9 Nëntor, 2023 - 3:00 pm
Fjala e akademikut Skënder Gjinushi, të mbajtur në 115-vjetorin e Eqrem Çabej.
Pjesëmarrja dhe përshëndetja e punimeve të një konference shkencore është gjithnjë kënaqësi, por, kur ajo i kushtohet kryeshenjës së akademizmit e të shkencës shqiptare, anëtarit themeltar të Akademisë së Shkencave, prof. Eqrem Çabejt, kënaqësia kthehet në një nderim e krenari për vetë Akademinë e Shkencave. Prandaj ju falënderoj për ftesën e ju përgëzoj për faktin që keni zgjedhur këtë figurë qendrore të albanologjisë si model për nxitjen e pasionit për kërkimin shkencor tek të rinjtë.
Për çka përfaqëson profesori e akademiku Eqrem Çabej, si dijetar e shkencëtar; për veprën e tij në fushën e gjuhësisë e më gjerë; do të flasin këtu, më me kompetencë, specialistë nga më të njohurit të fushave të gjuhësisë, ish-studentë të profesorit atëherë dhe profesorë tuaj sot. Por do të dëshiroja të thoshja disa fjalë pse zgjedhja juaj është ajo e duhura dhe më inkurajuesja për brezat e rinj që dëshirojnë t’i kushtohen kërkimit shkencor e studimit.
Eqrem Çabej, pa diskutim, është modeli i një të riu shqiptar, që arriti të kthehet, me përkushtimin e talentin e tij, nga nxënës i shkollës së parë albanologjike në Botë, i asaj austro-gjermane, në përfaqësues nga më kryesorët e saj në albanologji; nga nxënës i albanologut me të njohur të kohës Norbert Jokl, në lartësinë e profesorit të tij të shquar e më pas ta çojë më përpara veprën e tij. Në këtë kuptim, profesori apo i riu Çabej, ecuria e tij në shkencë, në një periudhë mjaft të vështirë, në atë të Luftës së Dytë Botërore më pas të izolimit e ideologjizimit të skajshëm ideologjik, tregon se edhe shqiptarët mund të kapin majat e shkencës kur dinë të gërshetojnë pasionin me talentin.
Çabej dhe bashkëkohësit e tij, studiues e kolegë, bënë që albanologjia të vinte në shtëpinë e vet. Në rast se deri atëherë shkenca e albanologjisë e kishte qendrën në Austri e Gjermani, gradualisht, në fillimin e viteve 1970, siç shprehej vetë Çabej, ajo u vendos në Tiranë. Kështu, profesor Çabej me brezin e tij, treguan se mund të jemi të suksesshëm në shkencë jo vetëm individualisht, por edhe duke krijuar traditën e përvojën tonë, duke formuar individualitetin e deri shkollën tonë.
Këto janë fazat më të rëndësishme të pjekurisë së kërkimit shkencor, të cilat kanë një vlerë të veçantë në albanologji, pasi në të s’duhet vetëm të arrish e të ecësh me ritmin e të tjerëve, por duhet të jesh në pararojë, e duhet të kesh forcën e ballafaqimit me tezat e kundërta.
Sot ne pohojmë me lehtësi se gjuha jonë vjen nga ilirishtja; se ajo është nga më të vjetrat; se paraardhësit tanë janë ilirët; por vite më parë, në kohën e të riut Çabej, për arsye të mirënjohura, ishin më të pranishme e më agresive shkollat dhe studiuesit që përpiqeshin të propagandonin e të vërtetonin të kundërtën. Qysh në Kongresin e Parë të Studimeve Ilire, më 1972, në saje të veprës së Çabejt, Budës etj., u vërejt me kënaqësi se kishte filluar të ndryshonte balanca në botën albanologjike, brenda e jashtë Shqipërisë, në favor të tezave tona, të shkollës tonë.
Vlen të theksohet se në atë kohë institutet e para të albanologjisë, me një numër të limituar kërkuesish, kishin vetëm dy dekada jetë; se ende kërkimet arkeologjike ishin në hapat e para dhe shumë prej siteve arkeologjike ishin të pazbuluara, madje në ish-Jugosllavi ato mbaheshin të mbyllura ose përdoreshin për keqinterpretim. Pra, shkollës sonë të re i duhej të ballafaqohej me shkolla më të vjetra e shumë më të mbështetura në njerëz e mjete.
Në këtë përballje, nëpërmjet Çabejt, shfaqen disa nga tiparet e vlerat kryesore që duhet të ketë kërkuesi e shkencëtari, në dallim nga pseudoshkencëtarët apo amatoret entuziastë, pa u marrë me autodijetarët. Se pasioni në shkencë nuk tregohet duke bërë pohime e deklarime të nxituara, por në punën për gjetjen e provave dhe fakteve shkencore në mbështetje të tezës që mbron; se teoritë e tezat e gabuara, deri dhe antishqiptare, nuk rrëzohen duke sharë bartësit, por duke i çmontuar e zhvlerësuar shkencërisht ato; se keqpërdorimi i fakteve e dokumenteve është cilësi e të paaftit dhe mediokrit; se patriotizmi tregohet duke e mbrojtur dhe argumentuar prejardhjen e lashtësinë e popullit e të gjuhës tënde me argumente shkencore të pranueshme e të pakontestueshme nga qarqet shkencore, jo duke rendur t’i paraqesësh ato në mënyrë të ekzagjeruar, shoqëruar me teza e prova diletanteske e deri qesharake.
Këtu përforcohet një tjetër tipar kryesor i veprës së Çabejt, si dijetar e kërkues që duhet ta ketë çdo kërkues, veçanërisht në fusha të tilla si gjuhësia, identiteti, historia e arkeologjia, ku shkenca prek kufijtë dhe interesat e politikës së ditës, ndjeshmëritë populiste, deri kufijtë e patriotizmit e nacionalizmit. Ai është modeli që diti t’i qëndrojë presionit politik e për glorifikim nacionalist në çdo periudhë, me bindjen se e vërteta shkencore duhet të jetë e pandikuar; se ajo, kur është e pandikuar, i shërben më mirë edhe çështjes kombëtare e patriotike; se shkenca shqiptare nuk duhej të ndiqte shembullin e fqinjëve; se ajo s’kishte dhe nuk ka nevojë as ta deformojë, as ta zbukurojë të vërtetën, mjafton që ta mbrojë e argumentojë atë. Kështu, p.sh., ai nuk rendi të shpallë një moshë absolute të gjuhës shqipe, por vërtetoi atë çka lejonin faktet, metodologjitë e teknikat e kohës, që ajo vjen nga ilirishtja dhe është ndër më të vjetrat gjuhë indoeuropiane. Sot, me metodat e reja, duke përfshirë inteligjencën artificiale, ka studime që vlerësojnë se gjuha jonë është ndarë nga trungu i familjes indoeuropiane 6-8 mijë vjet më parë, e kjo nuk ka asgjë kundërthënëse me albanologjinë si shkencë dhe me veprën e Çabejt, përkundrazi, konsolidon arritjet e tyre.
Ndokush që mund të thoshte apo të thotë sot pse nuk u pohua që atëherë se gjuha jonë është mijëravjeçare do t’i ngjante naivit që pyet pse Njutoni nuk zbuloi teoritë e Ajnshtajnit. Ecuria në shkencat albanologjike, shembulli i veprimtarisë e kontributit të Çabejt, janë tregues të asaj që shkenca dhe kërkimi shkencor zhvillohen në mënyrë piramidale: kontribuojnë me qindra, shkojnë më lart me dhjetëra, edhe më lart disa, dhe në fund majën e kap më i zoti. Dhe profesori, kolegët e bashkëpunëtorët e tij, ngritën me shumë mund e profesionalizëm piramidën e vërtetimit të tezës ilire për prejardhjen e gjuhës e të popullit shqiptar. Dhe e kapën majën e synuar. E për këtë do të ketë vlerësimin e të gjithë brezave. Ai ndërkohë parashikoi se në të ardhmen arkeologjia do të flasë më shumë se gjuha, pasi materia-objekt i saj është më e ruajtur e më e shtrirë në kohë, ndërkohë që shqipja ishte shkruar shumë vonë. Dhe zbulimet e shumta arkeologjike, gjatë gjithë këtyre viteve, të shtrira tashmë edhe në Kosovë; si dhe futja e metodave moderne në kërkim e datim, të mundësuara prej aplikimeve antropo-gjuhësore e gjenetiko-gjuhësore; të mbështetura në ADN-në e gjuhës dhe në inteligjencën artificiale; po ngrenë piramidën më të madhe të studimeve për popullsitë më të hershme, parailire e preilire, apo, siç quhen shpesh, pellazgë. Në shkencë çdo gjë ka e do kohën e vet.
Do të uroja dhe kam besim se shumë prej jush, prej brezave më të rinj, mjaft prej tyre edhe referues sot në këtë konferencë, të synojnë e të bëhen pjesë e kësaj piramide. / KultPlus.com