György Konrád: Republika e Letrave

8 Tetor, 2024 - 10:31 pm

Letërsia po zë gjithnjë e më pak vend në jetën tonë. Ka marrë fund një epokë e historisë së letërsisë dhe këtë ne nuk e kuptuam kur po ndodhte, por vetëm pasi ndodhi; në nivelet institucionale letërsia ka zbritur një kat më poshtë. Republika e letrave – si korpus intelektual, si fanar i qytetërimit – i përket së shkuarës. Ja ku erdhi koha e sprovës, kur dikujt i duhet ta ndërrojë letërsinë me një aktivitet tjetër, duke u bindur se nuk mund të ndiqet i njëjti zanat gjatë gjithë jetës. Edhe botimet po kalojnë të njëjtën krizë si sektorët e tjerë të ekonomisë: edhe letërsia po ecën paralel me varfërimin e shoqërisë. Megjithatë, këtë epokë të karakterizuar nga humnera midis çmimeve astronomike të librave dhe fuqisë së dobët blerëse unë e quaj tranzitore dhe besoj se letërisa do të mbijetojë. Pas disa vitesh do të shfaqet një klasë e mesme e kamur, e cila do ta kërkojë letërsinë. Herët a vonë gjërat teknike do të kenë çmime të përballueshme dhe aftësia blerëse do të rritet. Gjatë kësaj ndërkohe, në këto vite të lopës së dobësuar, do të vazhdojnë të shkruajnë pareshtur vetëm shkrimtarët e regjur dhe diletantët e përjetshëm. Vazhdimësia e një vepre nuk mund të sigurohet veçse nëpërmjet një këmbënguljeje prej murgu. Duhet një kurajo dhe siguri e veçantë për të guxuar të angazhohesh në një ndërmarrje letrare jetëgjatë. Shumë shkrimtarë, për të siguruar kështu mbijetesën, do të shtrëngohen të bëhen intelektualë profesionistë dhe, nëse do t’u mbetet pak fuqi, herë pas here edhe do të shkruajnë. /Hejza/ KultPlus.com

Të ngjajshme