20 Shkurt, 2024 - 12:18 pm
Arsimtarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë atdheut e njohin mirë kontributin e Nuhi Gashit në mbështetje të mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë dhe ai i njeh mirë ata. Lidhjet e tij si zyrtar- koordinator i Ministrisë së Arsimit me këtë krah të arsimit kombëtar ishin të forta dhe të dobishme. Aq sa mund të them sot këtu se Gashi ishte zyrtari i duhur, në vendin e duhur, me përgatitje të duhur për të funksionalizuar mësimin e shqipes në Evropë.
Në rrafshin profesional, Nuhiu që herët ishte orientuar kah hapja në komunikime me shkollat evropiane që aplikonin përvoja tjera në fushë të didaktikës e pedagogjisë ndërkulturore. Për aq sa kemi bashkëpunuar me të, kemi kuptuar se ai parapëlqente teorinë ludike për shkollën, si praktikë pedagogjike e njohur në qarqet profesionale arsimore. Nuhi Gashi është autor i shumë studimeve që kanë për subjekt interpretimin e gjuhës e letërsisë në shkollë; është redaktor i 15 vëllimeve me titull “Shkolla për gjuhën dhe kulturën e atdheut dhe identiteti kombëtar”; është bashkautor i dokumentit të MASHT-it të Kosovës, Kurrikula e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Diasporë dhe i dokumentit të njëjtësuar kurrikular kombëtar (Shqipëri-Kosovë) Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare në Diasporë e në Mërgatë.
Gashi është themelues i Seminarit kombëtar për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë dhe redaktues ( së bashku me Arif Demollin e ndjerë e Basil Schaderin e Zvicrës) i pakos didaktike të përbërë prej 13 librave sipas niveleve e të organizuara në 19 fletore tematike me titull “Tekste mësimore për Diasporë”.
Në domenin albanologjik, Gashi është autor i librit me titull “Identiteti në tri romanet e Kadaresë”, “Pashallëqet e Mëdha”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Ura me tri Harqe”.
Në projektin ndërdisiplinor zvicerano-shqiptar ka bërë studimin “Dinamika e të rriturit në dhe midis sistemeve të ndryshme referimesh e normash- Përvoja dhe perspektiva nga rrjeti Kultura e parë, e dytë dhe ndërkultura”, dhe është shquar me hulumtimin interesant me titull “Fenomeni i “shacave” i parë në mënyrë multiperspektive”.
Në kuadër të serisë Shkollë dhe Etnicitet nxori në vitin 2022 monografinë “Mësuesia si mision” kurse në vitin 2023 monografinë që sot po e promovojmë me titull “Guri i rëndë peshon në vend të vet”.
Kjo monografi ka tri elemente përbërëse: një përcaktor vendor- komunën e Ängelholmit në Suedi, një kryefjalë organizative- mësuesin mërgimtar dhe një objekt hulumtimi- mësimin e shqipes në mërgatë. Tri elementet, ndonëse të zbërthyera si njësi në vete, inkorporohen në vepër si tërësi e ruajtjes së identitetit tonë gjuhësor, kësaj radhe në Suedi.
Elementi i parë – Ängelholmi si përcaktor vendor
Kur kujtoj ardhjet e hershme të familjeve tona në Suedi, e më pas përpjekjet e mësuesve që emigruan këtu, për t ‘mos ua shkëputur fëmijëve të tyre lidhjet me shqipen, them se cilado prej atyre përpjekjeve do të mund të shërbente si përmbajtje monografike. Kam parasysh këtu organizimet e para vullnetare për mësimin e shqipes dhe më vonë integrimin e saj nëpër shkolla anekënd Suedisë.
Mirëpo kësaj radhe ky libër, me sentencën shqiptare si titull “Guri rëndë peshon në vend të vet” ka Ängelholmin për truall të asaj që ne e quajmë me mirëkuptim “Shkollë Shqipe në Suedi”. Në Ängelholm, mësimi i gjuhës shqipe ka filluar (sipas monografisë) në mesin e viteve 90-të. Ishte mësuesja e parë Hamide Murati- Vllasa që vullnetarisht organizoi mësimin e shqipes këtu. Në ndërkohë, shqipja fiton përkrahjen e merituar e autoriteteve komunale dhe integrohet në sistemin shkollor suedez. E integruar është edhe sot, ndonëse atëherë e sot, si lëndë e zgjedhur me vullnet. Nga monografia e autorit Gashi mësojmë se mësuesi që zuri punë me pagesë në komunën e Ängelholmit ishte Beqë Shala, vazhduar nga bashkëshortet Adem e Nesrije Rukiqi.
Në vitin 2000 në shkollën e Ängelholmit vije mësuesi Xhevat isufi që punon edhe sot. Në periudhën 2005- 2008 kam punuar edhe unë në Ängelholm, e më pas Florinda Kumnova-Fejza dhe nga viti 2021 edhe Zonjë Skënderaj nga Vlora.
