27 Tetor, 2019 - 12:30 pm
ÇMIMI MË I PAGUAR
Akademia suedeze jep 16 çmime, mes të cilëve më të njohurin dhe më të mirëpaguarin (aktualisht 850,000 euro), çmimin Nobel për Letërsinë. Në testamentin e tij, shpikësi Alfred Nobel ia besoi institucionit suedez misionin për të shpërblyer çdo vit “autorin e veprës letrare më të shquar për frymëzimin idealist”.
Që prej vitit 1901, katër apo pesë anëtarë, nga 18 të zgjedhur për tre vjet, janë ngarkuar për të pritur dhe diskutuar propozimet për nominimin para dërgimit të një liste me emra të gjithë akademikëve. Propozimet diskutoheshin në atë kohë nga të gjithë anëtarët e Akademisë para një votimi me mazhorancë absolute.
350 PROPOZIME NË VIT
Arkivat e Akademisë suedeze janë plot me letra të dërguara nga emrat më të mëdhenj të letërsisë dhe botuesve ku kërkojnë vëmendjen e akademikëve.
Çdo vit ajo merr rreth 350 propozime të shkruara për kandidaturat që përfshijnë ish-laureatë, akademikë, organizata dhe profesorë të tjerë nga mesi i letrarëve dhe gjuhëtarëve.
Për të qenë të vlefshme, kandidaturat duhet të rinovohen çdo vit dhe të mbërrijnë para 1 shkurtit.
SHTATË VITE TË BARDHA DHE NJË REFUZIM
Çmimi Nobel për Letërsinë numëron 114 laureatë. Lista, prej 110 çmimesh të dhëna përfshin katër dhënie të dyfishta të çmimit.
Ai është refuzuar një herë, në vitin 1964. Filozofi francez Jean-Paul Sartre refuzoi në atë kohë çmimin, një vendim i pazakontë dhe kryesisht i paparashikuar në testamentin Nobel. Mbetet pra deri në këto ditë, laureati që nuk mori kurrë paratë e çmimit Nobel.
Në vitin 1958, Boris Pasternak u detyrua të refuzonte çmimin, nën presionin e qeverisë sovjetike.
Nobeli për Letërsinë nuk është dhënë shtatë herë që prej vitit 1901, kryesisht në kohë lufte: më 1914 dhe 1918, më 1935 dhe më pas 1940, 1941, 1942 et 1943.
LETËRSIA FRANCEZE NË PËRPARËSI
Përsa i përket laureatëve për vend, Franca mbetet në krye, me numrin më të madh të laureatëve (15), ku edicioni i parë në vitin 1901 u fitua nga Sully Prudhomme. Vijnë menjëherë më pas SHBA-ja dhe Britania e Madhe, me nga 12 çmime secila. Gjuha e Molierit është zëvendësuar nga ajo e Shekspirit, me 29 autorë anglofonë të vlerësuar që prej krijimit.
ÇËSHTJA SALMAN RUSHDIE
Në emër të pavarësisë së letërsisë, akademikët abstenuan për të marrë qëndrim për çështjen Salman Rushdie më 1989, të autorit britanik të “Vargjeve satanike”, të urryer nga islamikët. Tre anëtarë të Akademisë suedeze, të indinjuar nga heshtja ishin larguar, pa qenë të autorizuar të dorëhiqeshin. U deshën rreth tre dekada që Akademia të dënonte në 2016 fatwan kundër shkrimtarit. /Filozofia.al / KultPlus.com