12 Dhjetor, 2022 - 12:45 pm
“Pupëza” ka sjellë për herë të parë në gjuhën shqipe librin ‘Hana e re’ nga shkrimtari i madh Rabindranath Tagore, përcjell KultPlus.
Kjo vepër, vjen në botim krejt të veçantë, secili libër një punë dore teknikash të ndryshme, si në libërlidhje, ashtu dhe në ballinë e ilustrime tejet të veçanta, këto të fundit të krijuara nga fëmijët enkas për këtë botim.
Me një çiltërsi të skajshme, libri shpalos tregimet magjike pothuajse ninulla që mëkojnë shpirtin njerëzor.
Libri përmban edhe fjalimin e famshëm të Tagores të quajtur ‘Shkolla ime’, që tingëllon aq aktual e ndriçues për ditët tona.
Për nder të ‘Muajit të Rumit’, shpërndarja e librave fillon me 17 dhjetor.
Libri është mbështetur nga Komuna e Prishtinës.
Rabindranat Tagore, ishte poet, dramaturg dhe filozof indian. Ka shkruar më shumë se 1000 poema, 24 drama, tetë romane, dhe më shumë se 2000 poezi, një numër të madhe eseshë dhe proza të tjera. Poezia e tij çmohet për zgjim emocionesh, esetë për mendime të mëdha, a romanet për vetëdijesim të shoqërisë. Qëllimi i tij kryesor ka qenë lidhja e lindjes me perëndimin. Ai poezinë e vetë, e përktheu në gjuhën angleze.
Fitoi Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 1913. / KultPlus.com