte m’u dishrue; por veti tjera të bukura e fort me vlerë. Së pari shkrimet e tij janë thjesht në gjuhën shqipe, pa u bë rob i asnjë gjuhe të huaj, më tepër shkrimet e tij janë me pasuri fjalësh e mënyra së thënurii të rralla e të bukura, gjë që është vështirë të gjendet ndër shkrimtarë të gjuhës shqype. Përgjithësisht mund të theksohet se shkrimet e At Shtefnit kanë dy parime kryekreje: theksimin sa më të lartë e shqyp e pasunin e gjuhës. At Gjeqovi është ndër të parët që e nisi periudhën e re letrare të gjuhës shqipe”.
At Shtjefën Gjeqovi cilësohet për vlerat letrare e gjuhësore, me ndërtime perifrasike të cilat janë cilësuar si shqipërime.
Në këtë ligjëratë u prezantuan edhe pikat artistike “Hymni i Flamurit” me tekst të Gjergj Fishtës dhe “Lumja unë për ty” me tekst të Zef Lekajt, nga Doruntina Gjini nën përcjelljen e pianistes Magdalena Sedaj./ KultPlus.com