“Halili dhe Hajria”, botohet e plotë partitura e baletit të parë shqiptar

15 Maj, 2021 - 11:54 am

Partitura e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria” është botuar e plotë dhe e kompjuterizuar, plot 573 faqe.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Komisioni i përhershëm i artit dhe trashëgimisë kulturore, organizuan nё 95-vjetorin e lindjes sё akademikut Tish Daija (1926-2003) një veprimtari shkencore dhe pёruruese nё bashkёpunim me Fakultetin e Muzikёs (UA), pёr tё promovuar këtë partiturё, me muzikё tё kompozitorit Tish Daija dhe me libret dhe koreografi tё Panajot Kanaçit.

Veprimtaria me pjesëmarrje fizike dhe online u moderua nga dr. Mikaela Minga, anëtare e Akademisë së të rinjve.

Akad. Vasil S. Tole përshëndeti në emër të Kryesisë së ASH-së dhe tha se historia e këtij baleti është një histori suksesi.

BALETI “HALILI DHE HAJRIA”

Premiera e baletit u bë më 13 janar 1963 në Teatrin e Operës dhe Baletit (sot Akademia e Arteve). Në vitin 1983, me rastin e 20-vjetorit të vënies në skenë, janë riorkestruar disa numra nga baleti. Eshtë shfaqur afro 300 herë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Kjo trupë e ka shfaqur baletin jashtë vendit në turnetë e Greqisë (1983), në Itali (1991) dhe në Festivalin “Vera e Ohrit” (2005).

Në Francë, ky balet është vënë në skenë me artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit Clermond-Ferrand (1980), me koreograf Brice Leroux. Baleti është vënë në skenë gjithashtu edhe në Kosovë nga Ansambli i Baletit të Teatrit Krahinor të Prishtinës në vitin 1979, tha akad. Vasil Tole, i cili më tej foli për rëndësinë e botimit, ndërsa po rrezikohej degradimi i veprës origjinale. Ai tha se kjo vepёr këtё vit do tё pasohet edhe me 4 veprat pёr orkestёr simfonike tё Fan S. Nolit dhe vitin tjetёr do tё botohet e para simfoni shqiptare, ajo e Ҫesk Zadesё, nё kuadrin e 95-vjetorit tё lindjes sё tij. Botimi i partiturёs historike të baletit tё parё shqiptar do t’i shërbejë një larmie të madhe përdoruesish, nga dirigjentët brenda e jashtë vendit, kompozitorëve të rinj dhe muzikologëve, bibliotekave të specializuara ose jo, nxënësve dhe studentëve të muzikës, dashamirësve, koleksionistëve etj.

TISH DAIJA

Dr. Eno Koço, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave, foli për rëndësinë e baletit të parë shqiptar dhe rrëfeu kujtime nga puna me kompozitorin e shquar Tish Daija.

Tish Daija përfaqëson një nga ata pak kompozitorë, që mbeten në elitën e kompozitorëve më të shquar shqiptarë, tha dr. Eno Koço.

Prof. Dr. Isak Shehu, dekan i Fakultetit të Muzikës pasi foli për edukimin muzikor të Tish Daisë, që nis që në moshën parashkollore, me pjesëmarrjen në korin françeskan, ku merr mësimet e para nga padër Martin Gjoka e Filip Mazreku. Ai foli më tej për rolin si pedagog i kompozicionit dhe tha se “Tish Daija ka dhënë një kontribut të madh në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentale, vokale e simfonike shqiptare në të gjitha gjinitë, këngë të muzikës së lehtë, popullore, muzikë filmash etj., si: opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e peshkatarit” etj.

Vlerat e krijimtarisë së Tish Daisë ndikojnë në edukimin e kompozitorëve të rinj. Krijimtaria e tij flet shqip. Zgjedhja e materialit burimor, harmonizmi, orekstracioni, forma etj., flasin të gjitha vetëm shqip, tha prof.dr. Isak Shehu.

Prof. Rafet Rudi (Kosovë) foli për rëndësinë e botimeve muzikore. Ai e cilësoi Tish Dainë një nga bardët e muzikës shqiptare, të cilët i dhanë një start të ri kompozimit.

Djali i akad. Tish Daisë, kompozitori Gust Daija, në fjalën online (nga SHBA), pasi falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen Kryesisë së ASH-së për botimin e partiturës, tha se “Halili dhe Hajrija” ishte vepra e katërt e kompozitorit Tish Daija në fillimet e punës së tij. Ai rrëfeu rrugën e Tish Daisë si autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar, “Bijtë e Peshkatarit” etj.

Gjithashtu veprimtarinë e përshëndeti edhe baletmaestri Albert Janku, i cili është një nga protagonistët e vetëm që ende jeton të baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”. Veprat e bukura i mbijetojnë kohës dhe janë pasuri e madhe e popullit, tha Albert Janku, duke kujtuar me nostalgji kohën e realizimit të kësaj vepre dhe punën e palodhur që u bë për ngjitjen e këtij baleti në skenë me mjeshtrin e baletit Panajot Kanaçi që solli risi në shprehjen harmonioze të gjuhës së trupit të kërcimtarëve me muzikën e Tish Daisë. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme