Hapet thirrja për mbështetjen e përkthimit të veprave nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj

19 Qershor, 2020 - 4:50 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hap thirrjen për aplikime për përkthime nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj, shkruan KultPlus.

Fondi i përkthimit nga gjuha shqipe në gjuhë të tjera është një nismë e trashëguar nga Ministria e Kulturës, e cila ka sjellë një kontribut në njohjen e vlerave tona më të mira në gjuhë të tjera. Ky fond ka kontribuuar në rritjen e interesit të botuesve të huaj për letërsinë shqipe.

Kjo thirrje do të jetë pjesë e përhershme e politikave të QKLL-së për të promovuar kulturën dhe librin shqip në kultura të tjera. Ajo synon të mbështesë përkthimin e veprave më të rëndësishme të letërsisë shqipe në prozë, poezi, eseistikë etj.

INFORMACION I PËRGJITHSHËM:

  • Kërkesa duhet të dorëzohet nga një botues i huaj, i pajisur me licencë botimi, përmes përfaqësuesit të tij ligjor;
  • Botuesi duhet të sigurojë të drejtat e autorit para se të aplikojë ose të paktën të jetë në proces të sigurimit të së drejtës së autorit, një proces që duhet të përfundojë deri në afatin e dorëzimit të aplikimit, specifikuar në kontratën e përkthimit (kontrata origjinale duhet të jetë në gjuhën shqipe ose në anglisht);
  • Botuesi gjithashtu duhet të paraqesë kontratën me përkthyesin (kontrata origjinale duhet të jetë në gjuhën shqipe ose në anglisht);
  • Botuesi duhet të paraqesë një fragment nga libri origjinal dhe përkthimi i tij (20 faqe standarde, afërsisht 1800 karaktere për faqe, me hapësirë);
  • QKLL është e angazhuar të parandalojë çdo keqpërdorim, abuzim ose kopjim të tekstit të përkthyer;
  • Pas miratimit të mbështetjes financiare, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të nënshkruajë një kontratë me botuesin;
  • Financimi i plotë / i pjesshëm i përkthimit të siguruar nga QKLL, do të transferohet në llogarinë e botuesit.

Ju lutemi dorëzoni aplikimin pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, brenda 20 korrikut 2020, ora 16:00, duke dërguar dokumentet (formularin e kërkesës dhe deklaratën) në [email protected]: /KultPlus.com

Të ngjajshme