9 Shkurt, 2025 - 6:00 pm
Në një atmosferë të ngrohtë kulturore, Gjirokastra mirëpriti promovimin e romanit “Mossanga” të autorit Fate Velaj. Libri sjell një panoramë letrare të jetës në Shqipëri gjatë pesë dekadave të diktaturës komuniste, përmes historisë së një personazhi të veçantë – një konkolez që përjeton ndryshimet dramatike të kohës në qytetin e Vlorës.
Studiuesit dhe kritikët letrarë të pranishëm në aktivitet vlerësuan stilin e veçantë të autorit dhe aftësinë e tij për të sintetizuar historinë kombëtare përmes rrëfimit artistik.
“Ky libër shënon një nivel tjetër në krijimtarinë e Fate Velajt. Ai ka ditur të përcjellë jetën në Shqipëri përmes historisë së një personazhi, duke ndërtuar një pasqyrë të fuqishme të realitetit të asaj kohe.”- tha botuesi Bujar Hudhri.
“Mendoj se është një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe, për shkak të kompozicionit të tij dhe aftësisë sintetizuese të historisë. Përmes këtij romani, Fate Velaj sjell një përshkrim të thellë të 50 viteve të komunizmit në Shqipëri.”- tha kritiku letrar,Luan Topçiu.
Vetë autori Fate Velaj u shpreh i emocionuar për praninë e madhe të lexuesve në këtë promovim, duke vlerësuar traditën letrare të Gjirokastrës dhe figurat e saj të shquara si Ismail Kadare dhe Eqrem Çabej.
“Letërsia këtu nuk është një rastësi, por fryt i një peme të mbjellë prej kohësh, me rrënjë të thella në historinë dhe kulturën e këtij qyteti.”
Në vijim të aktiviteteve kulturore në qytet, Çelësi i Qytetit iu dorëzua studiuesit dhe shkrimtarit të njohur rumun me origjinë nga Gjirokastra, Liviu Lungu, si një vlerësim për kontributin e tij në fushën e letërsisë dhe studimeve historike./balkanweb/ KultPlus.com