26 Maj, 2020 - 5:30 pm
Studiuesi Behar Gjoka rrëfen periudhën e pandemisë. Ai ndalet veçanërisht tek dëmi që është duke i shkaktuar shoqërisë sonë mbyllja e Bibliotekës Kombëtare. Sipas tij, në Shqipëri është e zakonshme të qenit të pa bibliotekë, edhe ky është mjerimi më i madh!
Për studiuesin e letërsisë shqipe dhe shkrimtarin Behar Gjoka njerëzimi provoi diçka të pazakontë, sepse Covid 19 erdhi si një befasi dhe armik i padukshëm, që shoqërinë njerëzore dhe institucionet i gjeti të papërgatitur. Megjithatë, Gjoka na tregon se gjatë këtyre dy muajve në karantinë s’ka hequr dorë nga libri.
“Unë me librin jam marrë edhe këtë periudhë, por jo me të njëjtin intensitet si më parë, prandaj do të thoja që kam lexuar, kam shkruar, pra jam përpjekur, që mos të harroj se libri është një bashkudhëtar. Natyrisht që institucioni i librit edhe bibliotekat janë ato, që e dimensionojnë në një formë tjetër”, rrëfen Gjoka.
Sa i përket faktit, që Biblioteka Kombëtare vazhdon të jetë e mbyllur pas pandemisë, studiuesi i cili prej 40 vitesh është frekuentues i rregullt i këtij institucioni mendon se:
“Shqipëria ka kohë që është rast përjashtim. Në 30 vjet fshiu nga ekzistenca libraritë edhe bibliotekat. Ka edhe një tentativë shou për të bërë biblioteka lagjeje. Apo ka edhe përpjekje që “Shqipëria lexon”, “Tirana Lexon”, e lexon ministrja, ndërkohë që institucioni që konfirmon lexuesin është biblioteka. Biblioteka mund të ketë aq pak lexues, sepse kemi punuar që të ketë pak, saqë distancat fizike janë krejtësisht të mundshme”, shprehet studiuesi.
Problemin më të madh, Gjoka e sheh tek fakti, që askujt si bën përshtypje mbyllja e Bibliotekës.
“Këtu ka një problem. Ne kemi kaluar nga një pandemi në tjetrën, nga e djegies, e lagies, tek tërmeti etj. Edhe çfarë ndodh? Ndodh që ne na duket gjë e zakonshme, që jemi pa bibliotekë. Ky është mjerimi më i madh, të justifikosh këtë ekzistencë, edhe të rrekesh duke thënë, se libri nuk mund të dalë, sepse jemi etj., etj. Këtu mund të them se administrata shqiptare ka 1000 probleme, por e librit s’ka qenë kështu, ka ditur të komunikojë me lexuesin. Do të thoja se mungojnë bibliotekat e qytetit, ato universitare etj., mungojnë si funksione. Në këtë rast është luks të flasësh për bibliotekën, sepse jemi përballë situatës së shembjes. Jemi tek situata që të flasësh për normalitet është luks. Të pengosh lexuesin që të shkojë tek libri, do të ishte kriminale, këtu është luks. Askush s’thotë përse është mbyllur? Nëse do të urdhëronte dikush: Mbylle, s’do ta bëja. Por do të kërkoja zbatimin e distancës”.
Ai mendon se, duke mbyllur tempullin e dijes, ke mbyllur tempulli i lirisë.
“Të mbyllësh tempullin e dijes, do të thotë që të mbyllësh tempullin e lirisë, që të krijon mundësinë për të thënë, se ky vend ka pas të djeshme, të tashme dhe do të ketë edhe të nesërme. Nuk është mbyllja e një biblioteke e njëjtë me mbylljen e një restoranti. Biblioteka nuk është restorant”.
Biblioteka Kombëtare prej datës 11 mars të 2020-s qëndron e mbyllur për lexuesit. Ndërsa, këto ditë janë kthyer në punë vetëm punonjësit e administratës. /Shqiptarja /KultPlus.com