14 Gusht, 2020 - 11:28 pm
Prof. dr. Brikena Kadzadej – Zavalani rrëfen kontributin e albanologut Rolf Ködderitzsch. Ndalet gjithashtu edhe tek vlerat e rralla, që gjuhëtari kishte edhe si njeri.
Kur më erdhi lajmi i ndarjes nga jeta të studiuesit dhe albanologut gjerman Rolf Ködderitzsch (08.04.1941 – 11.08.2020), vërtet më pushtoi një dhimbje. Kur studioja dhe hulumtoja në Gjermani pata fatin që të njihesha edhe fizikisht me një brez albanologësh bashkëkohorë gjermanë, të cilët me dinjitet pasuan kolosët e Albanologjisë Shqiptare gjermanofolës, si Hahn, Mayer, Jokl etj.
Njoha në Berlin Oda Buchholz (ka studiuar në Shqipëri) dhe Gerda Uhlisch (për një periudhë tutorja ime në Berlin) dhe Dieter Nehring, më pas Prof. Wilfried Fiedler. Padyshim për një studiuese të re siç isha unë ishte i frytshëm takimi me ta, sepse prej asaj kohe shfletova më me kujdes punët e tyre dhe veprën e të madhit Robert Elisie që bëri aq shumë për historinë dhe letërsisë shqiptare dhe që prehet këtu.
Le të kthehemi tek albanologu Dr. Rolf Ködderitzsch me të cilin u njohja në fillim nëpërmjet veprës së tij në Bibliotekën e Universitetit Justus-Liebig në Giessen, Gjermani dhe më pas bashkëpunova me të në Tiranë. Ky albanolog me dëshirën e tij të madhe erdhi në Shqipëri në fundin e 2007-s, edhe pse tashmë ishte në pension, nëpërmjet Fondacionit gjerman Herder, mbështetës i profesorëve gjermanë, ku qëndroi mbi dy vjet.
Veç kësaj, me dëshirën e tij dhe për kënaqësinë tonë të madhe, u ofrua në Departamentin e Gjuhës Gjermane, ku dha përvojën e tij të vyer edhe për faktin se zhvilloi leksionet e lëndëve që tek ne ishin atëherë nga fusha ende jo të hulumtuara sa duhet, si Antropologjia etj. Ndihmesa e tij qe e madhe si për programet, ashtu edhe për kualifikimin e pedagogëve të rinj të Departamentit.
I rëndësishëm ishte fakti që ai u bë pjesë e projekteve, konferencave dhe veprimtarive shkencore të UT-së. Për t´u theksuar gjatë kësaj periudhe, është vëllimi i drejtuar prej tij “Sprache, Literatur und Didaktik”, pjesë e serisë Albanische Universitäststudien AUS (studimet universitare shqiptare) botuar në Gjermani në shtëpinë e njohur botuese “Athena”. Ky vëllim përmban artikuj të rëndësishëm përqasës shkencorë nga fusha e gjuhësisë, komunikimit dhe letërsisë. Ky vëllim, produkt i punës së palodhur në Shqipëri, gjendet në Bibliotekën Kombëtare Shqiptare dhe pothuaj në gjitha bibliotekat e hapësirës gjermanofolëse.
Le të flasim pak për Dr. Ködderitzsch, si njeri. I sinqertë, i drejtpërdrejtë, i qetë, dashamirës, i butë, me një shpirt të madh, kështu mbeti ai tek unë. Dallohej në ndihmën me kujdes dhe në mënyrë modeste që na jepte të gjithëve ne pedagogëve. Shfaqte një dashuri dhe respekt për Shqipërinë, gjuhën tonë që e mësoi me përkushtim që shkroi për vlerat e kësaj gjuhe dhe u bë kështu një model.
Vetë familja e tij ishte një përqasje e bukur e dy kombeve, ai gjeti tek bashkëshortja e tij, me nivel kulturor, një njeri që bashkë me të respektonin njëri-tjetrin, gjuhën, traditat, historinë e kombeve të tyre dhe kjo ishte një gjë shumë e bukur. Edhe kur u largua nga Shqipëria Dr. Ködderitzsch vijoi bashkëpunimin intensiv me mua për Departamentin dhe gjuhën shqipe. I jam faleminderit. Ai nuk jeton më, por njerëzit që gjatë jetës së tyre bëjnë diçka të vyer nuk vdesin, i tillë është edhe Dr. Ködderitzsch që për mua njohja dhe bashkëpunimi me të ishte shumë dobiprurës. /Shqiptarja /KultPlus.com