22 Tetor, 2020 - 9:28 pm
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri u çel sot ekspozita “Verba Volant, Scripta Manent – Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”.
Për të kremtuar 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, COD sjell për miqtë e librit një ekspozitë të librave të rrallë, të cilët dalin për herë të parë në sytë e publikut.
Kjo ekspozitë vjen për publikun falë Qendrës për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite deklaroi sot se, Biblioteka Kombëtare numëron sot 1 milion e 300 mijë libra dhe dixhitalizimi do të mundësojë aksesin në këto libra nga e gjithë bota.
Duke folur në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “Verba Volant, Scripta Manent – Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, për të kremtuar 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, ai u shpreh se, “është fatkeqësi që në një moment kaq të rëndësishëm për Bibliotekën Kombëtare siç është ky vit dhe kur kremtimi i këtij 100-vjetori është një detyrim, por edhe një emocion i jashtëzakonshëm që mund të ushqehej ashtu siç duhej përmes një zinxhiri të aktivitetesh dhe një pjesëmarrjeje shumë më të gjerë të drejtpërdrejtë, koha e keqe në të cilën ky 100-vjetor ndodh na detyron të jemi shumë kopracë në këtë kremtim, në aspektin e hapësirave, pjesëmarrjes, projektimit të një kalendari siç do duhej të ishte”.
Megjithatë, shtoi Rama, “është vërtetë për të thënë faleminderit për zgjedhjen e bërë me këtë ekspozitë që nuk është një nga ekspozitat e COD këtu në Kryeministri, por është një dëshmi shumë e rrallë, faktike, e prekshme e një historie shumë të gjatë, e cila kalon shumë e shumë shekuj dhe mishërohet në libra, tekste, objekte që janë ruajtur në thellësitë e organizmit të Bibliotekës Kombëtare”.
Rama nënvizoi se, “do të kishte qenë shumë më bukur sikur ne të kishim mundësinë që këtë 100-vjetor ta kremtonim në godinën e Bibliotekës së re Kombëtare, që është një domosdoshmëri e kahershme tashmë. Por fatkeqësisht projekti i nisur me shumë dëshirë dhe i futur në procesin e formësimit të tij, u desh të ndalej nga tërmeti dhe mbetet i ndalur edhe sot, pasi rrënojave të tërmetit që duhen kthyer në mijëra shtëpi, në mijëra apartamente, iu mbivendos edhe goditja e rëndë financiare e të gjithëve, për shkak të COVID-it. Megjithatë projekti e ka nisur rrugën e tij, dhe unë kam besim se do të shkojë deri në fund, edhe pse nuk mund dot ta them se kur. Por jo padiskutim aq gjatë dhe aq vonë sa ç’është vonuar deri sot në rrugën e gjatë të kërkesës legjitime të gjithë atyre që janë të lidhur me librin, janë të lidhur me bibliotekën për ta pasur Bibliotekën e re Kombëtare”.
Nga ana tjetër shtoi Rama, “pavarësisht se nuk kemi arritur ende të ndërtojmë godinën e Bibliotekës së re Kombëtare, jo pak është bërë për të ndryshuar një rrjedhë shumë shqetësuese degradimi dhe rrënimi të atij thesari të madh, të pazëvendësueshëm, të krahasueshëm me asnjë thesar tjetër të prekshëm drejtpërdrejtë nga sytë nga duart, të prekshëm fizikisht nga historia jonë”.
Rama u shpreh se, “ajo çka përbën një rrugë paralele të pandashme tashmë për Bibliotekën Kombëtare ka qenë dixhitalizmi i një pasurie kaq të madhe dhe përmes dixhitalizimit mundësia për ta aksesuar këtë pasuri në një rrugë tjetër. Të ndryshme nga ajo rruga tradicionale që gjithsesi mbetet e pazëvendësueshëm në atë që ofron dhe që njerëzit përftojnë prej saj nga kontakti fizik me librin”.
