3 Shtator, 2017 - 9:25 pm
“Frymoj në letër” është aktiviteti i radhës i cili do të organizohet nga Ideartë. Një konkurs letrar, një mundësi e shkëlqyer për të gjithë personat që kanë dhunti të shkruarin, pa limit moshe, me synimin e vetëm të promovuarit e talenteve në fushën letrare.
Në këtë garë të artit të fjalës, mund të aplikojë çdo shqiptarë që ka pasion, thjeshtë, duke dërguar në postën elektronike: [email protected] emrin, datëlindjen dhe qytetin ku jeton, bashkëngjitur punimit të tij. Konkursi është i hapur në tre kategori: ese, prozë, poezi, ku një person mund të konkurroj edhe në të tria hapësirat njëherësh.
Faza e parë, ajo e aplikimit, ka afat deri në datën 20 shtator. Pas kësaj date do të njoftohen të gjithë të përzgjedhurit për të qenë pjesëmarrës në mbrëmjen poetike e cila do të zhvillohet në fund të muajit shtator në qytetin e Peqinit. Për aplikantët nga trojet, do të bëhet e mundur shpërndarja e certifikatave mirënjohëse me anë të Postës Shqiptare.
“Frymoj në Letër është një aktivitet i radhës organizuar nga Ideartë, që synon të nxis krijimtarinë, çdo njeri lind artist prandaj i kërkoj të gjithëve të gërmojnë thellë brenda vetes dhe atë çfarë ndjejnë ta pasqyrojnë në letër”, tha Ermir Cani, bashkëthemelues i shoqatës Ideartë.
“Ky konkurs letrar është një mundësi e mirë ku të rinjtë mund të shfaqin talentin e tyre në të shkruar. Në të njëjtën kohë, zhvillon aftësinë e të shprehurit lirshëm, duke i nxitur ato të ecin edhe më tej drejt rrugës së krijimit artistik. Besoj se ky do te jetë një shans i mirë për të gjithë pjesëmarrësit”, tha Patricia Vogli, pjesëtare e Ideartë. (Shkruan Izaora Çollaku)/ KultPlus.com