7 Janar, 2018 - 6:00 pm
Libri i fundit i publicistit Veton Surroi “Gorillat që s’i pamë” dhe ai i autorit Kasëm Trebeshina “Një ditë në natën pafund”, janë librat më të kërkuar gjatë vitit 2017 në libraritë e kryeqytetit të Kosovës.
Këto të dhëna janë marrë nga dy libraritë në Prishtinë, ajo “Buzuku” dhe “Dukagjini”.
Edon Zeneli nga libraria “Buzuku”, tha se Surroi dhe Trebeshina ishin dy autorët më të kërkuar edhe në panairin ndërkombëtar të librit në Prishtinë dhe Tiranë, gjatë vitit që po e lëmë pas.
Kërkesa e lexuesve për këta dy autorë, sipas tij, vjen nga fakti se të dy kanë zënë një hapësirë të konsiderueshme mediale, dhe meqenëse se janë ndër më të përfolurit, tek njerëzit zgjohet kureshtja për librat e tyre.
Zeneli tha se edhe emrat e njohur si Kadare, Kongoli e së fundmi edhe Albatros Rexhaj, kërkohen aq shumë sa që gjenden në top-5-shen e autorëve më të shitur sa i përket letërsisë shqipe.
“Konsideroj që autori më i shitur shqiptar është Veton Surroi. Librat e tij prekin tema të përditshmërisë sonë dhe duke pasur parasysh edhe fuqinë mediale që e ka prapa, është autor që pashmangshëm në secilin panair është më i shituri. Sivjet besoj që libri i tij i fundit ‘Gorilla që s’i pamë’, është libri më i shitur nga autorët shqiptarë, pasuar nga Kasëm Trebeshina ‘Një ditë në natën pafund’, është libri autobiografik i tij dhe duke qenë se sivjet Kasëm Trebeshina edhe ndërroi jetë, dhe si gjithmonë emri i tij debatohet shumë dhe debati si i tillë pastaj konsiston edhe në shitje të titullit, për shkak se njerëzit duan ta dinë se për çfarë po debatohet. Pastaj kemi Albatros Rexhaj, Fatos Kongolin dhe Ismail Kadarenë tek të cilët nuk mund ta marr një titull të caktuar të cilin do të thosha që është më i shituri por si autorë hyjnë në Top 5-shen e autorëve më të kërkuar nga letërsia shqipe”, tha ai për Kosovapress.
Sa i përket letërsisë të huaj, Zeneli tha se nga përkthimet janë zakonisht autorë që fitojnë çmime të njohura siç është çmimi Nobel, përderisa theksoi se nga ky grup autorësh vazhdojnë të jenë më të kërkuarit Svetlana Aleksieviq me librin “Zëra nga Çërnobili”, Matia Senarksoi dhe libri i tij “Busullë” si dhe Elena Ferantes me triologjinë e saj napoletane.
E libri që ka thyer çdo rekord, duke qenë më i shituri, Zeneli tha të jetë “Unë jam Malala” i Malala Yousafzai.
“Nga letërsia e përkthyer dhe jo vetëm nga letërsia, por edhe nga literatura jofiksionale, do të thosha që më e shitura e vitit definitivisht është Malala Yousafzai me ‘Unë jam Malala’, pasuar nga trilogjia e Elena Ferantes, është trilogjia e saj napoletane me titujt ‘Mikesha gjeniale’, ‘Mbiemri i ri’ dhe ‘Historia e fëmijës së humbur’, pastaj është Svetlana Aleksieviç me ‘Zëra nga Çërnobili’, është biografia e Elon Musk dhe libri ‘Origjinalët’ nga Adam Grant”, tha ai.
Rënia e lexueshmërisë në Kosovë, sipas tij, është vetëm një tendencë e mediave meqenëse bazuar nga shitja e madhe e librave gjatë 2017-s tregon për rritje të numrit të lexuesve. E sikur të kishte rënie të leximit, ai tha se nuk do të kishte kaq botues.
Edhe Erza Mati nga libraria “Dukagjini” tha për KosovaPress se shitjet flasin për një nivel të kënaqshëm të numrit të lexuesve. Ndërkaq theksoi se edhe veprat e autorëve të letërsisë së vjetër vazhdojnë të jenë në mesin e më të shiturve edhe sot.
“Ka shumë libra nga autorë të ndryshëm, nga autorë shqiptarë, nga autorë ndërkombëtarë, ka vepra të vjetra të cilat janë botime të mëhershme, të cilat vazhdojnë të jenë bestsellerë. Viti i botimit asnjëherë nuk e ndal shitjen e tyre pasi që janë kryevepra, por ka edhe botime të reja të cilat botohen gjatë vitit e përkthehen gjatë vitit dhe arrijnë që të gjejnë kulmin e shitjes dhe të jenë të preferuarat e lexuesve tanë”, tha ajo.
Krahas kësaj, Mati bëri të ditur se interesimi i qytetarëve për librat vazhdon të jetë i madh për zhanre të ndryshme. Ndërsa shtoi se sapo të publikohen botimet, menjëherë kërkohen nga lexuesit.
“Mund të them se ka një balancim në mes të kërkesave të qytetarëve sepse gjithmonë janë kërkesat e tyre të ndryshme të cilat e bëjnë atë balancimin. Nëse sot është publikuar një libër nga ndonjë gjuhë e huaj, atëherë menjëherë do të vijnë dhe ta kërkojnë”, theksoi ajo.
Ndërkaq, sipas Edon Zenelit nga libraria “Buzuku”, autori më i spikatur në mesin e fëmijëve është David Williams, një autor i cili ka qenë sensacion në tërë botën, por që është shitur shumë edhe në Kosovë me librin e tij “Banda e mesnatës”, libër i cili vetëm në librarinë “Buzuku” është shitur diku 150-200 copë, që sipas Zenelit kjo shifër përbën lajm.
Ndërkaq, libraritë e kryeqytetit me rastin e festave të fundvitit kanë përgatitur kombinime librash me zbritje të kënaqshme për klientët e tyre që kanë pasion leximin, derisa si të tilla janë shfrytëzuar edhe si dhurata për më të dashurit e tyre./ KultPlus.com