9 Korrik, 2021 - 2:44 pm
Tregim nga Ibrahim Berisha
Ulen në sofër gjyshja, baba, nëna, dy motrat dhe tre vëllezërit. Rri te dera, as brenda as jashtë, hidhëruar sa nuk ngris kokën për t’i parë.
Mospërfillja këputet herë-herë nga zëri lutës i nanës: Eja ha djali im.
Jo, përgjigjem kryeposhtë.
Edhe më i hidhëruar vazhdoj: Nuk dua të ha.
Ata të gjithë më shikojnë me gojën plot pite. Edhe qeshen. Ua urrej qeshjen ironike. Edhe talljen në shikimet e tyre.
Baba nuk thotë asnjëherë: Eja, ha!
Edhe kjo më hidhëron dhe më trishton pakufishëm.
Gjyshja është më e mira, me pamjen e butë e joshëse, më thotë: Eja ha djali im!
Le thotë baba, se kur t’i kërcasin zorrët, i bien ndërmend lutjet. Por atëherë do të jenë vonë.
Jam hidhëruar dhe nuk do të ha asnjëherë, mendoj.
Nuk e përfillin hidhërimin tim.
Përse jam i hidhëruar, nuk më pyet asnjëri.
Unë jam shumë i hidhëruar, shtrihem në prag.
Vjen gjyshja, por nuk më qorton.
Më kapë përdore.
Eja ha djali im, thotë.
Jo, i them.
Pse, pyet ëmbël.
Sepse jam shumë i hidhëruar.
Mua më mundon pikëllimi i saj. Vetëm ajo më do. Pas pushimit të mundishëm, ma zgjatë dorën e vogël e të ngrohtë.
Më tërheq lehtë.
Mos harro djali im, të thotë gjyshja: Eja ha, po hidhërimin mbaje.
Edhe të ha edhe ta mbaj hidhërimin. Nuk kam forcë të zgjidh dilemën. Çfarë të bëj? / KultPlus.com