1 Gusht, 2020 - 8:59 pm
Prozë poetike nga Sali Bashota
Nana sa herë m’i prente flokët binte shi. Vetëm t’i lagte ndjenjat e brendshme të fëmijërisë. Mandej ajo shkonte me bujtë te dajtë. Përnjëherë flokët rriteshin, sikur bari i njomë në kopsht pastaj bëheshin shumë të lumtura.
Derisa kthehej Nana, shokët e mi i numëronin ngjyrat e ylberit dhe më xhelozonin tepër shumë pse sytë e mi kishin ngjyrën më të bukur të ylberit.
Më vonë kthehej edhe Baba nga tregu i Ujmirit. I ngarkuar me lotët e mi mbi supe.Vetëm e vetëm pse nuk më kishte marrë me vete. Ashtu hatërimi zgjati afër nëntë minuta.Derisa m’i lëshoi në të dy duart shumë sheqerka të bardha. Nga gëzimi i papërshkruar fillova vajin.Faqet e kuqe si molla më ndritnin pa fund dhe gjaku më vlonte pandërprerë. Pa ardhur mirë buzëmbrëmja edhe unë filloja t’i numëroja yjet në qiell, aqsa sheqerka shtrëngoja në të dy grushtat.
Çdo natë ëndrrat ishin më të bukura. Edhe kur Nana nuk shkonte me bujtë te dajtë, më merrte malli për fijet e flokëve të prerë me gërsherët me vija të kuqe që kishin shpëtuar pa u bërë shkrumb e hi në Luftën e Kosovës./ KultPlus.com