15 Dhjetor, 2021 - 9:31 am
Për herë të parë në Shqipëri, për katër ditë radhazi, nga data 16-19 dhjetor 2021, Tirana do të kthehet në kryeqendrën e tubimit më të madh akademik ndërkombëtar, ku diskutohet mbi gjuhët që rrezikojnë të zhduken. FEL (Foundation for Endargered Languages) me seli në Londër dhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) organizojnë konferencën ndërkombëtare: “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora”, ku një vëmendje e madhe do t’i kushtohet edhe një problemi shumë të mprehtë, të patrajtuar asnjëherë më parë në trajtë akademike të këtyre përmasave, pikërisht temës: “Gjendja e arbërishtes dhe studimet mbi të si gjuhë e rrezikuar e diasporës”.
Mes 70 studiuesve pjesëmarrës të konferencës, 54 prej tyre janë akademikë, sociolinguistë e linguistë që vijnë nga universitetet më të rëndësishme të botës, përkatësisht prej vendeve nga Europa, Azia, Amerika, Zelanda e Re dhe Australia.
Konferenca “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora” realizohet rregullisht çdo vit nga Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL) në bashkëpunim me universitetet dhe qendrat shkencore më të mira të botës dhe sivjet shënon edicionin e saj të 25-të. Në këtë vit jubilar, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) është zgjedhur zyrtarisht si institucioni pritës organizator i kësaj konference, gjë që përbën një mundësi të artë për kthimin e vëmendjes ndaj studimit të thelluar të gjuhës dhe të kulturës shqiptare edhe në arenën ndërkombëtare.
Konferenca nis ditën e enjte, datë 16 dhjetor, ora 09.30, në mjediset e godinës universitare “Liria” (në hyrje të Qytetit Studenti).
Programin e plotë të konferencës e gjeni ketu:http://qspa.gov.al/wp-content/uploads/2021/12/Program_5-December.pdf?fbclid=IwAR1D-AFEn5dZ_lBc2jGyLdE2l3iX96UkXvQJdnbAee9DsNibPM_SESQKDWE