14 Shtator, 2018 - 8:49 am
Viti i ri shkollor që nis të hënën në Shqipëri i jep një vëmendje të shtuar gjuhës shqipe, e cila për shumë vite u la jashtë vëmendjes së domosdoshme.
Kështu ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një videoje ku paraqiten ndryshimet në kurrikulat mësimore në nisje të vitit të ri shkollor.
“Deri dje, ishin 1300 tekste alternative, kaos në përzgjedhje, gabime të panumërta, mbingarkesë e pajustifikueshme, 50 % e teksteve të refuzuara nga mësuesit. Por me tekstet e reja i është dhënë fund kaosit, gabimeve dhe mbingarkesës. Tekstet e reja janë jo vetëm nga emra prestigjiozë Cambridge/Oxford/Pearson, por ka edhe një vëmendje të shtuar në procesin e arsimimit. Tashmë jemi në vitin e tretë të ndryshimeve në kurrikulat mësimore dhe në gjimnaz, ndahet gjuha shqipe nga letërsia”, raporton atsh.
“Lënda e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në gjimnaz është ndarë. Janë dy lëndë të veçanta”, thotë Oriana Osmani, mësuese e letërsisë dhe gjuhës shqipe në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”.
Kjo ndarje nxit mendimin kritik, orienton drejt leximit, ndërkohë që rrit njohuritë gjuhësore tek nxënësit.
“Nxënësve u ofrohen tekste të cilat i aftësojnë ata, i bëjnë nxënësit më të prekshëm ndaj të menduarit kritik, por njëkohësisht i ofrojnë njohuri gjuhësore. Në lëndën e letërsisë nga analizë teksti, kemi kaluar në histori letërsie, që nxënësin ta shtyjmë drejt leximit jo vetëm të librave bashkëkohorë, por edhe atyre klasikë”, thotë mësuesja Osmani.
Ndërkohë, nxënësit do kenë mundësi edhe për orë mësimore të digjitalizuara.
“Digjitalizimi është një nga reformat më të suksesshme, e bën nxënësin të jetë më ndërveprues, të thotë lirshëm mendimin e tij. Ana vizive është shumë e rëndësishme për të mësuarit dhe kjo do të ndikojë në rritjen e performancës të arsimimit në Shqipëri”, thotë mësuesja Oriana Osmani. / KultPlus.com