“Biblioteka ka nisur me 3 mijë libra 100 vjet më parë. 3 mijë libra mund të ishin fare mirë koleksioni i një njeriu të vetëm për nga sasia. Dhe sot është 1 milion e 300 mijë”’, tha Rama.
Ai u shpreh se, “revolucioni dixhital që kemi ndërmarrë në të gjithë gjatësinë e frontit të përparimit ka përfshirë dhe Bibliotekën Kombëtare pikërisht në 100-vjetorin e saj”.
“Patjetër që do ta mbështesim shumë fort këtë revolucion dixhital në Bibliotekën Kombëtare, sepse është mundësi për të hapur tërësisht me të 1 milion e 300 mijë dritaret atë godinë, kudo që ajo të jetë, aty ku është dhe aty ku uroj dhe do bëjë çmos që të ndërtohet. Kështu aksesi në këtë thesar do të jetë global. Nga të gjithë ata që janë të lindur këtu dhe që jo domosdoshmërisht jetojnë këtu. Që mund të jetojnë në Amerikë, Europë, Australi, në Kinë. Nga të gjitha ata që janë të lidhur me çka është krijuar shkruar këtu dhe nuk janë domosdoshmërisht shqiptarë. Dhe patjetër edhe nga të gjithë fëmijët tanë që duke pasur këtë dritare do mund të rriten ndryshe nga ne”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjithashtu e pranishme në çeljen e kësaj ekspozite e krahasoi Bibliotekën Kombëtare si një re të madhe ëndrrash.
“Do të përfytyroja si një spirale që shkon drejt pafundësisë e ndërtuar me miliona e miliona sirtarë ëndrrash”, tha ajo.
“Në këtë katedrale 100-vjeçare, janë strehuar vërtetë ëndrrat e shqiptarëve për të shkruar, folur, për të përcjellë në breza gjuhën, për të ushtruar besimin fetar, ëndrrat për të vetëqeverisur, për të shpërthyer zinxhirët e hekurt të izolimit politik dhe kulturor dhe për t’u ndier edhe ne pjesë e Europës, jo thjesht si një copëz gjeografike e këtij kontinenti”.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, u shpreh se, “detyra primare e çdo biblioteke në botë është të mbledhë dhe të ruajë trashëgiminë e shkruar kombëtare, kujtesën kombëtare, ndaj dhe kjo ekspozitë fillon me pavijonin kushtuar kësaj trashëgimie. Por në fakt kjo pjesë e ekspozitës zë vetëm 25% të saj. Pjesa tjetër e saj përbëhet nga libra dhe dorëshkrime të cilat ekspozohen për herë të parë dhe që përbëjnë dhe surprizën e saj, sepse ndër objektivat e kësaj ekspozite është që të surprizojë”.
Ai tha se “krijimi i bibliotekës dixhitale përbën realisht një revolucion të vërtetë në marrëdhëniet me publikun”.
Eridana Çano, drejtoreshë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje (COD) tha se, “në këtë ekspozitë zbulohen përpara publikut një korpus libror i pasur për promovimin e thesareve të Bibliotekës si inkunabula, antikuarë, dorëshkrime, vepra të albanologëve të spikatur e shumë të tjera. Janë kryesisht vepra nga autorë të huaj, por nuk mungojnë dhe veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre arbëreshë. Kjo ekspozitë në miniaturë e thesareve të pazbuluara deri më sot, nis nga zakonet, traditat, besimi, mënyrat e jetesës, historia dhe gjeografia, të shprehura në dokumente dorëshkrime që datojnë nga viti 1473, libri më i vjetër në Bibliotekën Kombëtare e deri tek dorëshkrimet orientale me vlera të rralla me përmbajtje fetare, juridike dhe historike”.
Ekspozita “Verba Volant, Scripta Manent – Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, do të qëndrojë e hapur në COD në datat 22-31 tetor 2020. /atsh/ KultPlus.com