Hapet në Berat ekspozita me libra dhe pulla postare me figurën e Skënderbeut

3 Mars, 2025 - 6:24 pm

Ekspozita me libra dhe pulla postare me figurën e Skënderbeut u çel në Berat, ku nuk munguan qytetarë, studiues dhe koleksionistë. Pullat e ekspozuara datojnë që në vitin 1913, ndërsa libri më i vjetër për Skënderbeun i përket vitit të largët 1855 në gjuhën frënge.

Në ambientet e bibliotekës së qytetit të Beratit është çelur ekspozita me libra dhe pulla postare shqiptare të Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit tonë kombëtar.

Të gjitha pullat postare të emetuara që nga viti 1913 nga qeveria e Ismail Qemalit e deri në vitin 2024 janë ekspozuar për publikun, ku morën pjesë edhe studiues dhe historianë. Janë afro 15 pulla postare me figurën e Skënderbeut, ku koleksionisti Hysen Dizdari tregon se më e veçanta për të është ajo e vitit 1913, e cila është shpërndarë në të gjithë botën në 2 milionë kopje.  

“Me rastin e 581 vjetorit të besëlidhjes së Lezhës kemi organizuar një ekspozitë me librat kryesisht të autorëve shqiptarë dhe pullat postare kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu… numri i librave të ekspozuar mbi 60 për Skënderbeun ndërsa janë të gjitha pullat postare që nga viti 1913 të emetuara nga qeveria e Ismail Qemalit dhe deri në vitin 2024″,-tha Hysen Dizdari, koleksionist.

Libri më i vjetër i ekspozuar në Berat daton në vitin 1855, Historia e Skëndërbeut, i botuar në frengjisht. Sipas studiuesit të artit Arjan prifti, për Skenderbeun janë bërë mbi një mijë botime në Europë dhe Ballkan dhe mbi 900 vepra arti për të.

“Kam një kohë të gjatë  që koleksionoj librat kryesisht botimet e vjetra por në mes tyre dhe botime që i përkasin figurës madhore të Gjergj Kastriot Skendërbeut, më të vjetrin që posedoj në koleksionin tim është Camille Paganel i vitit 1855 është historia e Skëndërbuet në frengjisht është një nga librat më të mirë i njohur”,-tha Arjan Prifti, studiues arti.

Organizatorët dhuruan për bibliotekën e qytetit të Beratit disa nga librat, kushtuar Skënderbeut.

Të ngjajshme