Jo rastësisht veprimtaria e shkollës shqipe në Ängelholm e meritoi vëmendjen e Gashit. “Ku qytet i vogël si hapësirë, me altruizëm të madh shoqëror- thotë autori, ndjehet mirë edhe me praninë e komunitetit shqiptar”. Në këtë libër autori afirmon respektin e mësuesve, nxënësve e prindërve shqiptarë për qytetin në të cilin jetojnë dhe pohon gjithashtu dashurinë e të njëjtëve për atdheun e origjinës. Në këtë studim vlerësohen ekskursionet (të quajtura me të drejtë mësimore) të nxënësve nga Suedia në Kosovë e Shqipëri dhe nga Kosova në Ängelholm, ashtu sikurse vlerësohen edhe manifestimet kulturore e kombëtare të organizuara nga mësues e prindër të kësaj komune.
Elementi i dytë – Mësuesi mërgimtar
Sipas këtij elementi, mësuesi shqiptar ishte kryefjalë e organizimit dhe funksionalizimit të mësimit të shqipes në Suedi. Pa harruar këtu mbështetjen e prindërve shqiptarë. Mësimin e gjuhës amtare, mësuesit e kanë konsideruar jetik për mbrojtjen e identitetit shqiptar tek fëmijët e lindur e të rritur jashtë atdheut. Prandaj, ata punuan me përkushtim edhe atëherë kur nuk paguhej puna e tyre, por edhe sot kur paguhen nga shkolla suedeze. Mësuesit shqiptarë në Suedi, sipas autorit, janë të kërkues e krijues dhe përveç mësimeve gjuhësore, ata u mbjellin në shpirt nxënësve edhe dashurinë për mëmëdheun e prindërve. Këta mësues, duke e parë evolucionin (rritjen dhe zhvillimin) e fëmijëve mërgimtarë të shtrirë në arealin e dy atdheve: në atdheun e prindërve- që e ruajnë në zemra dhe në atdheun e lindjes e rritjes- ku realizojnë ëndrrat e veta, përpiqen maksimalisht që ai evolucion t`u rrjedh natyrshëm dhe në funksion të formimit të tyre shumë kulturor.
Në librin e Gashit, prototip i njeriut të angazhuar në shumë plane, konsiderohet puna e mësuesit Xhevat Isufi, i cili siç del në libër, është kryefjalë organizative në shkollë, në realizime e ekskursionesh në atdhe, në aktiviteteve kulturore e politike në Ängelholm e më gjerë. Narracionin autorial për këtë mësues të angazhuar, Gashi e përforcon edhe me mendimet e kolegëve në Suedi, drejtorëve të shkollave në Kosovë e personaliteteve tjera që kanë punuar e punojnë me këtë mësues.
Mësimi i gjuhës shqipe në Suedi – si objekt hulumtimi
Gashi njeh mirë historikun e mësimit të gjuhës amtare, si mësim plotësues kudo në Evropë. Mirëpo, mësimi që zhvillohet në Suedi, është për këtë autor, ai model që do të duhej të aplikohej edhe në vendet tjera ku nxënësit shqiptarë ndjekin shkollimin fillor. Gashi, spikat në libër zemërgjerësinë dhe vëmendjen që u jep Suedia gjuhëve e kulturave tjera, duke u shprehur madje se “Suedia është i vetmi vend në planet që me ligj, kurrikul e financim shtetëror ka rehatuar çështjen e gjuhëve tjera brenda institucionit të vet shkollor”.
Në planin diakronik, Gashi vlerëson hershmërinë e mësimit të shqipes në Suedi, (ne sapo erdhëm në Suedi integruam gjuhën tonë në shkolla) dhe në planin sinkronik vlerëson kualitetet profesionale të mësuesve dhe të arriturat kulturore, politike, sportive, ekonomike e shoqërore të komunitetit shqiptar në Suedi. Autori gëzohet kur mëson se personeli arsimor shqiptarë këtu është i licencuar dhe përveçse mësues profesionistë, ata janë edhe rektorë e udhëheqës entesh shkollore në Suedi. Nga gjiri i mësuesve shqiptarë në Suedi kanë dalë studiues që kanë botuar libra kushtuar lidhjeve historike e kulturore shqiptaro -suedeze, poetë që kanë shkruar e botuar në Suedi e në atdhe dhe përkthyes që kanë shqipëruar poezinë e prozën e vendit të shkruar në suedisht, këtu e treqind vjet më parë. Dhe një element tjetër pozitiv brenda komunitetit tonë këtu, që i bënë përshtypje autorit, është përkrahja e përhershme e prindërve tanë të mirë, në mbarëvajtje të mësimit të shqipes dhe të zhvillimit të jetës kulturore të shqiptarëve në Suedi.
Monografia e Nuhi Gashit “Guri rëndë peshon në vend të vet” nderon 30 – vjetorin e mësimit të gjuhës shqipe në Ängelholm. Si studim, libri hedh dritë mbi përpjekjet tona kolektive për liri e ruajtje të identitetit tonë gjuhësor e kulturor në mërgatë./ Nga Qerim Kryeziu / KultPlus.com