Gudar Beqiraj “rikthehet” në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

1 Shtator, 2017 - 2:13 pm

Kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë pritet të jetë ai që sot është nënkryetari i saj, matematikani Gudar Beqiraj.

Asambleja e Akademisë së Shkencave do të votojë më 4 shtator për dy postet e rëndësishme të kryetarit të ASH dhe nënkryetarit, por nga thirrja e hapur e bërë për kandidatë, vetëm kryetari aktual dhe nënkryetari kanë aplikuar për poste, që i bie të zëvendësojnë njëri tjetrin.

Më 3 korrik 2017 në faqen zyrtare të Akademisë është bërë njoftimi mbi aplikimin për postin e kryetarit dhe nënkryetarit, pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të kryetarit e nënkryetarit aktual.

Por duket se kanë munguar aplikantët, apo kandidatët që do të dorëzonin CV e tyre për të qenë në krye të Akademisë, pasi në mbledhjen e radhës, që do të jetë më 4 shtator, janë vetëm dy kandidatë për postin e kryetarit dhe zv/kryetarit, pikërisht kryetari aktual i Akademisë Myzafer Kërkuti, që kërkon postin e nënkryetarit, dhe nënkryetari aktual Gudar Beqiraj, që kërkon postin e kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave.

Gudar Beqiraj pritet të rikthehet kështu në postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, post të cilin e ka mbajtur gjatë viteve 2009-2014, ndërsa Muzafer Kërkuti e ka marrë postin e kryetarit më vitin 2014. / KultPlus.com

Të ngjajshme